Dështon Kuvendi i Avokatëve
Në punimet e kuvendit zgjedhor të Odës së Avokatëve të Kosovës mori pjesë edhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe shumë përfaqësues të sistemit gjyqësor. Jahjaga në fjalën e saj përshëndetëse, ka thënë se avokatët me profesionin e tyre kanë përgjegjësi të mbrojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës.
Ajo me këtë rast nuk la pa e përmendur edhe Raportin e Progresit, duke thënë se gjetjet në këtë raport ndihmojnë Kosovën të përqendrohet në fushat ku ka ngecur, në veçanti reformimin e sistemit gjyqësor.
“Raportin e Progresit të cilin sapo e kemi marrë nga Komisioni Evropian duhet ta shohim si një dokument real. Me gjetjet e tij na ndihmon të përqendrohemi në fushat në të cilat kemi ngecur. Reformimi i pamjaftueshëm i sistemit gjyqësor përpos që zbeh arritjen e qëllimeve tona strategjike të integrimit euroatlantik frenon zhvillimin demokratik të shoqërisë sonë, andaj sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet kryesor i të gjitha institucioneve të Kosovës, krijimi i një sistemi efikas dhe transparent i drejtësisë në shërbim të qytetarëve është elementi më i rëndësishëm i realizimit të këtij qëllimi”, ka thënë Jahjaga.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, foli për rolin e Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila sipas tij mundohet të nxisë një qasje të trajtimit të barabartë të të gjithë njerëzve.
“Rolin themelor, të cilin Oda e Avokatëve e ka në funksionimin e sistemit ligjor, ia parashtron asaj një nga qëllimet kryesore të misionit ,që të nxitë një qasje sa më të plotë dhe të barabartë të përfaqësimit ligjor për të gjithë, pa marrë parasysh kushtet ekonomike dhe sociale. Në këtë përkrahje do të përfshihen pakicat gratë dhe personat me të meta” ,është shprehur ai.
Ndërkaq kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, ka thënë se reforma e avokatisë ndikon në gjithë sistemin e drejtësisë në vend.
“Edhe reforma e avokatisë është një pjesë prej reformave që ndikon në sistemin e tërësishëm të drejtësisë së Kosovës. Hapat e parë janë inkurajues dhe ne shpresojmë që vetëm së bashku të gjitha resorët që e përfshijnë sistemin e drejtësisë do të kemi sukses ngase në të kundërtën mendoj që reforma nuk do të ketë suksesin e arritur”, ka thënë ai.
Por jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte paraparë në këtë kuvend zgjedhor. Nga 625 avokatë sa numëron Oda e Avokatëve në gjirin e saj, në sallë ishin të pranishëm vetëm 244 gjë që nuk e plotësoi kuorumin e nevojshëm prej 327 anëtarëve për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të kësaj ode.
“Seancën e kuvendit, neni i gjashtë i rregullores së punës së kuvendit e hap dhe e drejton kryetari i odës ose zëvendësi i tij në kohën e caktuar të thirrjes së kuvendit pasi që kryetari, përkatësisht zëvendësi, të hapë mbledhjen e kuvendit dhe të ketë konstatuar se mund të marrë konkluzion të përgjithshëm ,propozon zgjedhjen e kryesisë së punës e unë me keqardhje po ju them që nuk ekzistojnë kushtet për marrje të vendimeve të rëndësishme për arsye se mungon kuromi”, ka thënë kryetari i OAK, Musa Dragusha.
Për shkak të mungesës së kuorumit u vendos që mbledhja e radhës e këtij kuvendi të thirret për datën 29 tetor, ku pritet zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të rinj në bazë të statutit.