E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: “Sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar dhe likuid”



Në fjalën e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, vuri në dukje se bazat e ekonomisë shqiptare vazhdojnë të jenë të qëndrueshme dhe sistemi bankar në Shqipëri vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe likuid. Megjithatë, shtoi ai, “zhvillimet e fundit në tregun global diktojnë nevojën për një kujdes më të madh në zhvillimin e ekuilibruar të veprimtarisë bankare. Shumë i rëndësishëm mbetet fakti që ekonomia jonë duhet të ruajë dhe të zhvillojë më tej faktorët që mbështesin rritjen ekonomike të vendit dhe stabilitetin makroekonomik të tij. Vetëm një ekonomi e qëndrueshme krijon bazat e shëndosha për një aktivitet financiar efektiv dhe dobiprurës. Për këtë qëllim, thellimi i reformave strukturore mbetet një element thelbësor për çdo vend të rajonit”.

Reagojnë specialistët e ekonomisë mbi krizën

Shkëlqim Cani: “Pas një viti kriza ekonomike mbërrin në Shqipëri”

“Pas një viti edhe Shqipëria mund të preket nga kriza financiare botërore që sot po kulmon në SHBA”. Kështu është shprehur dje për mediat ish-guvernatori i Bakës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i cili gjykon se përsa kohë që jetojmë në një ekonomi globale, “vendi ynë nuk është i izoluar nga pasojat e krizës që ka përfshirë tashmë shtete të fuqishme në botë”. Sipas tij, “edhe pse sot nuk ka asnjë rrezik dhe sistemi bankar është i sigurt, shteti shqiptar duhet të jetë gati dhe të marrë masa”. Në një kohë kur diskutohet edhe largimi i FMN-së nga vendi ynë, ish-guvernatori Cani thekson se “pikërisht ky mision i specializuar në fushën e krizave ekonomike do të ishte i rëndësishëm për vendin tonë, sidomos në këtë periudhë”.

Artan Hoxha: “Bankat shqiptare duhet të mësojnë nga kriza Amerikane”

“Ne duhet të mësojmë nga shkaqet e krizës së ekonomisë së SHBA-ve për të mos pësuar në të ardhmen një krizë të tillë”. Kështu është shprehur Artan Hoxha, presidenti i Institutit të Studimeve Bashkëkohore në një intervistë për mediat. Përsa i përket prekjes së Shqipërisë nga kriza, Hoxha u shpreh se “kjo krizë edhe mund të na prekë, megjithëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, siç mund të ndodhë me vendet e tjera, ekonomia e të cilave është e lidhur ngushtë me atë amerikane”. Përsa i përket SHBA-ve, ai u shpreh se “ekonomia amerikane nuk po bën ligjin në ekonominë globale, siç ka qenë disa dekada më parë, kjo pasi edhe dollari nuk është në një nivel të tillë". Por, sipas Hoxhës, “nuk është se SHBA-të preken për herë të parë nga një krizë e tillë. Rrjedhimisht edhe pas kësaj krize ekonomia e SHBA-ve pritet ta marrë shpjet veten dhe të jetë akoma kjo fuqi që është në ekonominë globale”.

Vilma Geka: “Ekonomia vendase do t’i ndjejë ndikimet indirekte të krizës”

“Turbullirat në tregjet financiare ndërkombëtare do të shfaqin ndikimet në mënyrë jo të drejtpërdrejtë në sistemin bankar shqiptar dhe ekonomia reale do të preket indirekt nga kjo situatë që po kalojnë financat globale”. Kështu e vlerëson situatën ekspertja e Menaxhim-biznesit, Vilma Geka, sipas së cilës “kriza do të shfaqet në vendin tonë në frenimin e investimeve të huaja direkte”. Sipas saj, “kompanitë që kanë shfaqur interes për tregun shqiptar mund të korrigjojnë planet e tyre të investimeve për shkak të pasigurisë”. Ajo shton se, “duke qenë se ekonomia vendase bazohet në tregti, importet e larta mund të sjellin lehtësisht ndryshimet e çmimeve dhe vështirësinë në furnizimin me mallra. Gjithashtu, ekonomia vendase do të përballet me norma më të larta interesi, për shkak se, interesat e huave, euros dhe dollarit po rriten përditë nga mungesa e këtyre valutave në tregjet amerikane dhe europiane”.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›