Gazetari i piramidave: Si ka ndryshuar Shqipëria
Shqipëria ka ndryshuar, por duhet të frikësohet nga kriza ekonomike globale. Ky është mendimi i gazetarit të "piramidave". Në një intervistë për gazetën, Tom Hundley i "Chicago Tribune", tregon ndryshimet e Shqipërisë dhe kohën e Sudes e VEFA-s. Ai ka qenë reporter në Shqipërinë e kohës së piramidave dhe vetëm para pak ditësh e krahasoi atë periudhë në një shkrim të tijin në SHBA, me krizën financiare globale. Gazeta arriti të merrte mendimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit.
A keni qenë ndonjëherë në Shqipëri? Nëse po, cilat kanë qenë impresionet tuaja kur keni vizituar këtë vend?
Kam qenë disa herë në Shqipëri. Hera e parë ishte mes viteve 1996-'97, gjatë krizës politiko-ekonomike. Kam qenë përsëri atje gjatë luftës së Kosovës. Vizita ime e fundit ka qenë ajo e tre viteve më parë, kur po investigoja një program interpretimi sekret të CIA-s. Një nga të dyshuarit e rrëmbyer nga CIA ishte një shtetas egjiptian, i cili kishte jetuar për pak kohë në Shqipëri dhe ishte martuar me një grua shqiptare. Gjatë vizitës sime të fundit, u impresionova nga shumë shenja të zhvillimit ekonomik në vend, veçanërisht në Tiranë. Shpresoj që kjo gjë të vazhdojë, pavarësisht krizës ekonomike globale.
Ju keni përmendur në artikullin tuaj piramidat shqiptare dhe themeluesit e tyre siç janë Sudja dhe VEFA! A mund ta na thoni se çfarë dini për to dhe skemave që përdornin ato për të qarkulluar paratë e popullit shqiptar?
Siç edhe e kam shkruar në artikullin tim në "Chicago Tribune" gjatë asaj kohe, Sudja dhe Vefa operonin me skema piramidale, duke mashtruar dhe vjedhur kursimet e mijëra e mijëra shqiptarëve.
Çfarë mendoni për krizën ekonomike amerikane? A ka ndikuar në ekonominë shqiptare së fundmi? A keni ndonjë ide se si mund ta kapërcejë Shqipëria këtë situatë të vështirë në ekonomi, ose më saktë në këtë periudhë depresioni?
Shkrirja e sistemit financiar amerikan do të ketë pa asnjë dyshim efekt në gjithë botën dhe gjithashtu, do të dëmtojë zhvillimin dhe investimet në Shqipëri.
Raimonda Moisiu
Piramidat,firmat tallen me kreditorët
Mijëra kolumbianë kanë marrë pjesë në protesta të dhunshme, ku kanë kërkuar kthimin e parave, që kishin investuar në skemat e rrëzuara piramidale. Në disa qytete, policia përdori shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e indinjuar. Në rajonin e Cauca-s, në jugperëndim të vendit, rreth 2 mijë protestues hynë me forcë në zyrat e një firme investuese në qytet. Pronarët e firmës janë zhdukur, por kishin lënë një letër falënderimi, ku talleshin me depozituesit që kishin besuar në 'magjinë' e tyre financiare. "Tani, meqë u treguat budallenj dhe besuat në magji, do t'ju duhet të punoni më shumë për të bërë paratë që na dhatë ne", shkruhej në të.
Kërcënime
Sipas korrespondentit të BBC-së në Kolumbi, zyrat e firmave piramidale kanë mbirë në lagjet e varfra të vendit dhe ofrojnë fitime deri në 30 për qind të shumës së depozituar. Por shumë prej tyre zhduken me të njëjtën shpejtësi që janë shfaqur, bashkë me paratë e mbledhura. Disa prej firmave, që pastrojnë para të drogës, ua kanë dhënë paratë investuesve. Autoritetet njoftohen se kanë arrestuar dy nga punonjësit e njërës prej firmave piramidale të rrëzuara teksa largoheshin nga zyrat me katër valixhe me para. Tani ata janë në burg, që sipas korrespondentit, është vendi më i sigurt për ta, pasi investitorët e mashtruar kanë kërcënuar se do t'i linçojnë.