E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dështakët e politikës në “Polin e Lirisë”, mashtrim i madh dhe demagogji”

Reagon kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi

TIRANE - Kryetari i Partisë Demokristiane Anton Gurakuqi, ka reaguar dje rreth një koalicioni të deklaruar pak ditë më parë, të ashtuquajtur “Poli i Lirisë”, duke theksuar se të tre personat nismëtarë nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin dhe se deri më tani kanë bërë demagogjinë e radhës, duke pretenduar se përbëjnë një të djathtë alternative dhe të vërtetë.
“Sikurse e kishin paralajmëruar edhe me parë për krizën e identitetit dhe absurditetit të krijuar me Polin e ‘Të liruarve’, kanë parë së fundi kaosin në të cilën ndodhen protagonistët e këtij pseudo-koalicioni. Tre persona që nuk kanë asnjë lidhje me njeri- tjetrin kanë bërë deri më tani demagogjinë e radhës duke pretenduar se përbëjnë një të djathtë alternative dhe të vërtetë. Kriza që ka mbërthyer të ashtuquajturin Poli i “të liruarve, reflekton protagonizmin e kësaj demagogjie fund e krye, që po orvatet të gënjejë qytetarët, dhe që dita ditës po tregon fytyrën e saj të vërtetë”, tha Gurakuqi.
Kreu i PDK-së vuri në dukje se këta që për vite me radhë janë testuar në politikë duke marrë nga pas damkën e dështakëve, kurrsesi nuk mund të pretendojnë për një politikë ndryshe.
“PDK e kishte paralajmëruar dështimin e këtij pseudo- koalicioni, të trumbetuar se ka në mesin e saj edhe Demokristianët Shqiptare”, tha ai, duke informuar opinionin publik se Partia Demokristiane ka përkrah me mijëra demokristianë, të cilët do të jenë përkrah Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit.
Më tej, Gurakuqi u shpreh se ish-deputeti i PDK-së Nard Ndoka nuk përfaqëson asnjë votë demokristiane dhe se tentativa e tij për të luajtur me emrin e tyre nën Polin e Lirisë është një mashtrim i madh e i dënueshëm.
Ndërkohë, Gurakuqi shtoi se PDK dhe të gjithë demokristianët e vërtetë shqiptarë do të jenë në krah të Partisë Demokratike për të maksimalizuar fitoren e koalicionit të qendrës së djathtë, në 28 qershor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›