Vrasja e Xhindit, 72 orë pa autor dhe motiv
TIRANE - Më tepër se 72 orë pas vrasjes së deputetit të Partisë Socialistë të zonës së Fierit, Fatmir Xhindi, policia dhe prokuroria nuk kanë mundur që të deklarojnë zyrtarisht asnjë pistë hetimore, asnjë motiv dhe asnjë person të dyshuar për krimin e rëndë.
Të kontaktuar nga "Shekulli", asnjë prej zyrtarëve të policisë dhe prokurorisë nuk është në gjendje që të japë një version zyrtar për ngjarjen. Kreu i policisë shqiptare, Ahmet Prençi, doli publikisht ditën e parë duke pohuar se po heton ngjarjen, duke mos përjashtuar asnjë mundësi, dhe më pas heshtje.
Nga ana tjetër, Kryeprokurorja Ina Rama, është mjaftuar me faktin që ka vizituar qytezën e Roskovecit dhe ka bërë një mbledhje në Prokurorinë e Fierit, por pa bërë aspak transparencë në lidhje me ngjarjen. Asnjë përfaqësues i saj, asnjë përfaqësues i prokurorisë nuk ka dalë dhe t'i sqarojë opinionit publik se çfarë po bëhet me një hetim kaq të rëndësishëm, siç është vrasja e një deputeti të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, vetëm dje, dy ditë pas ngjarjes, mori rrugën për në Roskovec. Nën zë, prokurorë dhe drejtues policie kanë hedhur pista nga më të ndryshmet, duke përfshirë gjithçka që u vinte në mendje, por asgjë konkrete dhe zyrtare.
Të kapur pas "një kutie aspirine", policia, hetuesit, shteti, ka ngecur. Vrasja e kryer në një qytezë aq të vogël sa Roskoveci, ku sot ndodhet ajka e policisë dhe prokurorisë shqiptare, trondit thellë themelet e organeve hetimore shqiptare. Vrasësi, ose së paku motivi, duhej të ishin gjendur tashmë.
Orët kalojnë dhe çdo hamendje trazon më tepër situatën. Në rast se janë të paaftë për t'i dhënë drejtim çështjes, krerët e policisë dhe të prokurorisë duhet të japin dorëheqjen.