E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët e rrugëve, gjoba e 19 vjet burg

Përgjimet e bisedave telefonike mes të akuzuarve të dosjes “Duar të pastra”, do t’u kushtojnë atyre 19 vjet burg.

Fatos Mahmutaj

Kjo ishte pretenca e Prokurorisë së Tiranës, e cila kërkoi deklarimin e tyre fajtorë për abuzimet me detyrën. Sipas organit të akuzës, shtatë të pandehurve të këtij procesi u janë përgjuar telefonat për disa muaj me radhë, ndërsa ata komunikonin me njëri-tjetrin në lidhje me paracaktimin e firmave fituese të tenderëve të disa rrugëve në verë të vitit të kaluar. Organi i akuzës pohoi gjatë konkluzioneve, që dy prej të pandehurve gjatë bisedave telefonike të pak ditëve para se të binin në pranga, ata kanë përmendur në bisedat telefonike të zhvilluara mes tyre faktin se po përgjoheshin, ngaqë kishin vënë re praninë e shtuar të mjeteve të policisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pas kësaj ata kanë pohuar se duhet të kishin kujdes dhe të tregoheshin pak më të kamufluar në veprimet që kryenin. Dy prokurorët e çështjes, Ardian Braho dhe Julian Xhengo, paraqitën para gjykatës kërkesën për dënimin e 7 ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për marrje ryshfetesh në tenderët e rrugëve. Në seancën e djeshme gjyqësore ndaj zëvendësministrit të Transporteve, Nikolin Jaka, ish-kreut të Rrugëve, Ilirjan Berzani dhe 4 të pandehurve të tjerë, mes të cilëve dy biznesmenë, përfaqësuesit e akuzës pohuan se duhet të shpallen fajtorë dhe një pjesë e tyre të dënohen me burg dhe gjobë. Prokurorët i kërkuan gjykatës që ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, të shpallet fajtor për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” dhe të dënohet me 3 vjet burg e gjobë 2 milionë lekë të reja, si dhe t’i hiqet e drejta për ushtrimin e funksioneve shtetërore për një periudhë 5-vjeçare. Për ish-drejtorin e Rrugëve, Ilirjan Berzani, u kërkuan 6 vjet burg si dhe 4 milionë lekë gjobë, nën akuzat “shpërdorim i detyrës në bashkëpunim” dhe “korrupsion pasiv”. Për Arjan Shetin, drejtor i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Rrugëve, Prokuroria kërkoi 2 vjet burg e 600 mijë lekë gjobë nën akuzat e “shkeljes së barazisë në tenderë” dhe “korrupsion aktiv”; për Bashkim Kamberin, drejtor i Prokurimeve në Drejtorinë e Rrugëve u kërkuan 21 muaj burg për “shpërdorim detyre”; ndërsa për Xhevahir Muçogllavën, drejtor i Koordinimit te Rrugët, u kërkuan 2 vjet burg për “shkelje të barazisë në tenderë”. Prokuroria nuk ka kursyer as dy biznesmenët që kërkuan favore për tenderët e rrugëve. Kështu, Isuf Ukperaj e Skënder Bokçiu, sipas fjalës së akuzës janë fajtorë për “korrupsion aktiv” dhe duhet të dënohen me nga 2 vjet burg secili dhe nga 1 milion lekë gjobë. Në këto masa dënimi, Prokuroria pati parasysh faktin se ndaj të pandehurve është aplikuar gjykimi i shkurtuar, si pasojë e të cilit ata përfitojnë ulje të një të tretës së masës së dënimit. Pas dy javësh pritet që avokatët dhe vetë të pandehurit të paraqesin konkluzionet e mbrojtjes dhe pas kësaj gjykata të shpallë vendimin.

Pretenca

Nikolin Jaka
3 vjet dhe 2 milionë lekë gjobë
Ilir Berzani
6 vjet burg dhe 4 milionë lekë gjobë
Arjan Sheti
2 vjet burg dhe 600 mijë lekë gjobë
Xhevahir Muçogllava,
2 vjet burg
Bashkim Kamberi
21 muaj burg
Skënder Bokçiu
2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë
Isuf Ukperaj
2 vjet dhe 2 milionë gjobë

Prokuroria: Zyrtarët paracaktuan fituesit

TIRANE – Shtatë të akuzuarit për abuzime me tenderët e rrugëve, sipas Prokurorisë, kanë paracaktuar në verë të vitit të kaluar fituesit për ndërtimin e disa rrugëve, vlera e të cilave ishte e konsiderueshme. Sipas Prokurorisë, gjatë një takimi që ka pasur Ilirjan Berzani me disa përfaqësues të shoqërive të ndërtimit në zyrat e shoqërisë “Triss Ndërtim”, në fund të korrikut të vitit të kaluar kanë paracaktuar firmat që do fitonin tenderin e rrugës paralele me autostradën Tiranë – Vorë; rrugën Himarë e Vjetër – Kthesa e Pilurit dhe Has – Qafë Prush. Pikërisht për rrugën Has – Qafë Prushi u arrestuan 7 të akuzuarit, pasi tentuan të nxirrnin fitues bashkimin e tri firmave “Arifaj”, “Vllazëria” dhe “Albavia”. Në fakt, sipas Prokurorisë, nga nëntë ofertat e paraqitura këta ndodheshin në vendin e pestë, pastaj duke bërë korrigjime të paligjshme mbërritën në vendin e tretë, ndërsa duke ofruar ryshfet Ilirjan Berzanit, këta tentuan vendin e parë. Prokuroria pohon se ish-zëvendësministri Jaka kishte kërkuar 10% të vlerës së tenderit për të ndërhyrë te Berzani, ndërsa pohohet se një shumë parash është paguar më datë 10 gusht 2007.                                        f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›