E Diel, 1 Nëntor 2026

“Njerëz të humbur” bashkon familjen Murra pas 100 vitesh

Takimi i përmallshëm në Stamboll dhe amaneti i përmbushur i Shahin Murrës

Zanafilla e kësaj historie nisi gati përpara një shekulli, në Konicë të Janinës. Rrethanat e krijuara bënë që Hysen Murra të lërë familjen dhe të zhvendoset drejt Shqipërisë. Për shumë vite, ai rezultonte i humbur për prindërit dhe vëllain e tij Shahin Murro. Fati deshi që rreth viteve ’30, Hyseni të takonte rastësisht një kushëririn e tij në Vlorë dhe ky i fundit do t’i mundësonte korrespondencën me vëllain e tij. Për herë të parë, ai do të mësonte se Shahini dhe të afërmit e tij nuk jetonin më në Konicë por në Stamboll. Shahin Murra ishte martuar me një zonjë turke të quajtur Selime dhe kishte patur tre fëmijë ku mes të cilëve dihej vetëm emri i njërit që quhej Ahmet. Viti 1939 dhe pushtimi i Shqipërisë nga ushtria fashiste do të çonte në shkëputjen e përjetshme të kontakteve mes dy vëllezërve, Shahinit në Turqi dhe Hysenit në Vlorë. Me kalimin e viteve, kurioziteti i bijve të Hysenit u kthye në një amanet nga ana e tij për të kërkuar pjesën tjetër të familjes në Stamboll. Nevruz Murra dhe djali i tij, Nadiri, ishin disa nga pjesëtarët e fisit të mbetur në Shqipëri që hodhën hapin të parët për të gjetur gjakun e tyre. Viti 2008 do të sillte përmbushjen e këtij amaneti...
Udhëtimi drejt Stambollit
Në mëngjesin e 11 marsit 2008, stafi i emisionit “Njerëz të humbur” ndërmori një udhëtim në drejtim të Turqisë. Atje pritej të zhvillohej një takim surprizë që vetëm gazetarët e dinin. Pas dy orë udhëtimi, filloi të dukej Stambolli. Ankthi i Nevruz Murrës që shoqëronte stafin u rrit akoma më shumë. Ndoshta ai mendonte se kush do ta priste apo kë do të gjente nga familja e ndarë para 100 vitesh në Stambollin e 15 milionë banorëve. Ajo çfarë dinte deri në ato momente ishte thjesht sqarimi që “Po shkojmë t’i kërkojmë...”. Bashkëpunëtori i emisionit “Njerëz të humbur” në Turqi, Kadri Limani, kishte bërë një organizim shumë të mirë. “Sonte do të jeni miqtë e mi”, - ishte shprehur ai teksa kishte përgatitur një darkë speciale shqiptare në shtëpinë e tij. Për mëse tre muaj, në bashkëpunim me gazetarët ai kishte arritur të zbulonte një mister një shekullor...
Takimi para Xhamisë Blu
Një çaj tradicional turk, në afërsi të dy xhamive të famshme të Stambollit, Aya Sofia dhe Sulltan Ahmet, e njohur ndryshe si Xhamia Blu, qe pikënisja e ditës së dytë të udhëtimit drejt Turqisë. Disa shaka miqësore e më vonë një intervistë e zhvilluar mes Aida Shtinos dhe Nevruz Murrës. Ky i fundit shprehte habinë e tij për udhëtimin dhe deri diku dyshimin se mbase diçka po përgatitej të ndodhte. Si një formë parapërgatitjeje shpirtërore kanë qenë fotografitë e xhaxhait të tij Shahin Murrës dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes, të cilat Nevruzi po i shikonte për herë të parë në jetën e tij. Ai mësoi se xhaxhai i tij kishte vdekur në moshën 99-vjeçare dhe në momentet e fundit kishte thirrur emrin e vëllait të mbetur në Shqipëri. Pas disa minutash ishte surpriza e madhe, takimi i përmallshëm pas 100 vitesh mes dy familjeve që tashmë janë ribashkuar për të qënë një. Me sy të përlotur e fytyrë të qeshur, Nevruz Murra ka arritur të thotë: “Tani ndihem si Perëndia. Amaneti i babait shkoi në vend”.
Trashëgimtaret e fundit
Rreth viteve 1936, familja Murra kishte ndryshuar mbiemrin në Dum. Kjo kishte qenë një ndër pengesat kryesore për bashkimin e këtij fisi. Shahin Murra mësohet se kishte lënë si pasardhës në Turqi tre fëmije: Ahmetin dhe dy vajzat, Fatma e Rabie. Në vitin 1998 Ahmet Murra ishte ndarë nga jeta. Të vetmet trashëgimtare ende gjallë kishin mbetur dy motrat e tij mbi 80-vjeçare, të cilat jetonin në Zongulldak. Mbi 400 km larg Stambollit, në pjesën aziatike të Turqisë, ato kishin krijuar familjet e tyre dhe jetonin me nipër e mbesa ditët e fundit të pleqërisë. Çdo orë që kalonte dukej se shkurtonte një periudhë kohore prej 10 vitesh. Emocionet ia linin vendin njëri-tjetrit në mënyrë të vazhduar. Habia dhe mallëngjimi më i madh ka qenë teksa Nevruzi ka arritur të shprehë dashurinë dhe përmallimin për kushërirat në gjuhën shqipe. Megjithëse të lindura në Turqi, dy zonjat e moshuara kishin mundur të ruanin zakonet shqiptare dhe t’i thonë kushëririt të tyre “Mirëseerdhe” në gjuhën amtare. Ato momente të papërsëritshme ishin njëlloj sikur të zbuloje parajsën, brendësinë e shpirtit e ta bëje të prekshme apo të dukshme... Shahin Murra tashmë kishte lënë prapa një familje të madhe, e cila i bashkëngjitet palës tjetër në Vlorë për të patur një identitet të përbashkët: bij të shqipes. Nuk mjaftonin fotot dhe dokumentet e pluhurosura nga koha e gjatë, por të gjithë kishin një merak të përbashkët: të shikonin varrin e Shahinit dhe të përuleshin për një moment në shenjë respekti para vendit ku prehej trupi i tij.
Të lodhur, por tejet të kënaqur, stafi i “Njerëz të humbur” ishte përgatitur tashmë për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Por përpara kësaj ishin edhe disa ndalesa të rëndësishme, të cilat i dhanë shpresë vizitës disaditore në Turqi. Vizita e gazetarëve të “Vizion Plus” nuk kishte kaluar pa u vënë re edhe nga persona të rëndësishëm në atë krahinë. Një pritje madhështore nga ana e kryetarit të bashkisë së qytetit Eregli, z. Murat Sesli, do t’i hapte rrugën një bashkëpunimi dhe miqësie mes “Njerëz të humbur” dhe komunitetit të asaj zone. Një nga momentet mbresëlënëse ishte edhe takimi me një shqiptar të hershëm në Stamboll, i mirënjohur si avokat Imer Voshtina. I lindur në Turqi dhe njohës i mbi 8 gjuhëve të huaja, ai pohonte se gjuhën e parë kishte atë të mëmës, atë që kishte arritur ta mësonte gojarisht e më vonë edhe me të shkruar. Mesazhi për të gjithë emigrantët shqiptarë jashtë atdheut nga ana e atij ishte mëse i qartë: “Të mos harroni mëmëdhenë, gjuhën dhe traditat”.
Data 16 mars 2008 do të mbyllte edhe axhendën e udhëtimit drejt Turqisë. Takime të shumta, me njerëz e dashamirës. Ajo që mbeti në mendje dhe i vuri vulën gjithë atyre emocioneve ishin disa kujtime të familjes Murra për Shahinin.
“Pothuajse përditë, Shahin Murra dilte në breg të detit e vështrimi i tij humbiste tej, në Shqipëri...Atje ku jetonte vëllai i tij, Hyseni. Me sy të përlotur e zemër të vrarë, ai kishte të vetmen dëshirë të cilën nuk rreshti së thëni derisa dha shpirt: “O Zot, më bëj zog e më jep krahë të fluturoj e të shkoj përtej, në Shqipërinë time...të përqafoj edhe një here...qoftë edhe një herë të vetme, vëllain tim...”.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›