E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmon i penduari: “Unë dhe Lul Berisha trafikuam femra”

Autori i Lajmit: red.
I penduari i drejtësisë, Adriatik Coli, tregon njohjet e tij me kapobandën e Durrësit dhe krimet që kryen së bashku. Ka mundur të thotë vetëm disa fjali para trupit gjykues, pasi debatet janë ndezur në sallë, duke detyruar kryesuesin e seancës ta ndërpresë atë për disa minuta pushim. Avokatët mbrojtës të Bandës së Durrësit nuk kanë pritur rifillimin e seancës duke mos lejuar kështu Colin të rrëfehej deri në fund.
Seanca
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit të marrë në mbrojtje, të penduarit Adriatik Coli ndaj anëtarëve të njohur si Banda e Durrësit me kapo Lulzim Berishën. Por edhe kjo seancë pas disa minutave dëshmi hasi në pengesa që sollën sërish shtyrjen e dëgjimit të plotë të dëshmisë. Pas më shumë se 2 vjet e gjysmë nga nisja e gjyqit ndaj të pandehurve, në seancën e djeshme, ku ishin të pranishëm avokatët, të pandehurit dhe prokurorët e çështjes, më në fund rrëfeu Adriatik Coli. “Jam njohur me Lul Berishën në vitin 1994. Në atë kohë trafikonim femra në Itali”, ishin disa nga fjalët që dëshmitari kyç i kësaj çështjeje dha, pasi u pyet nga prokurori. Coli u pyet nga Prokurori për organizatën e Lul Berishës me shokë dhe në këtë pikë shpërthyen debatet mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes. Avokatët kërkuan që të mos përdoret fjala “organizatë”, pasi, sipas tyre, nuk ka ende prova që ta dëshmojnë këtë. Ky debat mbi 2 orë e gjysmë shkaktoi zhurmë e pakënaqësi edhe nga të pandehurit e çështjes, saqë kryegjyqtari kërkoi menjëherë ndërprerjen e seancës dhe një pushim 30-minutësh. Por, pas kësaj, avokatët e të pandehurve nuk u paraqitën më në seancë, duke u rikthyer kështu në shkaktarët e shtyrjes së seancave të njëpasnjëshme ndaj të ashtuquajturës Banda e Durrësit.
Të akuzuarit
Lulëzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi. Sipas Prokurorisë, nga viti 1998 deri në vitin 2002, Lulëzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Endrit Dokle, Bujar Gashi, si dhe Klodian Saliu, Ilir Xhunga, Arben Paja, që janë vrarë kohë më parë, kanë qenë anëtarë të një organizate të vetme kriminale. Gjyqi ndaj të 16 të akuzuarve për krime të rënda ka nisur që prej 17 qershorit të vitit 2007 dhe deri në seancën e djeshme nuk ka mundur të dëshmojë asnjë prej 105 dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria. Coli, një ish-anëtar i bandës, dje i penduar, nuk ka arritur ende të dëshmojë plotësisht të vërtetat rreth Bandës. Shtyrja e seancave gjyqësore ka arritur rekord në llojin e vet, seancat janë shtyrë plot 95 herë. Të pandehurit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, ndër të cilat vrasje dhe trafiqe ilegale.

Avokatët, 20 dëshmitarë në gjykatë
Rreth 20 dëshmimtarë do të dëshmojnë në favor të të pandehurve të “Bandës së Durrësit”, ndërkohë që prokuroria do të ketë përballë tyre Adriatik Colin, të penduarin e bandes. Pas disa seanca shtyrjesh, procesi në ngarkim të 16 të pandehurve, të akuzuar si anëtarë të “Bandës së Durrësit”, ka vazhduar ditën e djeshme me kërkesat paraprake të avokatëve. Avokati i të pandehurit Lulzim Berisha, i cilësuar si një nga krerët e grupit, ka paraqitur para gjykatës kërkesën për thirrjen e 20 dëshmitarëve. Ndërsa i penduari i bandës, Adriatik Coli, ka pohuar se do të japë sërish deklarime rreth akuzave të prokurorisë. Kërkesa për prova kanë paraqitur edhe avokatët e tjerë të dosjes, ndërkohë që trupi gjykues do të shprehet javën tjetër në lidhje me pranimin apo jo të kërkesave të mbrojtjes.
Ky lajm është publikuar: 29/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›