E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon Polonia, Ari Han mund të largohet

Ka dështuar miqësorja me Poloninë. Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, kanë konfirmuar se homologët e tyre polakë nëpërmjet një faksi u kanë komunikuar se po kërkojnë një tjetër kundërshtar.

Jetmir Halilaj

 “Menjëherë pasi statuti i FSHF-së u firmos nga ministri, ne u dërguam një letër drejtuesve të futbollit polak dhe iu bëmë të qartë pozicionin tonë, pra i vumë në dijeni se, Shqipëria është drejt rikthimit në FIFA dhe UEFA, por ata nuk e kanë marrë parasysh këtë dhe na bënë të qartë se po kërkojnë një kundërshtar tjetër”, tha përfaqësuesi i zyrës për shtyp në FSHF, Lysjen Nurishmi. Federata Polake i kishte vënë një ultimatum FSHF-së se, nëse Shqipëria nuk do të rikthehej në FIFA brenda datës 20 prill, miqësorja e planifikuar për në 27 maj do të anulohej. Kjo është miqësorja e tretë që i anulohet Kombëtares shqiptare për shkak të pezullimit nga FIFA. Në muajin mars, kuqezinjtë nuk mundën të luanin kundër Arabisë Saudite dhe Moldavisë. Trajneri Ari Han kërkon me çdo kusht që në fund të muajit maj përfaqësuesja të zhvillojë dy ose tre ndeshje miqësore, me qëllim që ai të provojë lojtarët në kuadër të parapërgatitjeve për edicionin e ardhshëm të eliminatoreve të Botërorit 2010. Tani që u anulua edhe miqësorja me Poloninë, ka shumë gjasa që trajneri i Kombëtares shqiptare të kërkojë largimin nga stoli kuqezi për shkak se deri në këtë moment, ai nuk ka drejtuar asnjë ndeshje të skuadrës shqiptare dhe nëse situata vazhdon të mbetet e tillë, ai do të detyrohej ta niste edicionin pa bërë asnjë provë. Tani Federata Shqiptare po tenton të arrijë një akord me Federatën Turke, për një miqësore më 23 maj. Numri 2 i Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Bici, ka thënë se statuti është firmosur, por për shkak të procedurave që ndiqen në gjykatë (hedhja e shortit të gjyqtarit që do të bëjë regjistrimin e statutit), gjendja mund të zgjasë edhe një javë tjetër. Sekretari i përgjithshëm i Federatës pohoi se, kjo mund të sfumojë përfundimisht shpresat për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Poloninë në muajin maj. “Pas skadimit të afatit që ata vunë, nuk ka pasur asnjë reagim dhe për të qenë të sinqertë ne ishim të shqetësuar, por nuk kishim asgjë në dorë, pasi heqja e pezullimit nuk varej nga ne” ka thënë Bici për “Panorama”.

Takimi duhej të luhej në Gjermani
Ishte planifikuar që më 27 maj të zhvillohej një ndeshje miqësore mes Polonisë dhe Shqipërisë në Reutlinger të Gjermanisë, por ajo është drejt dështimit për shkak se Shqipëria vazhdon të jetë e pezulluar. Ndërkaq polakët, të cilët duan të jenë të sigurt se do të luajnë një ndeshje miqësore në këtë datë, pasi janë finalistë në Euro 2008, kanë filluar të kërkojnë një kundërshtar tjetër.

Eksperienca kuqezi e trajnerit
Ari Han deri tani nuk ka drejtuar asnjë ndeshje të Shqipërisë, për shkak se dy miqësoret e planifikuara në muajin mars kundër Arabisë Saudite dhe kundër Moldavisë u anuluan për shkak se Shqipëria është e pezulluar nga FIFA. Herën e fundit që tekniku ishte në Shqipëri la të kuptohej se nëse do të anulohej edhe ndeshja me Poloninë në maj, ai mund të largohej nga Shqipëria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›