Pengu i 22 vjeçarit
Fatos Çoçoli
22 vjeçari quhet Efraim Diveroli, është një sipërmarrës amerikan dhe ka arritur të mbajë peng një vend të tërë që quhet Shqipëri. Por si? 22 vjeçari është caktuar përfaqësues i një firme(ndoshta të babait, të kushëririt më të madh, nuk dihet qartë) që ka një kontratë me Departamentin amerikan të Mbrojtjes(pra ministrinë e Mbrojtjes së SHBA-ve) për të blerë 300 milion dollarë armatime për ushtrinë afgane. Ka marrë një prokurë nga firma e tij për të blerë 4 milion dollarë fishekë prodhim sovjetik apo kinez në Shqipëri. Kjo, pse një pjesë e mirë e armatimit të sotëm të ushtrisë afgane përbëhet nga pushkë dhe automatikë prodhime sovjetike e ndoshta edhe kineze. Ka kontaktuar me strukturën brenda ministrisë sonë të Mbrojtjes që merret me importin dhe eksportin e armatimeve dhe materialeve të tjera ushtarake, të quajtur Meico. Kjo i ka thënë se i ka këto fishekë dhe i ka dhënë një ofertë. Duke qenë se fishekët ishin të paketuar në arka të rënda metalike, transporti i të cilave kushtonte shumë, është rënë dakord mes të dyja palëve të kryhet ripaketimi i fishekëve me ambalazh të lehtë. Këtë ripaketim Efraimi ia sugjeroi Meico-s që ta kryente një firmë e një sipërmarrësi shqiptar të njohur prej tij, me shumë kontakte e biznese në Amerikë, që quhet Kosta Trebicka. Kosta nis të paketojë drejt për së drejti në Rinas në muajt e parë të vitit të kaluar fishekët që i sjell Meico. Deri këtu gjithçka shkon si në vaj. Puna ndërlikohet kur Meico kërkon të fusë si paketues një firmë tjetër. Kosta, të cilit po i ikën biznesi dhe fitimi nga dora, nxehet dhe tregon tek Efraimi atë që di dhe për të cilën më parë ka heshtur, se kishte dhe fitimin e tij të siguruar. Që Meico ia ka me të pabesë Efraimit dhe që në fakt ia shet firmës ndërmjetëse në Qipro(me emrin “Edvin”) 22 dollarë për 1 mijë fishekë, ndërsa kjo e fundit ia shet po këto fishekë Efraimit për 40 dollarë. Shkurt, Meico dhe “Edvin” ia ngopin Efraimit për 1 milion e tetëqind mijë dollarë në kontratën e fryrë për 4 milion dollarë blerje fishekësh. Efraimi nxehet dhe ai dhe vjen në Shqipëri të takojë Meico-n dhe t’i thotë të ulë çmimin. Meico i tregon paketuesin e ri(firmën e Delijorgjit) dhe se për punë të çmimit as që bëhet fjalë, pse kjo gjë qënka e madhe, janë të përfshirë edhe djali i kryeministrit shqiptar e vetë ky i fundit. Prandaj Efraimi duhet të mbyllë gojën dhe t’i përmbahet kushteve të kontratës. Efraimi i shfrehet Kostës për këtë dhe kërkon që ky i fundit t’i japë vajza për seks apo 20 mijë dollarë në xhep drejtorit të Meico-s, për ta bërë të ulë çmimin. Dhe shprehet: ”E gjitha kjo është më e fortë se unë. Djali i Kryeministrit, Kryeministri…”. Kosta e bën publike regjistrimin e kësaj bisede dhe këtu tek ne e di i madh e i vogël këtë punë të ndyrë me interesat e shtetit shqiptar që shet municionet e tij. Dhe fantazitë gëlojnë. Çfarë ka të vërtetë në tërë këtë histori është që një strukturë shtetërore(Meico) e ka çuar një blerës të huaj tek një ndërmjetës po i huaj(firma “Edvin” në Qipro) për t’ia shitur të parit(firmës së Efraimit) mallin e shtetit shqiptar(fishekët) gati dy herë më shtrenjtë. Përse? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Që diferencën prej 1 milion e 800 mijë dollarësh ta ndante në mënyrë abuzive mes “Zotit të Luftës”(pra tregtarit ndërkombëtar të armëve, pronar i ndërmjetëses, firmës “Edvin” në Qipro) dhe drejtorit të Meico-s. Prokuroria jonë ka për detyrë të zbulojë nëse në përfitimin e 900 mijë dollarëve të abuzimit(zakonisht “Zotët e Luftës” kudo në botë tregohen “të drejtë” dhe gjysmën e fitimin e ndajnë me atë që u ka mundësuar abuzimin) ka të tjerë pas drejtorit të arrestuar të Meico-s. Kaq. Pengmarrja, trazimi i një vendi të tërë duhet të marrë fund. Prokuroria duhet të zbardhë sa më shpejt të jetë e mundur këtë punë të ndyrë. Të gjejë se kush i përvetësoi këto 900 mijë dollarë. Çështja pështjellohet edhe më shumë, pse një nga gazetat më të mëdha amerikane(“New Jork Times”(Kohët e Nju Jorkut)”) botoi këto ditë një kryeartikull, e shqetësuar për prekjen e interesave të taksapaguesve amerikanë, pse fishekët e blerë në Shqipëri u rezultuan ushtarëve afganë të shkrepnin tre në pesë. Pra, rreth 40 për qind ishin mall skarco. Nëse Prokuroria jonë nuk e bën zbardhjen, atëherë shqetësimet e 22 vjeçarit amerikan do të fillojnë të kenë baza edhe për ne shqiptarët e thjeshtë, jo vetëm për opozitën e revoltuar që synon të provokojë krizë qeveritare.
1 Prill 2008