E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deshtimi i operacionit “Valuable” per te rrezuar Enver Hoxhen



Operacioni “Valjuebël”, siç e mori emrin aksioni kundër Shqipërisë së Hoxhës, ishte një operacion i SOE-s, ose më saktë, një operacion i MI (R)-it, që pasqyronte aventurën e pasuksesshme të vitit 1941 dhe që kishte karakteristikat e një numri aventurash të Seksionit D. Fillimisht, dora drejtuese ishte ish-drejtori i SOE-s, gjeneral-majori Sër Kolin Gabëns, perceptimi i qartë dhe i veçantë i të cilit për komunizmin vetëm përforconte pozitën e tij ndaj detyrës së marrë. Në janar të 1948-s ai mbajti një leksion në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore mbi sukseset e kohës të luftës së Operacioneve Speciale. Shefi i MI16-s, Sër Stjuart Menis, me sa duket nuk ishte aspak entuziast rreth fillimit të operacionit të madh paraushtarak, por ai ra dakord si një mënyrë për t’i mbajtur të kënaqur ish-njerëzit e SOE-s që kundërmonin, ishin të neveritshëm e kishin vrull, të cilët akoma gëzonin një farë influence në rrethinat e zbulimit 26). Dega e Operacioneve Speciale që drejtohej nga Harëld Përkins dhe e përbërë nga personeli i SOE-s, që akoma ishin të fshehur brenda MI6-s, ishte themeluar pikërisht për këtë situatë, por shpejt u bë e qartë së mungonin burimet për realizimin e një operacioni kaq të madh. Duke e kuptuar se një gjë e tillë mund të realizohej kur lufta mori fund, Gabëns caktoi Xheri Holdsuorthin në një detyrë të re, që të krijonte një shoqatë me operativë të SOE-s. Shqetësimi urgjent i Gabënsit ishte që të vendoste një sistem, me anën e të cilit persona me një kualifikim të veçantë të mund të kontrolloheshin menjëherë në rast të një lufte të re, ose situate të jashtëzakonshme. Holdsuorthi, i cili kishte qenë anëtar i Seksionit D dhe në fund të luftës ndiqte operacionet në Itali dhe Ballkan nga qyteti i Barit, ndihmoi që në vitin 1947 të themelohej në Najtsbrixh Klubi i Forcave Speciale. Klubi vepronte si pikë kontakti për ish-operativët e SOE-s dhe si bazë rekrutimi për operativët e ardhshëm 27). Megjithëse zyrtarisht i dalë në pension, Gabëns mbante marrëdhënie me MI6-n dhe më 1948-n, ai dhe shokë të tjerë hynë në bisedime me Emerin me idenë për realizimin e një operacioni në Shqipëri. Emeri, që në atë kohë po bënte përpjekje të pasuksesshme për të hyrë në Parlament si kandidat konservator, u zgjodh nga Gabënsi dhe Menzisi jo për shkak të së kaluarës dhe lidhjeve të tij gjatë luftës, kishte shumë njerëz që shërbenin si ushtarakë të rregullt, sepse ai ishte i vlefshëm dhe i angazhuar 28). Në atë kohë Shqipëria po kalonte një periudhë ndryshimesh rrënjësore politike, shumë pak prej të cilave ishin të njohura prej Perëndimit. Në kundërshtim me propagandën perëndimore, marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Moskës pothuaj nuk ekzistonin dhe Stalini ishte i kënaqur që për Shqipërinë të kujdesej Titoja, i cili e trajtonte atë si një shtet klient. Nga mesi i vitit 1947 Hoxha mori takim me Stalinin, takim i cili i dha shpresë të distancohej nga Titoja, por Koçi Xoxe, personi numër dy i PKSH-së dhe ministër i Brendshëm, me zell punonte me jugosllavët. Përjashtimi i Shqipërisë nga Byroja Informative, i vetmi vend komunist që u trajtua në këtë mënyrë, u interpretua nga Ambasada Britanike në Beograd si një shenjë se Shqipëria shpejt do të aneksohej nga Titoja. Udhëheqësit komunistë shqiptarë që vizituan Beogradin përshkruheshin nga zyrtarët britanikë si të parëndësishëm ose absurdë. Kur Koçi Xoxe spastroi një numër përkrahësish të Hoxhës, u duk se federimi i Shqipërisë me Jugosllavinë dhe ndoshta edhe me Bullgarinë, nuk ishte shumë i largët. Çarja e Stalinit me Titon dhe mbështetja që Shqipëria i dha Byrosë Informative, në vitin 1948, e lejoi Hoxhën të ndryshojë rolet me Koçi Xoxen, i cili për pak sa nuk e eliminoi atë. Lajmet e papritura për përjashtimin e Jugosllavisë u pritën me festime të mëdha nga Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe Shqipëria ishte kështu në gjendje të dilte nga influenca jugosllave 29). Prishja me Beogradin e la ekonominë shqiptare në një gjendje të pasigurt dhe gjeografikisht të izoluar. Ajo ishte pa miq në Ballkan dhe nuk pati një angazhim të sigurt të sovjetikëve në mbrojtje të saj, pasi Jugosllavia prishi aleancën me të. Një ndjenjë paranoje në rritje u pasqyrua në propagandën që bëhej nëpërmjet një serie gjyqesh model me spiunë. Diplomati francez Menant raportonte për një shqetësim të përgjithshëm në vend dhe për spastrime zyrtarësh që kishin ndonjë lidhje me Jugosllavinë. Sigurimi, Shërbimi i Fshehtë Shqiptar, kontrollonte çdo aspekt të jetës së përditshme. Gjatë shtatorit Menant raportonte se në radhët e fiseve në Shalë dhe Hot, në Veri të vendit, ishte bërë kryengritje dhe aktivitet gueril të frymëzuara nga jugosllavët 30). Titoja më 1948-n pa dyshim donte të rrëzonte Hoxhën në mënyrë që të mund ta fuste Shqipërinë në federatën jugosllave. Hoxha e dinte këtë dhe dyshonte se Titoja ishte i lidhur me Britaninë, armiken tradicionale të Shqipërisë. Gjatë atij viti një shqiptar pranoi se një ish-oficer i Shërbimit të Posaçëm Ajror, SAS, Ficroni Meklein, e kishte paguar për të vrarë Hoxhën. Meklein konsiderohej në Shqipëri si një kriminel lufte nga më të kërkuarit, mbi bazën se ai kishte organizuar kalimin e Titos në Perëndim, duke ndryshuar drejtimin e tij. Reixhinëld Hebërt ka mendimin se meqë Ficroi ishte aleat i Titos, Hoxha duhet të kish ardhur në deduksionin se Britania po manipulonte Titon për të realizuar qëllimin e saj për të destabilizuar Shqipërinë. Hoxha e kishte nxjerrë përfundimin. Ai e dinte se britanikët ishin prapa tij dhe se Titoja po ndiqte një rrugë të ndryshme. Më e natyrshme se kjo ishte që ai t’i lidhte këto dy anë dhe të shikonte Ficroi Meklein si një emines gris. Ka mundësi gjithashtu, shton Hebërt, që shqiptarët ngatërronin Ficroin me Billi Meklein, i ngjashëm kaq shumë me Ficroin në shumë drejtime, i cili kishte qenë mjaft kohë në vend 31). Xhuliën Emeri filloi punën për krijimin e një grupi ekspertësh në emër të MI6-s, që e siguroi atë se në dispozicion të tij viheshin fonde të mjaftueshme. Mbas kthimit në Londër nga një vizitë që bëri në Greqi, Emeri kishte embrionin e një plani. Unë e kisha kuptuar sa pranë ishin komunistët në rrëzimin e qeverisë greke. Unë kisha bërë një farë studimi të lëvizjeve guerile nga 1939-a deri më 1945-n dhe ishte e qartë se e vetmja mënyrë për të shpartalluar atë ishte të godisnim në strehët e sigurta që ata kishin në anën tjetër të kufirit, ose duke i ndjekur këmba-këmbës, gjë që është më normale, ose duke nxituar një lëvizje guerile kundër qeverisë që furnizon strehimet.

Në numrin e radhës do të lexoni:

Planet e spiunazheve angleze dhe amerikane për të sabotuar zotërimin e Adriatikut nga Stalini

Si u munduan britanikët të shfrytëzonin opozitën e fshehur të Shqipërisë së 1948-s

Si e përshkruante gjendjen politike të Shqipërisë në “Time and Tide” spiunazhi amerikan dhe ai anglez

Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës

26. Verrier, f.67, Royal United Services Institute Journal
27. Verrier, f.62 Thw men and Woman of thw Special Operatiomn Executive
28 BBC 1, Thë cost of Treachery
29 Hibbert, f. 221
30. P ro fo 371/72117
31 MC lynn, f. 301-2
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›