Dështojnë kërkimet për 17-vjeçarin e mbytur
PERMET - Nuk është gjetur trupi i pajetë i 17-vjeçarit Kristo Gjoka i mbytur tri ditë më parë në rrjedhën e lumit Zagoria. Ndonëse kërkimet kanë filluar menjëherë pas mbytjes së tij nga policia dhe nga banorët e fshatit Peshtan, nuk janë konstatuar gjurmë nga i zhdukuri. Ditën e djeshme kërkimet janë intensifikuar, pasi në ndihmë të forcave të Policisë së Komisariatit Tepelenë dhe të banorëve ka ardhur një grup polumbarësh të repartit special “Renea”. Rreth orës 09:00, tre polumbarë kanë filluar kërkimet në lumin që vjen nga Komuna Zagorie, kalon poshtë fshatit Peshtan dhe bashkohet me Vjosën duke vazhduar në vendin e quajtur “Monike”, në zonën ku ka rënë në lumë viktima. Për gati tre orë polumbarët kanë kërkuar gjatë gjithë gjatësisë së lumit Zagorie, rreth 1.5 kilometra, duke luftuar me rrymën e fortë të lumit, i cili në mjaft raste përcillte drurë dhe gurë të madhësive të ndryshme duke vështirësuar kësisoj punën e polumbarëve. Krahas polumbarëve në të dyja anët e lumit, shumë forca të policisë si dhe banorë të fshatit kanë vijuar kërkimet. Rreth orës 15:00, kërkimet nga ana e polumbarëve janë ndërprerë për shkak të tejlodhjes së tyre, pasi lumi ishte shumë i vështirë. Zëdhënësi i Policisë së Qarkut, Gentijan Mullai pohoi se kërkimet për gjetjen e trupit të 17-vjeçarit do të vazhdojnë ditën e sotme. p.n