E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit e skulptorit të njohur, Sabri Tuçi, realizojnë një bust për mesuesin e tyre

Skulptori i Merituar, Sabri Tuçi, është përjetësuar në bronx 17 vjet pas vdekjes nga ish-nxënësit e tij, një pjesë e të cilëve janë bërë artistë të njohur të daltës dhe penelit. Në një nga lulishtet pranë Torrës veneciane dhe mureve mesjetare të qytetit të Durrësit paraditen e sotme u organizua ceremonia e përurimit të bustit kushtuar artistit të njohur, i cili ishte vendosur mbi një bllok guri të nxjerrë në vendlindjen e tij, Krujë. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, artistë të qytetit, intelektualë, përfaqësues të ambasadave italiane dhe rumune si dhe tre vajzat e tij: Vojsava, Ana dhe Karmelina. Monumenti u përurua  nga kryebashkiaku Vangjush Dako dhe skulptori Muntaz Dhrami. Iniciatorët e ngritjes së këtij monumenti janë ish- nxënësit e tij: Avdulla Ndreu, Bajram Likmeta, Haxhi Rama, Idriz Balani dhe Qazim Kërtusha. Më pas në ambientet e Bar Torra të pranishmit morën pjesë në çeljen e një ekzpozite, ku u prezantuan në fotografi rreth 30 punime të Skulptorit të Merituar Sabri Tuçi. 

Krijimtaria e skulptorit të persekutuar

Sabri Tuçi, Skulptor i Merituar, ka lindur në një familje tregtare në Krujë në vitin 1916, ku ka kryer arsimin e ulët dhe atë të mesëm. Më pas fitoi një bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, duke studiuar nga vitet 1939-1943. Ka mbrojtur diplomën në Romë me punimin "Djaloshi shqiptar". Pas studimeve emërohet asistent pedagog në Akademinë e Romës, ndërsa pak më vonë kthehet në Shqipëri, në Krujë, ku jeton në vitin 1946. Pas këtij viti zhvendoset në Durrës, ku edhe jetoi derisa vdiq në 19 janar 1992. Në vitin 1953 hap me iniciativën e tij studion personale, ku kishte kurse pikture dhe skulpture. Aty do të merrnin pjesë dhe do të hidhnin hapat e para personalitete të shumta të artit si skulptorët dhe piktorët Ruzhdi Rraklli, Nelo Lukaçi, Kristaq Rama, Dhimitër Harallambi, Agim Shami, Xhevdet Luli, Qazim Kërtusha, Spiro Mazhe, Idriz Balani, Ibrahim Reçi, Myrvete Dajlani, etj. Sabri Tuçi ka qenë edhe profesor i anglishtes, duke qenë ndërkohë edhe mësues tek gjimnazet 'Naim Frashëri', '16 Nëntori' dhe 'Gjergj Kastrioti'. Në krijimtarinë e tij Sabri Tuçi ka realizuar mbi 182 vepra, që janë vendosur në qytete të ndryshme të vendit, ku spikasin portreti i bashkëshortes, portreti i studentes, ai i Isuf Pukës, Kasëm Durrësit dhe Vrana Kontit. Ai ka realizuar 6 ekspozita personale, madje e fundit ka qenë në vitin 1992 pak muaj para se të vdiste. Artisti Tuçi është nderuar me medalje në Bienalen e Aleksandrisë. I persekutuar nga regjimi komunist, për shumë vite iu ndalua veprimtaria krijuese për shkak se bashkëshortja e tij italiane u burgos me nenin 55 për agjitacion e propagandë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›