E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri, tatohen me 10 % paratë informale

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 2 shkurt, NOA - Në një kohë që ligji Antimafia
ka hyrë në fuqi për të ndëshkuar të gjithë ata që nuk deklarojnë burimin e
pasurisë, një tjetër ligj pritet të miratohet në parlament, i cili në thelb
ligjëron evazionin fiskal apo paratë  informale.

Një ndryshim në ligjin për tatimin mbi të
ardhurat parashikon se nuk ka rëndësi origjina e parave, por në rast se biznesi
dëshiron të zgjerojë kapitalin e kompanisë, ai mjafton ti 
nënshtrohet tatimit 10 %.

Kjo nismë merret në kushtet kur buxheti i
shtetit ndodhet në vështirësi financiare dhe ky tatim do të ndikonte që
bizneset të shtojnë kapitalet e tyre.

Sipas Selami Xhepës, anëtar i komisionit
parlamentar të Ekonomisë, nëpërmjet ligjit në fjalë mund të përdoren para që
kanë orgjinë kriminale, por nuk është detyrë e administratës tatimore, që
zbaton ligjin mbi të ardhurat për të verifikuar burimin e tyre.

Sipas Xhepës, tatimorët kanë për detyrë
që të verifikojnë që këto para nuk janë tatuar më parë dhe tani që biznesi
kërkon ti investojë, duhet të paguajë 10% tatim, ndërsa verifikimi i origjinës
së parave është objekt i institucioneve të tjera.

Në ligj thuhet: Të ardhurat në çfarëdo lloj
forme, për efekt shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk
janë tatuar më parë dhe që nuk janë shoqëruar me dokumente zyrtare, që
vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave, tatohen 10 %.  

Por komuniteti i biznesit është skeptik për
zbatimin në praktikë të këtij ligji.

Në kushtet kur qeveria ka nisur një sulm
të ashpër ndaj një kategorie biznesi, të dy ligjet, si ai antimafia edhe ai i tatimit
mbi të ardhurat mund të përdoret me subjektivizëm nga administrata shtetërore.

Sipas nëdrejtorit të shoqatës së Ndërtuesve,
Ilir Hebovija, është e nevojshme që të bëhet një ndarje e qartë mes atyre
biznesve që janë objekt hetimi nga ligji antimafia dhe atyre biznesve që
përfitojnë nga ligji i sapomiratuar.

Sipas tij, në këtë mënyrë bizneset do të
stimulohen për të deklaruar edhe ato para që i mbajnë në mënyrë të fshehtë.
   

Nisma ligjore vjen në një moment kur
komuniteti i biznesit i ka propozuar qeverisë amnisti fiskale, çka do të thotë
legalizim të aseteve.

Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregëtisë, Nikolin
Jaka shprehet se ka ardhur koha që biznesit ti falen detyrimet apo borxhet e
paqarta të krijuara në vite, në mënyrë që të stimulohet për të
formalizuar  vetveten.

Drafti i është dorëzuar qeverisë dhe pritet
reagimi i saj.

Dy vite më parë, qeveria mori vendimin për të
bërë një amnisti të pjesshme duke falur gjobat dhe kamatvonesat e bizneseve në
vite, por ky ligj nuk dha rezultat pasi ata nuk përfituan në mënyrë
direkte.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›