Të mëdhenjtë e Evropës, të gjithë në garë për Behramin
Nga "njeriu i derbit" në objektivin e klubeve të mëdha evropiane në merkato. Valon Behrami vazhdon të jetë protagonist në Serinë A italiane: pas golit të fitores 3-2 që Lacio arriti në sfidën me Romën, për 23-vjeçarin janë rikthyer zërat e merkatos. Mesfushori, i cili refuzoi kombëtaren shqiptare për t‘u përfaqësuar me Zvicrën (kjo i lejon të cilësohet si komunitar) pëlqehet nga Sevilja. Përveç andaluzëve, interes për Behramin kanë shfaqur edhe dy klube më të mëdha në kontinent, Barcelona dhe Mançester Junajted. Lojtari është nën kontratë me bardhekaltërit deri në vitin 2010, e tashmë klubi duhet të bëjë gjithçka për ta bindur që të qëndrojë në kryeqytetin italian. Në fakt, në fillim të këtij muaji, presidenti i Lacios, Lotito, duke njohur interesimin e shumë skuadrave të huaja është takuar me menaxherin e futbollistit, Alesandro Beltrami, për të gjetur bazat e rinovimit të kontratës, por sipas raportimeve, palët janë ende shumë larg.
Burime pranë klubit lacial kanë bërë të ditur se Behrami mund të ndihet i gatshëm për një sfidë të madhe, e po mendon të shfrytëzojë klauzolën e FIFA-s, për t‘u larguar nga romanët 1 vit përpara afatit. Synimi është që të transferohet në një skuadër, e cila do t‘i ofronte të luante në futbollin e rëndësishëm, me fjalë të tjera në Ligën e Kampioneve. Përveç tre klubeve të lartpërmendura, më parë për Behramin janë interesuar edhe Valencia, Liverpul, Totenhem (tekniku Huande Ramos synonte ta afronte te Spurs gjatë merkatos së janarit, vetëm pak ditë pasi mori drejtimin e skuadrës) e Bajern Mynihut. Ndërkohë që, në vitin 2005, kur kosovari u transferua nga Hellas Verona te Lacio, ai ndiqej me vëmendje nga tre klubet më të mëdha italiane: Milan, Juventus dhe Inter. Nëse lojtari do të vendoste të mos zbatonte vitin e fundit të kontratës, skuadrat e interesuara do të paguanin vetëm 1,8 milionë euro në arkat e Lacios. Në këtë rast, gara e vërtetë do të luhej (përveç emrit dhe historikut të klubit) te përfitimet vjetore që do t‘i ofroheshin Behramit në kontratë. Gjithsesi, fjala e fundit ende nuk është thënë dhe deri në momentin e fundit menaxheri i lojtarit do tentojë të gjejë një marrëveshje të kënaqshme me drejtuesit bardhekaltër. Nëse edhe në të ardhmen nuk do të ketë marrëveshje konkrete, Lotito ka menduar që ta nxjerrë futbollistin në shitje: kartoni i kosovarit me pasaportë suedeze do të vlerësohet 20 milionë euro.
Momentalisht, 23-vjeçari është një prej futbollistëve më të kushtueshëm të kombëtares helvete, por vlera e tij reale do të përcaktohet vetëm nga paraqitjet deri në fund të sezonit dhe pas pjesëmarrjes në fazën finale të Euro 2008.
SSSASS