E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, peng një javë për 50 mijë lekë



SARANDE - Një 42-vjeçar nga Skrapari, banor i qytetit të Sarandës, është rrëmbyer dhe mbajtur peng për një javë rresht në një banesë mbi portin detar të qytetit, duke u keqtrajtuar, lënë pa ushqim e duke iu djegur trupi me cigare. Policia e cilëson Leon Shoshajn, 21-vjeç, autorin e krimit, si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërkohë që ndaj tij është prerë fletë-arresti, nën akuzën e rëndë, “heqje e paligjshme e lirisë së tjetrit në rrethana rënduese”. Sipas burimeve policore, ngjarja e ka zanafillën në një borxh prej 50 mijë lekësh, në shumë të vogël parash, që shtetasi Bashkim Hajdaraj, 42-vjeç i kishte shtetasit Leon Shoshaj, 21-vjeç, banor i lagjes nr.4 në Sarandë. Ky i fundit, e ka rrëmbyer shtetasin Bashkim Hajdaraj dhe për një javë rresht e ka mbajtur të izoluar në banesë, duke e keqtrajtuar, djegur trupin me cigare e madje duke e lënë edhe pa ushqim. Pas një jave e ka liruar atë, ndërkohë që Hajdaraj është drejtuar për në Komisariatin e Policisë Sarandë duke bërë denoncimin. Sipas burimeve policore, gjendja e viktimës ishte tepër e rëndë edhe nga ana psikologjike. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›