E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Kufirit, 18 vjet harese nga Policia

Shqipëria i ka pasur të shenjtë kufijtë e saj. Ftesë për të kujtuar një festë të harruar

Sabri Bakiu, Meto Kondaj

Kanë kaluar rreth 18 vite nga koha kur një nga festat kombëtare të popullit shqiptar ka ngelur në harresë. Mbi të rëndonte pesha e përgjegjësisë dhe përkushtimit që kishin të rinjtë për mbrojtjen e kufijve territorialë të vendit tonë. Tashmë, ata që e ndiejnë dhe më tepër humbjen, janë dy ish-kufitarë në pension që përkujtojnë ditët kur survejonin kufijtë e vendit. Autorët e shkrimit, Sabri Baku dhe Meto Kondaj, kanë punuar për vite me radhë në forcat e Ushtrisë Shqiptare dhe ato të mbrojtjes së kufirit në të gjithë vijën kufitare territoriale të vendit. Meto Kondaj ka punuar për 20 vjet për forcat e kufirit si komandant i Batalionit të Kufirit në Sarandë, Kukës, si dhe oficer Shtabi në Drejtorinë e Kufirit në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa Sabri Bakiu i ka kushtuar dhjetë vite të karrierës së tij si komandant Poste Kufiri në Dibër, ku ka lënë pas nostalgjinë e një feste dhe ushtrisë që tashmë është harruar.

Rruga luftarake e Forcave të Kufirit ka qenë dhe do të mbetet e lavdishme, ashtu sikundër edhe kufijtë e atdheut tonë të dashur, kanë qenë, janë dhe do të mbeten përherë të shenjta. Ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, me Dekretin Nr. 48, datë 24 prill të vitit 1945, e caktoi 25 prillin e po këtij viti, si “Ditën e Forcave të Kufirit”. Datë kjo kur u organizua edhe Divizioni i Mbrojtjes së Kufirit, me detyrë luftën dhe ruajtjen e mbrojtjen e kufirit dhe asgjësimin e mbeturinave reaksionare të sistemit të kaluar. Viti 2008 është 63-vjetori i krijimit të kësaj arme të lavdishme të popullit tonë. Gjatë 45 viteve të para të çlirimit (1945-1990), kjo ditë është festuar nga mbarë populli dhe forcat e kufirit me një gëzim të veçantë, ashtu si dhe festat e tjera kombëtare për liri dhe pavarësi. Mbas viteve 1990, kjo ditë padrejtësisht nuk është përkujtuar më, duke mohuar atë sakrificë të popullit tonë dhe bijve të tij, për ruajtjen dhe mbrojtjen të paprekura të kufijve kombëtar. Në këtë 63-vjetor të lavdishëm të forcave të kufirit, mijëra ish-kufitarë dhe bashkë me ta gjithë banorët atdhetarë të zonave kufitare, kujtojnë dhe ndihen krenarë për ngjarjet heroike që lidhen me ruajtjen e kufirit dhe integritetit tokësor dhe ujor të territorit të vendit tonë. Të gjitha këto janë fragmente heroike që i shtohen librit të madh të lavdisë së popullit tonë, e cila nuk ka për t’u mohuar kurrë. Territori i Republikës së Shqipërisë është i përbërë nga një sipërfaqe territoriale prej 28 748 km katrorë, ka një kufi me gjatësi që shtrihet prej 1094 km: vijë kufitare prej të cilëve kufi tokësor ka 657 km, kufi detar ka 316 km, lumor 48 km dhe liqenor 73 km. Në tërë këtë vijë kufitare për gjithë periudhën e pasçlirimit e deri më 1990-n, forcat e kufirit, në bashkëpunim me banorët e zonave kufitare, forcat e tjera ushtarake, të Sigurimit, policisë, të ndjekjes etj., e kanë ruajtur dhe mbrojtur me gjak dhe sakrifica gjithë pjesën territoriale të vendit, duke konsoliduar paprekshmërinë dhe sovranitetin kombëtar të Shqipërisë së lirë demokratike. Veprimet ushtarake për mbrojtjen e kufirit filluan që pak para çlirimit të Shqipërisë nga forcat partizane, së pari në zonat jugore detare të çliruara nga pushtuesit e huaj. Kështu që, më 10 tetor 1944, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare e Shqipërisë urdhëroi Divizionin III Sulmues partizan që me forcat e saj kryesore të mbronte kufirin tokësor. Ndërsa Brigada XIX Sulmuese u vendos në krahinat e Konispolit në Sarandë, kurse Brigada XII në kufirin bregdetar Himarë-Vlorë. Këto forca patën detyrë ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit dhe moslejimin e veprimtarive armiqësore e pushtuese nga ana e monarko-fashistëve grekë dhe ata anglo-amerikanë. Në historinë e popullit tonë, vetëm pas çlirimit mori formë të organizuar ruajtja dhe mbrojtja e kufirit, me forca dhe mjete të posaçme dhe në mënyrë ligjore. Për këtë qëllim u krijuan batalionet e para speciale në varësi të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit me komandantin e paharrueshëm, Gjeli Argjiri. Këto reparte speciale u angazhuan në Jug të vendit dhe shumë pak nënreparte kufitare (kompani) në Veri, në kufi me ish-RFJ për shkak të marrëdhënieve më të qeta të asaj kohe me këtë shtet. Pas prishjes së marrëdhënieve me shtetin jugosllav, në vitet 1948-1990, u krijua Drejtoria e Kufirit dhe sektorët e kufirit, respektivisht N1 e N2, me qendër në Korçë e Sarandë. Më pas këto u emërtuan si “Brigada Kufitare”, si dhe batalione kufitare në veri dhe verilindje të vendit, si në Librazhd, Peshkopi, Kukës, Tropojë e Shkodër. Po kështu dhe në kufirin bregdetar Shëngjin, Durrës, Vlorë dhe Himarë u dislokuan batalione kufitare me struktura e organe të posaçme. Në kohën e regjimit të Zogut nuk kanë ekzistuar forca të veçanta me përjashtim të disa postave financiare e doganore dhe shumë pak posta xhandarmërie që kryenin detyrat e kontrolli doganor dhe të ndalimit të kontrabandës në pika të caktuara të terrenit kufitar, si ajo e Sarandës, Kakavijës, Kapshticës, Morinës apo Hanit të Hotit, si dhe ato bregdetare, Durrës e Vlorë. Me pushtimin fashist, edhe ato pak posta financiare-doganore u tretën përfundimisht. Pra periudha pas çlirimit do të quhet fillimi i ruajtjes dhe i mbrojtjes së kufirit me forcat speciale kufitare. Fillimet e punës dhe të veprimtarisë luftarake të forcave kufitare qenë vërtetë të vështira. Pajisja me armatim në atë kohë, ishte vetëm ai që iu rrëmbye fashistëve, kryesisht armë të lehta të çdo lloji. Postat kufitare e komandat e reparteve u vendosën nëpër kasolle e shtëpi të boshatisura të fshatrave buzë kufirit. Këto ndërtesa ishin ndërtuar nga partizanët dhe më pas nga kufitarët me mjete rrethanore. Ndërsa shumë të tjerë u strehuan në stane apo shpella që ndodheshin pranë kufirit. Periudha e pasçlirimit për krijimin e mbrojtjes së kufirit pati shumë vështirësi të drejtimit strukturor, profesionalizmit dhe mjaft mangësi materiale dhe dokumentare. Po kështu, nuk disponoheshin as rregullore dhe as instruksione për mënyrën e kryerjes së punës. Njohuritë profesionale mungonin tërësisht në radhët e kuadrove të emëruar në detyrë. Sigurimi i ndërlidhjes mes patrullave, nënreparteve, komandës eprore dhe postave ishte tejet i vështirë dhe realizohej vetëm me mënyra e mjete rrethanore. Furnizimi materialo-teknik bëhej vetëm me kafshë, sepse dihej që mjetet e transportit mungonin, por dhe infrastruktura ishte në gjendje të mjeruar. Mbështetja kryesore ishin banorët e zonave, që kryenin detyrën e lajmëtarit dhe të korrierit. Shërbimi i mirëfilltë nga parullat e postave kufitare me njësitet e pikave të vrojtimit u arrit nga fundi i vitit 1945. Me krijimin e Drejtorisë së Kufirit në vitin 1949, si organ i vetëm komandues e drejtues i këtyre forcave, u hodhën hapa seriozë për modernizimin e forcave kufitare, si në strukturë, organikë, armatim, veshmbathje etj. Nga viti në vit u përgatitën kuadro për kufirin, jo me kurse disa mujore, por me shkollë kufiri dy-trevjeçare. Gjithashtu u dërgua dhe u përgatitën shumë kuadro për studime në shkolla e akademi brenda dhe jashtë vendit. Me kontingjentin kufitar bëheshin përgatitje profesionale dy-tre mujore, kurse komandantët e skuadrave përgatiteshin tre deri në gjashtë muaj në shkolla instruksioni. Forcat e kufirit u pajisën me teknikë, mjete dhe armatim më të sofistikuar, gjë që rriti dhe efektivitetin në detyrë. Forcat e kufirit përherë e më shumë e përligjën besimin dhe respektin që kishte populli për ta. “I gjithë populli ushtar” nuk ishte më një fasadë, por realitet. Kryesorja e këtij shërbimi ishte krenari për cilindo që thirrej në detyrë. Vijën e dytë të mbrojtjes së kufirit e mbulonin banorë të organizuar në grupe vullnetare, të cilët pranë veglave të punës mbanin dhe armën. Të rinjtë dhe të rejat në këto zona vigjilonin vullnetarisht për mbrojtjen e vendit. Në këtë mënyrë u rrit përgjegjësia dhe fryma patriotike tek të gjithë shtetasit shqiptarë. Gjatë viteve 1945-1990, forcat e kufirit kanë përballuar dhe zmbrapsur mbi 6 mijë provokacione tokësore dhe mbi 900 provokacione në det. Provokimet më luftarake njihen ato të 2 gushtit të vitit 1949-1950, në Korçë, Gjirokastër e Sarandë. Gjatë kësaj kohe u kapën me mijëra shkelës të kufirit që vinin nga jashtë për qëllime kriminale, agjenture, diversioniste që vinin të drejtuara nga zbulimet anglo-amerikane, greke dhe Jugosllave. Po ashtu, mijëra të tjera, që tentuan të shkelnin kufirin në mënyrë të jashtëligjshme. Mbi dyqind kufitarë kanë dhënë jetën në përpjekje me bandat kriminale. Mjaft të tjerë kanë dhënë jetën në krye të detyrës për shkak të kushteve të vështira atmosferike, nga bora, ngricat dhe të ftohtët e madh. Kushdo që ka shërbyer në kufi ndien dhimbje kur shikon se si kufijtë e atdheut tonë, për të cilin ata luftuan me sakrificë, kalojnë lehtë shkelës ordinerë, që shfrytëzojnë kufirin për kalimin e drogës, prostitucionit apo fenomeneve të tjera të kohëve të fundit. Aq më keq kur dëgjon që këto fenomene përkrahen nga kuadro të strukturave të Rendit, kundrejt përfitimit monetar. Procesi i integrimit në NATO dhe në gjirin e familjes europiane BE, nuk do të thotë liberalizimi i mbrojtjes apo kalimit të kufirit shtetëror. Përkundrazi, ai proces ka kusht forcimin e pandërprerë të kufijve shtetërorë, që ata të mos shfrytëzohen nga askush për qëllime politike apo qëllime kontrabande. Dita e festës së Forcave të Kufirit, 25 Prilli, le të shërbejë si një rast i madh për të lëshuar mesazhin e urimit për të gjithë bijtë e nderuar të popullit, oficerët kufitarë apo policët kufitarë të sotëm për mbrojtjen e vijës së kufirit nga të gjitha shkeljet.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›