E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamaj nuk pranon pjesëmarrjen në gjyq

22/03/2005  TIRANË – Megjithëse nga ana e gjykatës është vendosur caktimi i një mbrojtësi kryesisht, përsëri i pandehuri Altin Lamaj nuk pranon të paraqitet në gjyq. Seanca e radhës ndaj të dyshuarit për kryerjen e disa veprave penale në bashkëpunim është shtyrë përsëri. Pasi ka dërguar në gjykatë me dhjetëra shkresa dore, ku shprehej se nuk dëshironte të merrte pjesë në gjyq dhe ka ndryshuar disa herë avokatët, gjykata vendosi të vazhdojë gjykimin. Lamaj ka ardhur në gjyq vetëm në dy seancat e para, kur shoku i tij, Elidon Kotorri, ende nuk ishte dënuar. Pas dënimit të Kotorrit, Altin Lamaj refuzon të marrë pjesë në gjyq, duke dërguar herë pas herë copa letre për trupin gjykues. Në të gjitha rastet, gjykata është detyruar të shtyjë seancat gjyqësore për t'i dhënë kohë të pandehurit të paraqitet në gjyq. Altin Lamaj është pronar i lokal "Venecia". Altin Lamaj akuzohet se në bashkëpunim me Elidon Kotorrin ka kryer disa vepra penale në periudhën kohore 1999–2000. Bëhet fjalë për disa vrasje që ndodhën në zonën e Tiranës së Re, ku gjetën vdekjen pesë persona. Për të njëjtat akuza, Kotorri u dënua me burgim të përjetshëm, pak kohë më parë nga Apeli. Altin Lamaj u ndalua dhe më pas u arrestua nga policia mesin e vitit të kaluar. Shkak u bë ardhja e aparatit të ri për zbulimin e gjurmëve të gishtave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›