E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serena Luçiani sjell “Tërmet në Tiranë”



“Tërmet në Tiranë”, kështu titullohet në origjinal libri që do të promovohet sot në mesditë, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Serena Luçiani, ish drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë në vitet 1988- 1990, (koha e rrëzimit të komunizmit në Shqipëri) ka botuar në Itali para dy vjetësh një roman me temë nga ngjarjet e atyre viteve të trazuara në vendin tonë. Koha e tmerreve të ndërrimit të sistemeve me apo (pa) dhunë, koha e varfërisë së tejskajshme të shqiptarëve që prej vitesh e kishin hedhur vështrimin nga Perëndimi, koha e përpjekjeve të dëshpëruara të kastës së vjetër për ta mbajtur në këmbë sistemin e mbyllur gjysmëshekullor, koha e shkëndijave rinore për hapjen dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, janë përshkuar si rrallëherë në një roman 500 faqesh të shkruar nga një e huaj që banonte në Tiranë me mision diplomatik, por që ishte drejtpërdrejt apo tërthorazi, pjesë e zhvillimeve të vrullshme që përfshinë Shqipërinë asokohe. Vlen të theksohet se romani nuk përshkruan veç linjën historike të zhvillimit të ngjarjeve. E shkruar në një formë të arrirë artistike, linjat në vepër trazohen dhe bëhen interesante nga intrigat që kanë përfshirë pushtetin në rënie, por edhe gjithë shoqërinë shqiptare; linjat e dashurisë dhe të skenave erotike që nuk mungojnë asgjëkund, sado e shtypur dhe e ndryshkur të jetë shoqëria; veprimtaria e strukturave të spiunazheve, mjaft aktive në periudhën e rënies së komunizmit; figurat e personazheve të romanit, të cilët janë lehtësisht të identifikueshme për ata që e kanë jetuar atë periudhe 20 vjet më parë, etj. Prurja në shqip e romanit nga përkthyesi Xhimi Lazri i ka dhënë vlera të veçanta veprës së Serena Luçianit, i cili lexohet me një frymë, të bën të mësosh shumë gjëra të reja të para nga një këndvështrim krejt tjetër dhe interesant; si i ka parë, përjetuar dhe analizuar një e huaj ngjarjet tronditëse të Shqipërisë gjatë rënies së komunizmit dhe përpjekjet e para për hapje drejt botës.

KINEMA

Ditët e fundit të Majkëll Xheksonit shfaqen në “Milenium”

Kinema “Milenium” sjell premierën botërore “This is it” në kryeqytetin shqiptar. Siç bëhet e ditur nga zyra e shtypit të kësaj kinemaje, edhe Tirana përfshihet në hartën e premierës botërore të filmit “This Is it”, dokumentari mbi ditët e fundit të mbretit të popit Majkëll Xhekson. Dhe jo vetëm kaq, por premiera shqiptare e këtij filmi është në datën e premierës botërore, të mërkurën e 28 tetorit. Në këtë mënyrë të gjithë fansat shqiptarë do të shikojnë filmin në të njëjtën kohë me publikun në mbarë botën. Përveç kësaj, “Milenium” ka menduar të nxjerrë në parashitje 100 biletat e para të premierës, duke filluar nga data 10 tetor. “Michael Jackson's, this is it” është një film dokumentar-muzikor. Pjesa më e madhe e tij është realizuar duke përdorur materiale të xhiruara ditët e fundit të popstarit Majkëll Xhekson, ndërsa ishte duke përgatitur koreografitë e turneut “This is it”, që ishte programuar të fillonte në Londër nga korriku i këtij viti. Ai shihet duke u dhënë udhëzime balerinëve dhe korit ndërsa intervistat e miqve e familjarëve të tij ndërtojnë një profil të kompletuar të jetës së këngëtarit që filloi karrierën e tij në moshë mjaft të re me një grup të famlijes, për të vazhduar më tej I vetëm drejt suksesit planetar me albumet “Off the Wall” në 1979 dhe “Thriller” më 1982. Në film do të ketë edhe këngë të padëgjuara të Majkëll Xheksonit. Sony zbulon se në kolonën zanore të filmit ka pjesë të reja, mes të cilave edhe kënga që përfshihet në titull. Regjia e këtij filmi i është besuar të njohurit Kenny Ortega. Trajleri i filmit është projektuar për herë të parë më 13 shtator në MTV Video Music Awards 2009. Ndërkaq, suksesi i premierës dhe i dokumentarit duket mjaft i sigurt në mbarë botën. Sony Pictures lajmëron zyrtarisht premierën botërore të dokumentarit muzikor, më 28 tetor për fansat në mbarë botën. Vetëm në Itali, deri në datën 1 tetor janë shitur më shumë se 10 mijë bileta. Por, sigurisht që rekordi vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë prenotuar deri në gjysmë milionë bileta, ndërsa në Londër është thyer rekordi që mbante Harry Potter, duke bërë që prenotimi të arrijë deri në 30 mijë bileta. Gjithçka është ezauruar në Japoni, ku janë shitur mbi një milionë bileta e të njëjtin fat kanë pasur biletat në Sidnej e Bangkok. Kështu, arkëtimet e filmit kushtuar ditëve të fundit të “Mbretit të popit” premtojnë shifra rekord.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›