E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon dialogu qeveri-pedagogë

25/11/2004  Ligji për zhvillimin e grevave

Etapat e grevës janë:

Grevë paralajmëruese 1 orëshe. I dërgohet peticion organeve kompetente

Pas tri javëve, nëse s’ka reagim nga institucionet, nis greva paralajmëruese 1 ditore

Pas dy javëve, nëse s’ka zgjidhje, nis greva triditore

Nis grevë njëjavore

Më pas grevë pa afat

Negociatat për ngritjen e një komisioni ndërministror ngrijnë, debatet ngecin tek autonomia dhe pagat

Dështon dialogu qeveri-pedagogë

Rektori Rrokaj bisedon me zv/kryeministrin Dokle, dakord vetëm për statusin e pedagogut

Denisa Xhoga

Dështoi dialogu mes Qeverisë, së përfaqësuar nga zëvendëskryeministri Namik Dokle dhe pedagogëve me ndërmjetës Rektorin e Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj. “I janë dërguar materialet Kryeministrisë, projekt-propozimet tona mbi secilën kërkesë dhe presim përgjigje nga Kryeministria. Përgjigjen e duam me shkrim. Megjithatë, derisa të na vij një përgjigje, me të cilën dhe ne të biem dakord, greva do të vazhdoj. Na ka ardhur një reagim nga Kryeministri Fatos Nano për të ngritur një komision ndërministror, por para kësaj duhet të biem dakord parimisht”, tha Ismail Hoxha, shefi i Profesoriatit të Universitetit Politeknik. Përsëri çështja ku ka ngecur më tepër debati, ka mbetur ajo e pagave. “Duhet të biem njëherë dakord me qeverinë se do të ngrihen pagat, pastaj çfarë vendi zënë ato në piramidën e pagave të gjithë punonjësve buxhetorë dhe më pas sa për qind duhet të ngrihen. Nëse Qeveria shprehet qartë se sa për qind mund të ngrihen pagat, këtu nis dialogu”, thotë Ismail Hoxha, shefi i Profesoriatit në Universitetin Politeknik. Pasi Rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, ka dalë nga takimi me zëvendëskryeministrin Namik Dokle ka shkuar direkt në zyrën e homologut të tij, Rektorit të UPT-së, Përparim Hoxha, ku u mblodhën dekanët e fakulteteve të të dy universiteteve. Debati mes dekanëve të dy univeristeteve më të mëdha të vendit dhe Rektorëve ka vazhduar gjatë, por konkluzioni ka qenë i njëjtë me atë të ditëve më parë; greva do të vazhdojë. Ndërkohë Rektori Rrokaj është shprehur se pika, me të cilin ka rënë në dakord me Doklen ka qenë vetëm një, ajo e miratimit të draftit të statusit të pedagogut, përgatitur nga vet pedagogët. “I kisha paraqitur para se sa të niste greva e pedagogëve të politeknikut projekt-propozimet e Unviersitetit të Tiranës. Diskutuam, por u miratua vetëm një, ai i statusit të pedagogut”, tha Rrokaj, ndërkohë që ai pranon se kanë diskutuar për autonominë financiare dhe për rritjen e pagave, që janë kërkesa të pedagogëve, por për këto çështje nuk është vendosur asgjë. “Po toleruam, nëse hyjmë në mësim, kemi frikë se kërkesat tona do të mbeten vetëm në letër dhe asgjë nuk do të realizohet, pasi nuk mjafton vetëm të thuash që do t’jua japim autonominë, por Ministria e Arsimit të caktoj se cilin model do të zgjedhin për realizimin e saj, atë italian, francez, apo gjerman”, thotë pedagogu i matematikës, Aleksandër Kovaçi. Ndërsa pedagogu dhe ish-rektori Adem Tamo, shprehet se arsimi duhet të kthehet në një nga prioritetet e qeverisë. “Këtë vit arsimi zë 3.2 për qind të GDP-së (prodhimi kombëtar bruto), ndërsa vitin e ardhshëm, kjo do të ulet në 2.6 për qind”, thotë Tamo. Sipas tij, vërtet qeveria shprehet se nuk ka mundësi që të rrisë pagat 200 për qind, por të paktën të shprehet se sa për qind ka mundësi t’i rrisë pagat për vitin 2005, pasi për këtë vit ato nuk janë rritur. Dje, si të gjitha ditët e mëparshme, është ndërprerë mësimi totalisht në Unviersitetin Politeknik, në atë të Tiranës ka patur grevë në gati të gjitha fakultetet, duke përjashtuar Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Shkencave të Natyrës. Pedagogët e Mjekësisë po bëjnë mësim, ata punojnë dhe në Qendrën Spitalore Universitare dhe me statusin e mjekut do të nisin grevën më 1 dhjetor, e cila mund të vazhdoj, ndërkohë që kërkesat e pedagogëve mund të jenë zgjidhur. “Nuk mund të bëjnë grevë totale”, thotë një pedagog. Ndërsa në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, disa pedagogë e kanë ndërprerë mësimin. “Dje leksionet në kimi të përgjithshme, dy orë nuk i bëmë, pedagogu u solidarizua me kolegët e Politeknikut’, thotë një studente e Shkencave të Natyrës.

Pozicioni paga aktuale bazë:

As.pedagog: 32 075 lekë, duke zbritur sigurimet shoqërore, shëndetësore, tatimin mbi të ardhurat marrin: 27 695 lekë

Pedagog: 36 909 lekë

Dok.i shkencave 41 743 lekë

As/profesor: 60 965 lekë

Profesor: 72 225 lekë të reja, duke zbritur sigurimet shoqërore, shëndetësore, tatimin mbi të ardhurat marrin: 61 439 lekë

Pollo: Memushi, mali që s’bëzan

“Ka mëse një javë që universitetet janë të paralizuara për shkak se ministri i Arsimit qëndron si mali që s'bëzan, që nuk shef, që nuk dëgjon”, tha dje Genc Pollo, kryetari i Partisë Demokrate të Re. Sipas tij, me këtë sjellje, ministri ka provokuar rrëmujën e sotme në universitete, humbjen e orëve të mësimit, pengimin e procesit mësimor. “Nuk është fjala te rritja e pagave të pedagogëve, siç po banalizohet çështja nga ministria. Megjithëse rivlerësimi i pagave është i drejtë edhe për arsimin edhe për shëndetësinë. Çështja është a ka vullnet Ministria e Qeveria, që t'u japë realisht autonomi financiare e didaktike universiteteve, siç ka premtuar shpesh. Po ose jo. Nëse po, atëherë nxirren vendimet e duhura dhe çështja hyn në shtratin e duhur”, tha Pollo.

Policia s’jep leje

Protesta e pedagogëve, marshim i heshtur

Protesta e pedagogëve do të jetë solemne, marshim në heshtje të plotë. Ditën e hënë akademikët do të nisin protestat, por kjo do të jetë e ndryshme nga ato që kemi parë deri tani. “Protesta jonë do të jetë pa pankarta në duar dhe pa thirrje, do të marshojmë të gjithë në trotuar, aty nuk është e ndaluar, pasi i takon kalimtarëve. Ne nuk kemi bërë kërkesë për të marrë leje nga policia dhe nuk do të bëjmë kërkesë”, thotë pedagogu i Universitetit Politeknik, Aleksandër Kovaçi. Ndërkohë Unioni Studentor ka bërë një kërkesë për në Drejtorinë e Policisë të Tiranës për të zhvilluar protesta paqësore javën e ardhshme, por kërkesa nuk është pranuar e për rrjedhojë ato do të quhen të paligjshme. “Ne do të mblidhemi këtu në trotuarin para Korpusit Qendror, ky është sheshi i Universitetit”, thotë Kovaçi. Por, edhe dje në orën 11 të paradites pedagogët u grumbulluan para korpusit dhe rreth tyre qëndruan policët. E njëjta situatë ishte dhe dy ditë më parë, kur forcat e policisë ndaluan tre pedagogë dhe i shoqëruan në komisariat, përreth një orë. Ndërkohë nuk kanë munguar shkëmbimet e fjalëve mes bluve, përfaqësuesëve të Unionit Studentor dhe pedagogëve, të cilët kanë ndërhyrë për të qetësuar zënkën. ‘Nuk dum që protesta jonë të precipitoj në një protestë të rëndomtë me zënka dhe incidente me policinë, pasi do të keqkuptohemi. Ne jemi akademikë dhe duhet të jemi paqësor, qetësia do të na sjellë dialog’, thotë një pedagoge.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›