Kriza botërore, tkurret Gjermania,ekonomia më e madhe eksportuese
Po shtohen provat se ekonomia globale është në rënie të ndjeshme, ndërkohë që vazhdojnë të jepen lajme negative rreth gjendjes financiare në Evropë dhe Azi. Në një raport të qeverisë gjermane thuhet se vendi është zyrtarisht në recesion për herë të parë në 5 vjet. Në raport thuhet se ekonomia ra me gjysmë për qind në 3-mujorin e tretë të këtij viti, 3-mujori i dytë me radhë me rënie. Pakësimi i eksporteve fajësohet për rënien ekonomike. Gjermania është ekonomia e tretë më e madhe e botës dhe më e madhja në Evropë. Sipas VOA, në Azi, indekset kryesore të bursave ranë ndjeshëm, pas rënies së fortë një ditë më parë në Uoll Strit dhe vendimit të qeverisë amerikane për të ndryshuar fokusin e planit të shpëtimit financiar prej 700 miliardë dollarësh. Sekretari amerikan i Thesarit Henri Pollson, tha se plani financiar i Uashingtonit prej 700 miliardë dollarësh po e ndryshon fokusin nga blerja e investimeve të dështuara në blerjen e aksioneve të bankave në vështirësi. Ai tha gjithashtu, se shikon shenja të përmirësimit të ekonomisë globale pas hapave të marra nga shumë vende për të stabilizuar sistemin financiar. Por ai shton se ekonomia vazhdon të jetë e brishtë. Ndërkohë, organizata me seli në Paris, për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik tha se vendet e zhvilluara të botës janë në recension dhe përballen me një ekonomi të ngadalësuar për një kohë të gjatë. Udhëheqësit e 20 vendeve më të zhvilluara të botës do të mblidhen të shtunën në Uashington për të diskutuar lidhur me ekonominë.