Dështon hapja e procesit të Gërdecit
Mungesa e dy të pandehurve dhe problemet me prokurat për Dritan Minxollin shtynë seancën e parë
Mungojnë Mediu, Pinari Delijorgji e Minxolli, e si disa nga ish- drejtuesit e Ushtrisë
TIRANE- Seanca e parë në ngarkim të 29 personave të pandehur, për tragjedinë e Gërdecit, nuk u arrit të zhvillohej, për shkak të mungesës së një avokati dhe një të pandehuri, si për mungesë të prokurës së përfaqësimit të një avokati si dhe të disa problemeve teknike.
Seanca ishte caktuar të zhvillohej në orën 9:30 të paradites së djeshme në Gjykatën e Lartë, ku pritej të mbërrinin në cilësinë e të pandehurve ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish- krerët e Ushtrisë, Gjeneralët Luan Hoxha, Agim Lala Shpëtim Spahiu e Zija Bahja, e bashkë me ta ish- funksionarë të ndryshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes së saj MEICO, ish- drejtori i saj, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji pronar i "Albademil" e Dritan Minxolli, administrator i saj e njëkohësisht kunati i Delijorgjit. Pas mbërritjes së të pandehurve dhe përfaqësuesve ligjorë të tyre, kryesuesi i trupit gjykues me pesë anëtarë, Besnik Imeraj, nisi leximin e emrave të të pandehurve të çështjes nr.6 të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme.
Ish- ministri i Mbrojtjes nuk u paraqit gjatë seancës së ditës së djeshme, ndërsa nëpërmjet një prokure të posaçme kishte ngarkuar dy avokatët e tij, Ardian Visha e Petrit Serjani për ta përfaqësuar.
Gjatë leximit të emrave të të pandehurve nga kryetari Imeraj, u konstatuan disa gabime në emrin e të pandehurit Dritan Minxolli, pasi në prokurën e përfaqësimit të tij, emri i të pandehurit ishte shkruar Artan.
Ndërkaq mungesa e të pandehurit, Shkelzen Madani dhe avokatit të tij, Hysni Beti për arsye shendetesore, mungesa e prokurës për të pandehurit gjeneral Agim Lala, dhe Fahri Toska, kanë qenë katër arsyet që e detyruan Kolegjin Penal të drejtuar nga Besnik Imeraj, që seanca të shtyhej. I pranishëm në seancën e djeshme, ndër personat që janë me masë arresti në burg, ka qenë i pranishëm vetëm i pandehuri, Sokol Ngjeci.
Në të kundërt, të akuzuarit e tjerë që ndodhen në burg, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji e Dritan Minxolli, nuk kanë preferuar të vijnë në sallën e gjyqit të Gjykatës së Lartë, duke dashur që të përfaqësohen nga avokatët e tyre. Në krahun e ish- krerëve të Ushtrisë, i pranishëm ka qenë vetëm ish- shefi i Shtabit, Gjeneral Leitnant Luan Hoxha, ndërsa Shpëtim Spahiu, dhe Zija Bahja mungonin, duke u përfaqësuar me avokatët e tyre.
Për këto shkaqe, prokuroria nuk e mori dot fjalën, por vetëm se u prezantuan nëpërmjet prokurës së firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme Rama. Përfaqësuesit e akuzës, Sokol Stojani, Arben Dollapi, Arqile Koca, Alfred Progonati si edhe Kujtim Luli, pohuan se ata jo domosdoshmërisht duhet të ishin të gjithë të pranishëm gjatë shqyrtimit gjyqësor, të procesit që është procesi më i rëndësishëm që zhvillohet në Gjykatë. Pas konstatimit të problemeve, trupi gjykues është tërhequr, për të marrë vendimin. Pas këshillimit anëtarët e trupit Gjykues, kanë vendosur shtyrjen e seancës së hapjes së procesit për datën 11 maj.
Do to mbrohet vetë
Zenun Ferro, një nga të akuzuarit e procesit të mësipërm, ka kërkuar përpara trupit gjykues në seancën e djeshme, që të mos përfaqësohej me avokat. I pyetur nga kryesuesi i trupit gjykues, Imeraj, i pandehuri Ferro, u përgjigj se do të vetëmbrohej në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij nga organi i akuzës. Ferro do të jetë i vetmi i pandehur që do të përfaqësohet në proces pa avokat mbrojtës, ndryshe nga të akuzuar të tjerë që kanë marrë nga dy avokatë.
Kamerat dhe fotoreporterët jashtë
Ashtu siç ka ndodhur edhe në seanca të tjera gjyqësore, seanca e djeshme është zhvilluar me praninë e gazetarëve, por në sallën e gjyqit nuk janë lejuar të futen kamerat e televizioneve të ndryshme apo fotoreporterët, për të pasqyruar zhvillimin e procesit gjyqësor. Kamerat janë urdhëruar të qëndrojnë jashtë gjykatës, po ashtu si edhe fotografët e ndryshëm. Ndërkaq, gazetarët që janë lejuar të futen, janë urdhëruar të lënë sendet e tyre personale dhe celularët jashtë sallës.
Fazlliç, shtyhet procesi për javën tjetër
TIRANE- Porcesi gjyqësor në gjykatën e kryeqytetit për padinë e Fazlliç ndaj prokurorisë për shtyrjen e afateve të hetimit, ndaj biznesmenit serbo- boshnjak Damir Fazlliç. Prania e avokatit të tij, Brahim Lahi, në Gjykatën e Lartë, në çështjen e tragjedisë së Gërdecit, ku përfaqëson ish- shefin e Shtabit Luan Hoxha, ka bërë që gjykata të shtyjë procesin. Ky proces po zhvillohet, pasi avokatët e zotit Fazlliç, kishin kërkuar mosshtyrjen e afatit të hetimit ndaj biznesmenit Serbo boshnjak.
Dy prokurorët, e Prokurorisë së Task Force kërkuan shtyrjen për shkak se janë në pritje të dy letërporosive nga Qipro dhe Zvicra. Në Qipro në Angli, Zvicër, dhe në Bosnje, organi i akuzës ka dërguar letërporosi, ku kërkohen informacione dhe të dhëna në lidhje me aktivitetin financiar të biznesmenit Serbo Boshnjak, Damir Fazlliç.
Në këto vende, organi i akuzës në kryeqytet dyshon se Fazlliç ka kryer transfertat e parave të tij nga Shqipëria duke konsumuar elementin e pastrimit të produkteve të krimit sipas akuzës. Mungesa e avokatit të Fazlliç, ka bërë që trupi gjykues të shtyjë shqyrtimin e ankesës së serbo- boshnjakut për zgjatjen e afatit të hetimit për të hënën e javës së ardhshme