Shkupi, kundër përfshirjes së Serbisë në çështjen e demarkacionit me Kosovën
Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ka hedhur poshtë kërkesën e Serbisë që të përfshihet në bisedimet për demarkacionin e kufirit Maqedoni-Kosovë. Ky qëndrim, siç kanë bërë të ditur mediat maqedonase, i është transmetuar ambasadorit serb në Shkup, qysh para 20 ditësh. Autoritetet e ministrisë së jashtme maqedonase kanë bërë të ditur se demarkacioni i kufirit është duke u zhvilluar sipas planit të Marti Ahtisarit ku në mënyrë të vendosur thuhet se “Maqedonia ka të drejtë legjitime që të përcaktojë kufijtë me fqinjët e saj. Reagimi i Ministrisë maqedonase vjen pas shkrimeve në media se presidenti serb Boris Tadiç dhe ambasadori rus në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vitali Çurkin, në mbledhjen e mbyllur të Këshillit të Sigurimit janë shprehur kundër fillimit të demarkacionit të kufirit Kosovë-Maqedoni dhe kanë thënë se ai nuk mund të kryhet pa përfshirjen e Serbisë në atë proces. Maqedonia nuk ka pranuar pavarësinë e Kosovës edhe pse nga shteti i ri ka kërkuar që Shkupi zyrtar të njihte pavarësinë. Arsyeja e këtij hezitimi mendohet të jetë çështja e demarkacionit të kufirit ndërmjet këtyre dy vendeve e cila është vendosur të zgjidhet sipas planit Ahtisari. Ndërkohë, gjendja e sigurisë në kufirin Kosovë–Maqedoni është e qetë dhe e sigurt. Kështu ka deklaruar gjatë ditës së djeshme komandanti i Brigadës shumëkombëshe të lindjes, gjenerali amerikan Xhon Davoren lidhur me lajmet e fundit të mediave të ndryshme, të cilat kanë lajmëruar për një tensionim të situatës. Sipas tij, pjesëtarët e brigadës nuk kanë vërejtur persona të armatosur përgjatë këtij kufiri. “Nuk kemi parë persona të armatosur përgjatë kufirit Kosovë-Maqedoni, ashtu siç është raportuar në disa media gjatë këtyre ditëve. Ne vazhdojmë të operojmë dhe të vërtetojmë a ka persona të armatosur në atë zonë ashtu siç janë paraqitur në media”,-u shpreh Davoren. Lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë Davoren tha se për këtë çështje aktualisht janë duke punuar qeveritë e këtyre dy vendeve, ndërsa detyra e KFOR-it në këtë vend është të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt.
25 Prill 2008