E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dështon operacioni për kapjen e një anëtari të bandës së Lushnjës

22/03/2005  Aksioni u zhvillua te fusha e Aviacionit në Tiranë, një ditë pas publikimit të lajmit

Dështon operacioni i policisë kriminale të kryeqytetit për kapjen e një personi nga Lushnja me banim pranë fushës së Aviacionit në Tiranë, i cili dyshohej si i implikuar në shpërthimin e eksplozivit te “Don Bosko”. Policia kishte marrë informacione se në atë zonë banonte prej disa kohësh një lushnjar, i dyshuar si pjesëtar i “bandës së Lushnjës”. Aksioni është realizuar pikërisht ditën kur u publikua lajmi, se në këtë ngjarje kishte dorë banda e Lushnjës.

Informacioni

Policia kriminale e kryeqytetit kishte arritur të siguronte informacione të marra në rrugë operative, se një prej pjesëtarëve të bandës së Lushnjës banonte pikërisht në një nga pallatet pranë fushës së Aviacionit në Tiranë. Gjithashtu nga informacionet e marra prej agjentëve dyshohej se ai kishte qenë i implikuar në atentatin e dështuar te “Don Bosko”, ku si pasojë e shpërthimit aksidental të eksplozivit u shkrumbua një prej autorëve të dyshuar, ende i paidentifikuar. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat thanë se operacioni për kapjen e këtij personi të dyshuar është kryer pikërisht ditën që është publikuar lajmi, se në këtë ngjarje kishte dorë “banda e Lushnjës”. Por burimet e policisë nuk bëjnë të ditur identitetin e personit në fjalë, për shkak të sekretit hetimor. Ato thonë se po punohet për gjetjen e vendndodhjes së tij, sqarojnë burimet.

Operacioni

Një ditë pas arrestimit të tre lushnjarëve Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani, policia ka arritur të sigurojë informacione rreth një personi të dyshuar si të implikuar në shpërthimin e eksplozivit te “Don Bosko”. Nga burimet e policisë mësohet se menjëherë është bërë identifikimi i vendbanimit të tij. Mësohet se identifikimi i tij është bërë pas arrestimit të tre të rinjve lushnjarë, pasi në telefonat e këtij të fundit është gjetur numri i tij. Por po atë ditë që është zhvilluar aksioni për kapjen e tij, në media ishte publikuar se në këtë atentat kishte dorë banda e Lushnjës. Forca të shumta policore kanë rrethuar pallatin dhe zonën përqark fushës së Aviacionit. Menjëherë ka filluar ndërhyrja në banesën e tij dhe në lokalet që frekuentonte. Por, ai ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Burime të policisë shprehen se, personi në fjalë me origjinë nga Lushnja, duket se është njohur me arrestimin e tre bashkëqytetarëve të tij. Gjithashtu publikimi në media se atentati i dështuar dyshohej të ishte organizuar nga banda e Lushnjës, mund të ketë informuar personin në fjalë. Pasi kanë kontrolluar me imtësi çdo vend të mundshëm strehimi të lushnjarit, të dyshuar si pjesëtar i bandës së Lushnjës, forcat policore e kanë ndërprerë operacionin. Burimet përfundojnë se po punohet në rrugë operative për të gjetur vendndodhjen e tij të mundshme.

Oficerja e policisë futi në kurth tre lushnjarët

Një oficere policie futi në kurth tre lushnjarët, të cilët u arrestuan nën akuzën e pengimit të hetimit me qëllim rreth zbardhjes së të vërtetës së shpërthimit të eksplozivit te “Don Bosko”. E shfaqur si “lolitë” në valët e telefonit celular, ajo ka joshur dy prej lushnjarëve. U ka kërkuar që të njiheshin, pasi dikush i kishte folur fjalë të mira për ta. Dhe djemtë nuk kanë ngurruar të shfaqin identitetin e tyre. Madje, ka qenë Dita e Verës kur ata kanë lënë takimin në kryeqytet, pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, ku ndodhet edhe Komisariati nr.2. Mënjëherë posa janë dukur pranë vendit të takimit, në vend të “lolitës” drejt tyre është sulur një duzinë oficerësh dhe agjentësh të policisë kriminale. Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani, u arrestuan nga policia e kryeqytetit, pasi dyshohen se kanë dijeni mbi këtë ngjarje ende të pazbardhur. Madje dyshohet që ata të kenë dijeni edhe mbi identitetin e viktimës. Burimet e policisë sqaruan, se në kartën e celularit të viktimës u gjetën numrat e tre të ndaluarve, të cilët kishin kryer thirrje të shpeshta dhe reciproke edhe natën e ngjarjes. Tre të rinjtë lushnjarë para hetuesve kanë deklaruar se numri i përkiste Leonard Priftit, njërit prej të akuzuarve si anëtar i bandës së Lushnjës. Por nga krahasimet e të dhënave fizike të viktimës me ato që disponohen rreth Priftit, ka rezultuar të jenë krejt të ndryshme.

Familjarët e viktimës, frikë për denoncimin e identitetit të tij

Ditë me radhë policia e prokuroria kanë pritur një kallëzim për zhdukje personi të seksit mashkull. Por asnjë i tillë nuk ka mbërritur në komisariate. Burime të policisë thonë se, tashmë është e kotë që të pritet për një denoncim të tillë, pasi familja e viktimës duhet ta dijë shumë mirë se çfarë i ka ndodhur të dashurit të tyre. Por dyshohet se familjarët kanë vendosur të mos e denoncojnë një fakt të tillë, duke lënë kështu pezull zyrtarizimin e identitetit të tij. Nga burimet mësohet se janë dy versione, të cilat dyshohen pse familja e viktimës nuk denoncon zhdukjen e të afërmit të tyre. E para, dyshohet të kenë frikë ta kryejnë një kallëzim të tillë. Ndërsa, e dyta, që është edhe më bindëse, është ajo se atyre nuk u intereson publikimi i emrit të tij, sqarojnë burimet. Kjo, pasi dyshohet se pas identifikimit zyrtar të personit që mbeti i vdekur si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi te “Don Bosko”, të sqarohen të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje si dhe objekti i atentatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›