E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka e shenjtë përpin dy punëtorë në Korçë

• Kanë dashur të hapin një kanal vaditës për pemishten e tyre, por kanë ngelur të vdekur nën masivin e dheut që i ka zënë nën vete.KORÇE/ Jorgjeta GjançiKujtim Bregu, 57 vjeç dhe Kasem Shameti, 45 vjeç, kanë gjetur vdekjen gjatë paradites së djeshme, ndërkohë që deri në orët e pasdites nuk është bërë e mundur nxjerrja e trupave nga dheu. Mësohet se kanali që kishin hapur ishte 5 metër i thellë dhe për të gërmuar policia ka thirrur edhe një ekskavator.Gjergji Shkëmbi, një ndër bashkëfshatarët që kishte shkuar për të gërmuar me dy viktimat, kur ka parë masivin të binte mbi dy shokët e tij, i ka rënë të fikët në vend. Ndërkohë, një tjetër ka dhënë alarmin në fshat, duke lajmëruar edhe policinë. Sipas banorëve të zonës, punimet kishin kohë që kishin nisur dhe kanali me një gjerësi një metër, thellësi 5 metër dhe rreth 15 metër i gjatë po avanconte mirë. Në vend ka qenë duke punuar edhe një mjet, i cili megjithëse është përmbysur, nuk ka pasur viktima brenda. Gjithnjë sipas banorëve të zonës, mësohet se punëtorët ishin këshilluar disa herë që të mos gërmonin në këtë kohë, pasi dheu me lagështi ishte shumë i paqëndrueshëm. “Në këtë vend qëmoti ka qenë një përrua. Më vonë përroi u mbulua me dhe, kështu që nuk ishte toka e qëndrueshme për t’u futur thellë e për të punuar, se ka edhe lagështi në këtë kohë. Këtu flitet se ka qenë vakëf, ose vend i shenjtë. Ditën e sotme ne si besimtarë nuk punojmë, se nuk është mirë. Aq më tepër që është edhe festa e Bajramit”, thotë një i moshuar nga fshati. Megjithëse kërkimet kanë qenë mjaft të shpejta, nuk është arritur të lokalizohet zona ku janë varrosur për së gjalli dy punëtorët. Një mjet gërmues ka mbërritur dy orë me vonesë, por nuk ka mundur t’i zbulojë ato.Deri në orën 19.00 nuk ka qenë e mundur nxjerrja e trupave nga masivi i dheut që i ka mbuluar. Për t’i ardhur në ndihmë familjare, policia ka kërkuar edhe ardhjen e ekskavatorit, në mënyrë që gërmimet të bëheshin më shpejt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›