Shqipëria, midis vendeve më atraktivë në botë për investitorët e huaj
Një ndër kompanitë më të njohura të konsulencës ekonomike në botë, “A.T. Kearney” kryen një studim vjetor mbi mundësitë e investimeve dhe tregjet në fushën e biznesit Retail dhe llogarit indeksin global të zhvillimit të këtyre tregjeve (GRDI), duke përdorur 25 tregues makroekonomikë dhe ekonomikë. Këtij studimi i ka bërë jehonë edhe CNBC pak ditë më parë. Shqipëria hyn për herë të parë në hartën e këtij studimi, me performancën e saj ekonomike dhe menjëherë renditet mes 30 vendeve të para, duke zënë pozicionin e 12-të me GRDI 51.1. Shqipëria kalon vende si Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnja në një klasifikim ku vendet e para mbahen nga tregje gjigantë si Kina, India, Brazili etj. Ajo renditet në këtë vend për nga rezultatet e arritura për sa i përket lehtësisë së hyrjes në tregjet e saj dhe të bërit biznes, tërheqja si treg i ri dhe i garantuar dhe risku i ulët e të bërit biznes. Sipas këtij studimi ndërsa Rusia ka zbritur nga vendi i dytë në atë të dhjetë, duke hapur rrugë për vendet e Evropës Lindore. Ndërkohë vendet e Ballkanit me të parën Shqipërinë, pasuar nga Bosnje-Hercegovina, e renditur vetëm në vendin e 29-të me GRDI 39.1, Bullgaria e 19-ta me GRDI 46.5 dhe Maqedonia e 20-ta me GRDI me 45.6 janë ngjitur shumë në klasifikim. Kjo për faktin që dhe pse vende të vogla, kanë pasur një zhvillim ekonomik të përshpejtuar në sajë të reformave ekonomike. Një pjesë e mirë e dyqaneve të biznesit me shumicë dhe pakicë janë shtrirë në këto vende dhe nga intervistat e Drejtorëve Ekzekutivë të kompanive të mëdha, ato rezultojnë të mos jenë thjesht një mundësi dhe një vend i pëlqyeshëm për investimet e tyre por tashmë kanë hyrë në hartat e investimeve të tyre si një domosdoshmëri. Në këtë studim, kur analizohet Shqipëria, mes të tjerave thuhet që Shqipëria është një treg i vogël me një këndvështrim shumë pozitiv lidhur për biznesin dhe një treg i ri akoma i pashfrytëzuar. Parashikohet që rritja e GDP në Shqipëri të vazhdojë me ritme të shpejta dhe në 2014, thuhet në raport, GDP reale pritet të rritet me 30%, gjë që e bën këtë vend të konsiderohet shumë pozitivisht dhe në perspektivë. Ky studim tërësor global konfirmohet edhe një herë nga një studim i kryer nga Dhoma Gjermane e Tregtisë me vendet e huaja, në lidhje me qëndrimin e investitorëve gjermanë të cilët kanë investuar jashtë Gjermanisë, rezulton që të pyetur nëse do të investonin përsëri në vendet ku ata janë prezentë, përgjigja për Shqipërinë është 86%. Ky tregues është më i lartë se në vende si Rumania me 81%, Hungaria me 80%, Çekia me 79 % dhe Letonia me 81%.
Turizmi malor, Dardha nis të presë pushuesit e parë këtë verë
Rajoni i Korçës njihet për potencialet e tij turistike, por Dardha mbetet ndër më të preferuarat dhe me joshëset për pushuesit, për vetë bukuritë dhe prehjen që ofron natyra.
Tashmë ardhja e vizitorëve në Korçë nuk ka dhe aq kuptim nëse nuk viziton këtë pike turistike. Të panumërta janë burimet me ujë të akullt që konsiderohen si kurative, shtëpitë që janë ndërtuar më gurë karakteristikë të zonës, çka i shton bukuritë natyrës tërheqëse. Vlen të përmendet dhe gatimi i byrekut me petë, ose ndryshe i njohur me emrin Lakrori, që është dhe një ndër specialitetet karakteristike që ofron Dardha. Turistët e parë, disa prej tyre dhe të huaj shprehen se janë duke shijuar bukuritë, klimën malore dhe gatimet tradicionale të saj. Zona e Dardhës është një prej zonave më të vështira në stinën e dimrit për shkak të reshjeve të dendura të borës, por gjithashtu magjepsëse sa edhe në verë. Njihet gjithashtu dhe si zonat ku mikpritja njihet sapo shkel pragun e një porte. Bukuritë e Dardhës vizitohen çdo vit nga mijëra vizitorë. Dikush e do Dardhën sidomos në dimër, të apasionuarit e skive dhe dëborës, që akoma nuk është shkrirë në malin Gramoz. Me hotelin e ri për turistet, dardharët thonë se janë rreth 40 shtëpi të reja apo të rindërtuara që synojnë turizmin familjar. Dardha ndodhet 20 km në jug-lindje të Korçës, në një lartësi prej 1334 metrash mbi nivelin e detit. Prej kohësh fshati i Dardhës bën pjese në listën e gjatë të destinacioneve turistike të Shqipërisë.
29 Qershor 2010