Pavarësia e Kosovës dhe ligjet ndërkombëtare
Elvis Devole*
Shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë solemne më, 17 shkurt 2008, ishte një manifestim i shkëlqyer politik e historik i gjithë popullit kosovar dhe i liderëve të tij, për ndarjen e tij përfundimtare nga Serbia. Duke e parë këtë akt, jo vetëm në aspektin e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare por, edhe në sensin e konsolidimit të këtij procesi në të ardhmen, kjo ndarje paraqet në thelb, tre probleme kryesore:
Dilema e parë është ajo juridike, e dyta është historike dhe e treta prek këndvështrimin politik-strategjik.
Nëse konsiderojmë lojën diplomatike midis pallatit të xhamit (OKB - Këshilli i Sigurimit) dhe rajonit të Ballkanit jugor, gjatë këtyre 10 viteve të fundit, duhet të precizojmë që nga fillimi pikat ekstreme të konfrontit legal, për të rezervuar të drejtën e thellimit të analizës në një moment të dytë, në këndvështrimin historik dhe politik të këtij konflikti që në realitet, ende nuk është shuar plotësisht.
Në kundërshtim me ata që në mënyrë të sipërfaqshme e quajnë këtë, si çështje të ligjshme të likuiduar, pasi nisen nga fakti se, ajo u mbështet dhe vazhdon të mbështetet jo vetëm prej shteteve kryesore të Europës perëndimore, SHBA e Kanada (tani dhe Japonia, Koreja e Jugut), është e nevojshme të qartësojmë që nga pikëpamja ligjore ndërkombëtare, miratimi i Deklaratës së Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, konsiderohet si një akt i rëndësishëm vetëm nga këndvështrimi historik,situatë kjo që nuk është as konform e as kundër ligjeve ndërkombëtare. Nisur nga ky këndvështrim, referencat rreth aktit nuk kanë asnjë peshë juridike(në aspektin ligjor ndërkombëtar). Kushtetuta e OKB-së aktualisht në të dy pjesët e saj, lidhur me principin e Pavarësisë së popujve, ka të renditur në nenin e I-rë, paragrafi 2 dhe nenet 55 e 56, Marrëveshjen e OKB-së 1966, Deklarata e Asamblesë së Përgjithshme mbi Pavarësinë e popujve kolonialë të vitit 1960, për Marrëdhëniet miqësore midis shteteve 1970, udhëzimet e Gjykatës së Lartë Ndërkombëtare për çështjen e Namibisë 1971, pasuar me atë të Saharasë 1975, Timorit Lindor 1995. Siç konfirmohet nga doktrina e plotë, ky akt konsiderohet pavarësi e jashtme jo e brendshme. Kjo është një nga arsyet për të cilën Beogradi dhe sidomos Moska, përpiqen (natyrisht pa sukses), që me këtë çështje të merret Këshillit të Përgjithshëm të OKB-së.
Në trajtimin e çështjes së pavarësisë në sensin skematik ligjor sipas doktrinës përkatëse, ndeshim faktin ku thuhet se: “Ka të drejtë të shpallë pavarësinë dhe statusin e vet ndërkombëtar, ai popull objekt i një dominimi kolonial, racist, ose territori i të cilit është okupuar me forcë dhe jo ai që synon themelimin e një regjimi të brendshëm demokratik”. Ky pretekst edhe pse pa bazë juridike, gjente justifikim të paktën politik gjatë kohës së Titos, apo nën regjimin e Milosheviçit, në kuadrin e ish republikës federative të Jugosllavisë. Rasti konkret i Kosovës është unik, pasi nuk kemi të bëjmë me lëvizje separatiste por, me spastrim etnik sistematik, arsye kjo mëse e mjaftueshme për të kërkuar pavarësinë dhe integritetin territorial. Aktualisht në segmentin e brendshëm institucional serb, pas bombardimeve të NATO-s në 1999 dhe rezolutës 1244 të këtij viti, me ndërhyrjen e forcës ushtarake të KFOR-it, të administrimit prej afro 10 vjetësh të Kosovës nga ana e OKB-së, (UNMIK), pas shkëputjes të Malit të Zi, në koherencë me situatën e brendshme dhe atë ndërkombëtare, tema e demokracisë si klauzolë dhe argument bazë për pavarësinë dhe sovranitetin, nuk shërben si mbrojtje nga pikëpamja politike. Principi i pavarësisë nuk është joprapaveprues, që do të thotë se nuk vlen për situatat e konsoliduara para formimit të tij. Ky i fundit si koncept është formuar pas luftës së dytë botërore. Është mëse evidente që Kosova nën sovranitetin serb, nuk hyn në asnjë mënyrë në aplikimin e kësaj rregulle. Megjithatë, pavarësia gjen në principin e integritetit territorial të shteteve një tejkalim të rëndësishëm te paragrafi 7 i Deklaratës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1960, e cila thotë se: “vetëvendosja duhet të përputhet me lidhjet historiko-gjeografike të territorit, krahasuar me ato të shtetit dominues”. Interpretuar në këtë mënyrë, ky parim krijon një frenë juridike për kërkesat e ndarjes së një populli. Karta e Parisit e vitit 1990 e hartuar nga OSBE është tepër sinjifikative në tendencën e të drejtës ndërkombëtare, ndonëse nga ana e brendshme e përputhjes juridike nuk ndryshon shumë. Gjykata e Lartë e Rusisë në çështjen e Çeçenisë i interpretoi parimet e mësipërme me qëllim, ndalimin e ndarjes së njëanshme dhe shpalljen e pavarësisë saj. Të njëjtën gjë bëri edhe Gjykata e lartë e Kanadasë, kur i ndaloi pavarësinë rajonit të Kebekut. Megjithë këto një fakt duhet theksuar, që edhe pse ligjet ndërkombëtare janë të formuluara në këtë formë, një popull nëse ka forcën e mjaftueshme morale, politike dhe ushtarake, mund të ndahet nga një shtet dominues. Me fjalë të tjera, këto ligje nuk mund të parashikojnë këto lloj evenimentesh. Kjo nuk përbën shkak për mosnjohjen e tyre mbi bazën e parimit të evidentimit të ndarjes dhe lindjes së një shteti të ri. Prandaj, është e mjaftueshme që një qeveri të rezultojë e aftë në drejtimin dhe përdorimin e kompetencave të saja, mbi një komunitet lokal që kërkon të ndahet. E gjithë kjo duhet të vijë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrjen e shteteve të tjerë. Profesori Cassese në rastin e Kosovës është shprehur: “nëse demonstrohet që ky është aksion politik i pavarur i popullit kosovar, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë thyerje të përputhjes juridike ndërkombëtare”. Në këtë konteks, shtetet e tjera janë të lira ta njohin, ashtu edhe të mos e njohin shtetin e ri të pavarur e sovran. Në fund, ky është një akt politik ose më saktë, ka karakter diplomatik dhe për fat të keq jo juridik. Nga kjo pikëpamje, njohja e pavarësisë së shtetit të ri merr rëndësi historike, pasi pranohet ekzistenca e tij. Nuk është rastësi që konkluzioni i Dokumentit të Këshillit të Përgjithshëm të ministrave të jashtëm të BE-së i 18 shkurtit 2008, cili u jep liri veprimi shteteve anëtare të vendosin lirisht për njohjen e shtetit të Kosovës, në sintoni me politikat nacionale.
Një fakt i rëndësishëm është dhe ai i Rezolutës 1244, që urdhëronte ish Federatën jugosllave në fund të bombardimeve, të tërhiqte të gjitha forcat ushtarake nga territori i Kosovës dhe të lejonte administrimin e saj provizor nga ana e OKB-së. Argumenti i shteteve të BE-së dhe SHBA-së për këtë çështje, mbështeste dërgimin e një force civile dhe ushtarake e cila, do të lehtësonte procesin politik që duhej të ndiqej për arritjen e statusit. Këto përfundime u rakorduan para daljes së rezolutës 1244 e për të qenë më të përpiktë, gjatë mbledhjes së ministrave të jashtëm të G8-ës. Ky miratim justifikon juridikisht –Pavarësinë e Kosovës. Me fjalë të tjera shtetet perëndimore janë dakord që pavarësia e Kosovës është rezultat i një rruge të gjatë politike e cila karakterizon edhe “shpirtin“ e rezolutës 1244.
Pozicioni i Serbisë, Rusisë, Kinës dhe një pakice të tjerë shtetesh anëtare të BE-së (Greqia, Spanja, Qipro, Sllovakia, Rumania), tashmë njihet. Sipas tyre, nuk ekziston asnjë rezolute që autorizon ndarjen e Kosovës. Këto shtete të frikësuara nga konfliktet e brendshme (etnike apo separatiste), kujtojmë rastet e Çeçenisë, Taivanit, etj., sofistikojnë arsyetimet e njëanshme të paragrafit 10, (aty cilësohet autonomia si një mundësi e lejueshme por, jo e detyrueshme), duke shmangur qëllimisht sensin e plotë të Rezolutës 1244, e cila nënkupton zhvillimet graduale të pavarësisë.
Në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare, mbështetja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga ana e Europës dhe SHBA-së, largon gjithnjë e më tepër perëndimin nga Rusia, mbështetësja e vendosur e Serbisë. Por, tensionet me Moskën siç shprehet gjenerali i KFOR-it Jean: “....Janë të destinuara të shuhen gradualisht,pasi Rusia në fakt nuk ka shumë mundësi aksionesh. Nëse Putin e Medvedev (që janë në pritje të rrokadës së 7 majit) i ekzagjerojnë presionet me kërcënime shpaguese, SHBA dinë mirë si ti përgjigjen. Ato mund ta detyrojnë Rusinë të pranojë në mënyrë impotente zgjerimin e NATO-s edhe me Ukrainën e Gjeorgjinë (premtim i SHBA-s) në samitin e Bukureshtit në muajin prill”, shpjegon gjenerali. Veç kësaj, është e mundshme që nga ana e SHBA-së, të përdoret karta e “pezullimit të përkohshëm” të planit për zgjerimin e sistemit të sigurimit të Aleancës Euroatlantike në territorin ish sovjetik. Një veprim i tillë pa dyshim, do të “shuante zjarrin” e do të ulte tonet agresive të Rusisë, si dhe do qetësonte aleatët perëndimorë. Nga ana tjetër, autoritetet e Beogradit të ndërgjegjësuara tashmë për humbjen e Kosovës, i kanë fokusuar presionet e tyre të pashpresa, duke nxjerrë sërish në skenë propozimin e konsumuar të Samarxhiçit, për “ndarje funksionale” territoriale. Por, komuniteti ndërkombëtar me organizmat e tij (OKB, BE, NATO etj.) janë bindur plotësisht se, asnjë lloj presioni politik, diplomatik e juridik i Serbisë apo i Rusisë, nuk mund të ndalë forcën morale dhe vendosmërinë e popullit kosovar për mbrojtjen e kufijve të tij shtetëror. Kjo bindje, rrit më tepër mbështetjen dhe angazhimin e tyre për konsolidimin e institucioneve të sapolindura ndaj një shteti efektiv, sovran e të pavarur.
*Doktor në Shkencat e Politikës Ndërkombëtare
1 Prill 2008