E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmon polici i Bashkisë: “Si e shtypi Ilir Paja agjentin”

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Procesi gjyqësor

Një efektiv i Policisë Bashkiake ka qenë dëshmitari i parë në procesin gjyqësor në ngarkim të mjeshtrit të arratisjeve, Ilir Paja. Gazmend Vathi, efektiv pranë Policisë Bashkiake, ka rrëfyer momentet kur Paja ka tentuar për t u arratisur, duke plagosur rëndë dhe një efektiv policie. Dëshminë e tij Vathi e ka nisur me tri të shtëna arme, të cilat i kishin tërhequr vëmendjen. “Dëgjova dy apo tre krisma diku në afërsi të Farmacisë nr. 10, më pas pashë një polic të rrugores që po vraponte”, - ka pohuar polici i Bashkisë, Gazmend Vathi. Nxitova për në vendin e ngjarjes për t u dhënë ndihmë personave që ishin plagosur. Kur afrohem pak, shikoj një person që kërkonte ndihmë, - ka treguar Vathi. Afrohem dhe shikoj një person që ishte poshtë një makine “Fiat Punto”, ngjyra e të cilit nuk më kujtohet tani. Bashkë me disa persona të tjerë e ngritëm makinën për të nxjerrë personin që ishte poshtë, - vazhdon të tregojë dëshmitari. Personi i shtrirë poshtë makinës vetëm këmbët kishte jashtë, ndërsa pjesa tjetër e trupit ishte poshtë makinës. Kur e nxorëm, pashë që ai kishte një plagë të madhe në gjoks. Pasi i dhamë ndihmën e parë, shkova që t i jepja ndihmë dhe një personi tjetër që ishte i shtrirë pa ndjenja në krahun tjetër të rrugës. E ndihmuam edhe atë dhe e hipëm në një taksi ngjyrë të verdhë e cila mori drejtimin e spitalit “Nënë Tereza”, bashkë me të shkoi edhe një person tjetër që e shoqëroi, që më pas e mora vesh që ishte polic, - ka treguar Gazmend Vathi. Personin që ishte poshtë makinës e mori një furgon police që erdhi në vendin e ngjarjes vetëm 5 minuta më pas, më duket se atë e dërguan për në Spitalin Ushtarak. Dëshmitari ka pohuar se kishte shkuar edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, edhe aty u kishte dhënë ndihmë mjekëve që ta merrnin nga taksia Pajën dhe ta vendosnin në barrela për ta dërguar më pas në sallën e reaminacionit. Përveç prokurorit dhe avokatit mbrojtës, në pyetjen e dëshmitarit ka insistuar së tepërmi edhe trupi gjykues. Të pesë anëtarët e trupit gjykues i kanë kërkuar detaje më të hollësishme dëshmitarit, i cili i është rikthyer edhe një herë nga e para dëshmisë së tij. Gjykatësit e kanë pyetur dëshmitarin nëse njihte ndonjë nga të pandehurit dhe ai i është përgjigjur se vetëm më vonë kishte arritur të mësonte se një nga të plagosurit ishte efektiv policie. Avokati i Ilir Pajës i është drejtuar dëshmitarit duke e pyetur nëse kishte ndonjë person me uniformë policie apo ushtarake dhe ai i është përgjigjur se asnjë prej personave të pranishëm në vendin e ngjarjes nuk ishte me uniformë policie. Mbrojtja e Pajës ka insistuar që dëshmitari ta fokusojë dëshminë tek efektivët e policisë, të cilët në aksion nuk kanë qenë me uniformë dhe sipas gjasave mbrojtja do të dalë në konkluzionin se i pandehuri nuk ka pasur dijeni që kishte të bënte me policinë. Gjithashtu, avokati i Ilir Pajës e ka pyetur dëshmitarin për mënyrën se si i është dhënë ndihma e parë klientit të tij, pasi, sipas të dhënave ai është marrë zvarrë për ta hipur në makinë. Në lidhje me këtë pyetje dëshmitari ka pohuar se tek Paja fillimisht kishte shkuar një person tjetër, i veshur civil dhe e kishe kapur nga krahu për ta ngritur dhe pasi nuk e kishte ngritur dot, kishte kërkuar ndihmë për ta hipur në makinë. Në seancën e radhës pritet të dëgjohet dëshmia e 11 punonjësve të policisë së rendit. Përveç pesë efektivëve të policisë që duhet të ishin të pranishëm në seancën e djeshme, gjykata vendosi të thërrasë edhe gjashtë persona të tjerë, të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Avokati i Pajës pretendon për keqtrajtimin e klientit
Si nga pyetjet e drejtuara dëshmitarit, por edhe nga deklarimet e tij në seancat e kaluara, avokati ngre pretendimin se klienti i tij është në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Sipas tij, Ilir Paja ka marrë goditje të rënda gjatë momentit të incidentit. Gjithashtu, ai ngre pretendimet se klienti i tij është transportuar për në spital në mënyrë jonjerëzore. Sipas deklarimeve të avokatit, Paja ka ende një plumb në afërsi të zemrës dhe një shqetësim apo një goditje e vogël mund të ishte fatale për të. Ai ka kërkuar që klienti i tij t i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm mjekësor, pasi gjendja e tij paraqitet e rënduar.
Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›