Xhufi: Të jepen karta falas, pagesa më vonë
Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, artikuloi dje propozimin e kësaj force politike për zgjidhjen e çështjes së pajisjes së votuesve me karta identiteti. “Në gjykimin tonë, një zgjidhje e tillë do të ishte më e përshtatshmja dhe gjëja kryesore që duhet bërë është ajo që procesi i pajisjes me karta identiteti të mos lidhet me pagesën e tarifës. Ne gjykojmë se shteti dhe qeveria i ka të gjitha mundësitë që pagesa të bëhet në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur në një moment të dytë”, tha Xhufi. Nënkryetari i LSI-së shtoi se ky propozim vjen në momentin kur nuk ka më kohë fizike për propozime të tjera. “Duke vlerësuar momentin në të cilin ne ndodhemi, pasi nuk ka më kohë për të gjetur apo për të shpikur zgjidhje të tjera eksperimentale, LSI është e mendimit që duhet gjetur një zgjidhje e fundit, e vetme, një zgjidhje e shpejtë, radikale, gjithëpërfshirëse”, tha Xhufi. Duke gjykuar mbi propozimin e qeverisë për karta falas për një kategori dhe me ulje çmimi për kategoritë e tjera, Xhufi tha se edhe pse në vetvete vendimi i qeverisë mund të konsiderohet pozitiv, ai lë jashtë përfshirjes disa kategori të rëndësishme sociale. Xhufi akuzoi qeverinë të papërgjegjshme në këtë proces. “Kemi të bëjmë me vendimin e tretë brenda pak javësh, gjë që flet për papërgjegjshmërinë e qeverisë si dhe për frymën e spontanitetit që ka karakterizuar këtë proces, procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, i cili është jetik dhe vendimtar për integritetin e zgjedhjeve të ardhshme”, tha kreu i grupit të LSI-së.