E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do heq pagat e referencës

LIBRAZHD- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka premtuar dje nga Librazhdi heqjen e pagës së referencës, në rast se partia e tij vjen në pushtet. Ky është një nga premtimet më konkrete të kryesocialistit Rama dhe i drejtohet njërës nga shtresat më të prekura nga kriza ekonomike, biznesit dhe të punësuarve prej tij.


Po dje, nga Librazhdi, Rama ka premtuar sërish punësim dhe ka akuzuar Kryeministrin Berisha se nuk do të jetë në pushtet për t'u shërbyer njerëzve, por interesave të tij personale.


Pagat


Gjatë takimit më Librazhd, Edi Rama u shpreh se të gjithë qytetet e Shqipërisë do të ecin me të njëjtin ritëm zhvillimi pas 28 qershorit. Ndaj, ai u bëri thirrje qytetarëve të Librazhdit të bëhen pjesë e bashkimit të madh që të ndryshojnë vendin, ritmet e shpejtësisë drejt BE-së ku na takon të jemi pjesë, jo vetëm gjeografikisht.


Rama premtoi ritme të reja të zhvillimit të biznesit të vogël në vend, duke premtuar se nuk do të ketë më absurditete si pagat e referencës. Lehtësira janë parashikuar edhe për biznesin e huaj.


Duke bërë një paralelizëm më Berishën, Rama tha: "Sali Berisha tha se, thirrjes tonë "Çohu", i përgjigjet se është në këmbë.


Por kënga jonë nuk është për Saliun që rri në këmbë, ngaqë kalin e pushtetit e ka lidhur me trungun e familjes, por për shqiptarët e zakonshëm, që i ka gjunjëzuar varfëria e papunësia, për popullin e tradhtuar për 18 vjet me radhë, që më 28 qershor do të çohet në këmbë, për ta zgjidhur kalin e pushtetit nga litarët e politikës së vjetër dhe për të vrapuar drejt Evropës pa kufij.


Për mua politika nuk është luftë për pushtet personal, siç është për Sali Berishën, dhe as mjet për të përfituar, duke thënë gjëra që nuk i bëj dhe duke bërë gjëra që nuk thuhen, siç bën Sali Berisha".


Vizat


Kryesocialisti Rama ka komentuar dje edhe vendimin e tri ditëve më parë, ku BE-ja vendosi liberalizim vizash me të gjitha vendet e rajonit, përveç Shqipërisë. "Qeverisja e pas 28 qershorit nuk do jetë vetëm për një familje dhe oborrin rreth saj, por për të gjithë shqiptarët.


Katër vjet më parë Sali Berisha e kërkoi dhe e mori votën e shqiptarëve për shumë arsye, por njëra ndër këto arsye ishte se u premtoi që shqiptarët që do të lëviznin pa viza.


Sot, katër vjet më vonë, jo vetëm që Shqipëria është ende e mbyllur, jo vetëm që qindra mijëra shqiptarë nuk arrijnë të dalin dot prej saj dhe qindra mijëra familje janë ndarë më dysh, mes vajza e djemsh që nuk hyjnë e dalin dot nga Shqipëria, dhe familjarë që nuk shkojnë t'i takojnë dot djemtë e vajzat e tyre, por sot, Shqipëria, për shkak të Sali Berishës, mbeti jashtë paketës së fundit, ku u përfshi edhe Serbia",- tha Rama.


Sipas tij, për shkak të kësaj politike të vjetër dhe të dështuar, jo vetëm që nuk mund të kemi sot viza për të lëvizur lirisht në Evropë, por do të na duhet që edhe për të hyrë në Maqedoni dhe Mal të Zi, të marrim vizë, njësoj si për të shkuar në Francë apo Gjermani.


"Ky është dështimi i madh! Kjo është arsyeja pse unë ju them këtu sot, se ne socialistët nuk ju premtojmë, por angazhohemi që në 2010-ën, t'i heqim kufijtë që na ndajnë nga Evropa dhe të bëjmë që çdo shqiptar e shqiptare, të hyjë e të dalë lirisht në Evropë e Shqipëri, si qytetar i lirë dhe i barabartë i Evropës",- pohoi Rama.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›