E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i Gerdecit Liberal



Altin Goxhaj

Shumë njerëz habiten sot se si ka mundësi që në Gërdec kanë ndodhur gjithë këto gjëra! Shumë njerëz habiten se si fëmijët nën 16 vjeç mund të punojnë në fabrika. Shumë njerëz habiten se si fëmijët jo vetëm që punonin në fabrika, jo vetëm nuk paguheshin (sepse paratë e tyre i merrnin prindërit si shtesë rroge, por edhe sepse viheshin të punonin për transport dhe çaktivizim bombash! Ca të tjerë habiten se si predhat e ushtrisë i jepeshin një privati jashtë çdo standardi profesional dhe teknologjik ndërkohë që fabrika e shtetit rrinte e mbyllur në Poliçan. Ca të tjerë habiten se si një biznes që fare mirë mund ta bënte shteti, që i bie që edhe fitimet ti përfitonte shtetit (mijëra ton plumb, tunxh, barut, mbase edhe metale të çmuara) na i merrkërka privati. Ca të tjerë habiten se si një korporatë amerikane ishte pjesë e kësaj afere. Ca të tjerë habiten se pse nuk u paguheshin sigurimet qindra punëtorëve që rrezikonin jetën përditë. Ca të tjerë habiten se sa pak paguheshin punëtorët dhe sa shumë fitonte pronari me fuoristrada!
Vetëm pak vetë nuk habiten! Unë jam një prej tyre! Arsyeja? Sepse unë e njoh teorinë liberale të shtetit që shumë pak shqiptarë e njohin ashtu siç është! Kjo është teoria e shtetit të vogël, kjo është e djathta liberale apo neoliberale bile kjo teori ka edhe një emër tjetër krejt të kundërt me të parin: mund të quhet njëkohësisht edhe konservatore!!!
Në Gërdec ishte Shqipëria që e kemi para syve por nuk duam ta shohim. Në Gërdec po ndodhte revolucioni leberal në formën e tij më të pastër! Në atë formë që edhe nobelisti i ekonomisë Milton Fridman, guruja e liberalëve shqiptarë do të mrekullohej, pasi ai e vlerësonte lart punën e fëmijëve si promotor të rëndësishëm të zhvillimit kapitalist. Por këtë nuk na e thonë liberalët shqiptarë kur dalin në TV për të monologuar për liberalizmit sepse kanë frikë të ballafaqohen me kundërshtarët e vërtetë. Prandaj dhe zgjedhin si kundërshtarë liberalë të tjerë me bindje “të majta”.
Fridman dhe për pasojë edhe liberalët shqiptarë besojnë se shteti duhet t’ia lejë privatëve punët e veta se ata e bëjnë më mirë! Sepse privati duke synuar fitimin është më rentabël, dhe më i suksesshëm. Ashtu si në Gërdec!
Delijorgji është fytyra e vërtetë e kapitalizmit liberal. Mitrojorgji është modeli i ri i qeverisjes liberale përtej të majtës dhe të djathtës, njësoj si transporti skandaloz urban i Tiranës që fiton miliona dollarë dhe harxhon qindramijëra, dhe tashmë po ulëret për të rritur çmimet sepse është PRIVAT!!! Njësoj si gjithë privatizimi i Shqipërisë duke e çveshur shtetin pak nga pak siç thotë Prof. Fuga te Rrota e Mundimit si një “biçikletë MIFA me qira” të kohës së dikurshme. Ajo që ndodhi në Gërdec ishte vetëm një spot i marketingut të teorisë së shtetit liberal, ku korporatat, pavarësisht flamujve amerikanë, grek, qipriot apo shqiptar, nuk kanë asnjë ngjyrë përveç asaj të dollarit apo euros e ku çdo trup apo jetë njerëzore është vetëm kalkulim dividentësh mujor. Korrupsioni i shtetit i dalë sheshit është vetëm një lubrifikant i makinës derregullatore të ekonomisë liberale! Korrupsioni dhe papërgjegjshmëria qeveritare, që nga Këshilli i Ministrave e deri të Bashkia e Vorës, që nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë e deri të Këshilli Bashkiak i Vorës, që nga Drejtori më i madh i Ministrisë së Mbrojtjes e deri te roja e depos së armëve, është vetëm simptoma e makinës liberale!
Teoria Liberale, jashtë dritave të shoqërisë së spektaklit televiziv, është teoria ku shteti braktis qytetarin duke e çarmatosur nga përgjegjësitë shtetin duke e lënë thjesht "roje nate" për të na lënë ne të gjithë qytetarëve në dorë të ujqve me shkollë e pa shkollë të kapitalizmit global.
Teoria liberale gërdecare është thjesht platforma ekonomike e lënies në dorë të biznesit të të gjithë neve që nga punësimi, shkollimi, mjekimi, pensioni, transporti urban, pajisja me dokumente, bile edhe doganat, taksat dhe pa vonesë në të ardhmen shumë të afërt edhe policinë, private do ta kemi, po ashtu edhe burgjet, dhe ushtrinë. Kjo është shoqëria e hapur e liberalëve të të të dy krahëve politikë, të të gjithëve. Shumë shpejt fëmijët tanë do tu ngjanë atyre të Gërdecit. Ky është problemi i padukshëm (se s’duam ta shohim) i Gërdecit të vërtetë që quhet Shqipëria e 2009! Shumë shpejt po troket! Qytetarë! Jini vigjilent! Gërdeci i vërtetë po troket!

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›