E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Godo mbledh drejtorët e spitaleve

 

Kriza e medikamenteve nuk është vetëm problem i spitalit "Nënë Tereza", por edhe i atyre në rrethe. Kjo ka qenë arsyeja që Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, mblodhi dje në mesditë të gjithë drejtorët e spitaleve. "Drejtorët në fjalë raportuan rreth gjendjes së medikamenteve. Më pas u vlerësua nga të dyja palët për secilin nga spitalet, për nevojat emergjente që ata kanë dhe u bisedua për mënyrën se si mund të sigurohen këto barna, në bazë të nevojave të tyre", bëri me dije Ministria e Shëndetësisë. Burime brenda mbledhjes pohuan për gazetën se, do të duhen edhe disa javë të tjera deri sa spitalet të furnizohen rregullisht me ilaçe. Gjithaq nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë po dje u firmosën kontratat për medikamentet të mbetura stok, të cilat janë zbuluar së fundmi nga një vëzhgim i detajuar i kësaj ministrie. Por ndërsa vlera e tyre arrin në miliona euro vetëm një pjesë shumë e vogël mund të përdoret, për shkak se shumica e barnave janë të skaduara. Gjatë takimit ministrja Godo, u kërkoi drejtuesve të spitaleve në mbarë vendin, nisjen sa më shpejt të procedurave për përdorimin e barnave që janë gjetur stoqe dhe shkëmbimin e tyre mes spitaleve ku ka më shumë nevoja. Gjithashtu, drejtorët u instruktuan për mënyrën e përshpejtimit dhe arritjen e marrjes së barnave të nevojshme në një kohë sa më të shkurtër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›