E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët, parulla edhe në SHBA

Në turneun e tenisit që u zhvillua në Indian Uells të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku triumfuan Novak Djokoviç dhe Ana Ivanoviç, tifozëve serbë u është konfiskuar një parullë ku shkruhej "Kosova është Serbi". Organizatorët e turneut e kanë vlerësuar mbishkrimin si "parullë politike". Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja prestigjioze "New York Times". Vetë Djokoviç, që hodhi në krahë flamurin serb kur mori trofeun, gjatë muajit të kaluar në Beograd kishte folur kundër pavarësisë së Kosovës. "Jeta ime është tenisi, jeta ime është sporti, kjo është puna ime. Nuk mendoj të përfshihem në politikë dhe kjo është gjithçka mund t‘ju them", tha Djokoviç. "Unë u deklarova në atë mënyrë se pse ndihesha keq për atë që po ndodhte në vendin tim. Njerëzit që e njohin të kaluarën time e kuptojnë se çfarë jam duke thënë: babai, halla dhe xhaxhallarët e mi janë rritur atje. Ata janë lindur në Kosovë dhe familja ka jetuar për 30 vjet atje. Kështu që në atë moment dëshiroja ta përkrahja vendin tim". Djokoviç ka refuzuar të kritikojë zyrtarët e turneut, të cilët nuk lejuan ekspozimin e transparentit. "Është e qartë se ky nuk është momenti ideal për të folur rreth kësaj çështjeje", përfundoi ai. Javën e kaluar, njëri ndër notarët më të mirë të Serbisë u pezullua nga Evropiani i Notit në Eind‘hoven, pasi u paraqit në podium me një bluzë ku shkruhej "Kosova është Serbi".

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›