Rrufeja bllokon punën në doganën e Kapshticës
KAPSHTICË- Një goditje rrufeje ka pezulluar përkohësisht lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve në pikën kufitare të Kapshticës që lidh Shqipërinë me Greqinë.
Shkarkesa elektrike e rrufesë ka dëmtuar antenat në anën greke duke bërë që brenda pak orësh të krijohen radhë njerëzish dhe mjetesh në të dyja anët e kufirit. Defekti ka ndodhur rreth orës 18.30 të së hënës, ndërkohë që menjëherë pala shqiptare, nëpërmjet drejtuesve të saj, ka kërkuar një takim me palën greke.
Sipas komandantit të pikës shqiptare të kalimit, Dritan Shema, defekti teknik ka ndodhur pas një shtrëngate shiu në pikën greke të kalimit, ndërsa është ndërprerë puna pasi nuk ka sinjal kompjuterik si për hyrjet ashtu dhe për daljet nga shteti fqinj.
Menjëherë janë krijuar radhë të gjata, ndërsa më problematike është paraqitur situata në tokën greke. Rreth një kilometër është radha që është krijuar në anën greke të kufirit e udhëtarëve që presin të hyjnë në territorin shqiptar, ndërsa në anën shqiptare numri i automjeteve ka qenë më i paktë, rreth 30 të tilla.
Gjithashtu edhe disa autobusë të linjave të përditshme me Greqinë kanë mbetur bashkë me udhëtarët e tyre në kufi deri në rikthimin e punës të kompjuterëve grekë. Rrezikohen që qindra udhëtarë të gdhijnë natën e të hënës jashtë, deri në fillimin e punës, ndonëse pala greke ka thirrur specialistë të posaçëm për të riparuar defektin.