E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Irenës, Prokuroria heton katër versionet e Mushos dhe Ylli Selit

22/03/2005  Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar hetimet për katër procedime penale lidhur me zhdukjen e 39-vjeçares, Irena Seli, bashkëshortes së ish-bosit të kompleskit “Bruno”, Agim Musho. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat sqaruan se janë katër dosje penale lidhur me zhdukjen e Irena Selit. Njëra prej dosjeve ka si objekt zhdukjen e Irena Selit, në bazë të kallëzimit të bërë në policinë e Tiranës nga bashkëshorti i saj, Agim Musho, në dhjetor të vitit të kaluar. Tjetër është versioni i zhdukjes së Irenës nga vëllai i saj, Ylli Seli dhe nga daja. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton edhe për denoncimin që Ylli Seli ka bërë në Prokurorinë e Tiranës, për kërcënim ndaj tij. Ndërsa dosja e katërt, të cilën po heton kjo prokurori, është ajo që ka të bëjë me denoncimin për tentativë vrasjeje me anë të ilaçeve, që Agim Musho ka bërë kundër gruas së tij, Irena Seli. Irena Seli rezulton e zhdukur që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar kur po imbarkohej me traget së bashku me të shoqin nga Trieste për në Durrës. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›