Igor Tomashiç, kroati që shpëtoi Seminën
Klodian Semina duhet të falënderojë një kundërshtar të tijin, kroatin Igor Tomashiç, pasi ky i fundit i ka shpëtuar jetën në ndeshjen e fundjavës. Futbollisti shqiptar i Belashicës humbi ndjenjat gjatë ndeshjes që skuadra e tij luajti kundër Levskit të Sofjes, duke alarmuar të gjithë të pranishmit në stadium. Ka qenë pikërisht kroati Tomashiç, ai që ka arritur të reagojë i pari duke shpëtuar Seminën, i cili sipas shtypit bullgar ka pësuar një atak kardiak. Në gazetën bullgare "Top Sport", është përshkruar me detaje ngjarja, e cila ka lënë në ankth të gjithë të pranishmit në stadiumin e Sofjes ku u luajt takimi.
Sipas kësaj gazete, ka qenë Tomashiç personi i parë që i është afruar Seminës në fushën e lojës, duke e ndihmuar atë edhe me frymëmarrje artificiale, pasi vuri re se futbollisti shqiptar kishte rënë në tokë pa frymëmarrje. Më pas kanë qenë stafet mjekësore të të dy skuadrave që kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke "ringjallur" lojtarin shqiptar pas një minute ankthi. Pasi lojtari është dërguar në spital dhe është konfirmuar se është jashtë rrezikut, mediat bullgare janë marrë me shkaqet e kësaj ngjarjeje që fatmirësisht nuk u shndërrua në tragjedi për futbollistin e talentuar shqiptar. Trajneri Aljosha Andonov, ka dhënë hipotezën e tij, duke deklaruar se të gjitha problemet e futbollistit shqiptar erdhën nga një krizë nervore, për shkak të opresionit të lartë me të cilin po përballohej gjatë ndeshjes në fjalë. Por dëshmitari më i qartë nga të gjithë ishte Tomashiç, i cili ka treguar reagimin e tij të shpejtë, duke konfirmuar se nuk do t‘i harronte për shumë kohë pamjet e incidentit të Seminës. "Unë pashë djaloshin që ra në tokë dhe shkova ta ndihmoja, por them se bëra atë që do të bënte çdokush në vendin tim. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, por pas asaj që ndodhi në fushë, unë kam vetëm kujtime të këqija", u shpreh futbollisti i Levskit për gazetën bullgare "Top Sport". Tani mbetet për t‘u parë se kur do të kthehet në fushë futbollisti shqiptar, rasti i të cilit është përshkruar në të gjitha mediat bullgare.
SSSASS