E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor rrëzon KQZ-në, PDK-ja forcë e djathtë

Rrëzohet kërkesa për PBDNJ-në, miratohet kërkesa për PDK-në. Demokratët: PDK-ja, jo aleate e jona


Trupa e gjyqtarëve zgjedhorë ka rrëzuar vendimin e KQZ-së për përcaktimin e anëtarit të 3-të dhe 4-t të GNV-ve


Partia Demokristiane rikthehet në identitet. Pas "persekutimit" që i bënë anëtarët e djathtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e kaluar në forcat e spektrit të majtë, PDK-ja ka mundur dje që të fitojë edhe ligjërisht betejën për t'u renditur përkrah partive të spektrit të saj natyror, atij të djathtë.


Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar si në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, vendimin e KQZ-së për përcaktimin e forcave që do të përfshihen në shortin për anëtarin e 3-të dhe 4-t të grupeve të numërimit të votave, nëpërmjet të cilit Partia Demokristiane, falë këmbënguljes së PD-së, e gjeti veten të renditur në krahun e forcave të majta që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë procedurë.


Ankimimi


Vendimi që morri gati tri javë më parë KQZ, me forcën e kartonëve të djathtë, për ta përfshirë PDK-në në vazon e forcave opozitare parlamentare që kanë të drejtë të marrin pjesë në shorteun për anëtarin e tretë dhe katërt të grupit të numërimit të votave, është bërë dje objekt i shqyrtimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor.


Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate, pasi e kundërshtuar logjikën e ndjekur nga KQZ-ja gjatë marrjes së këtij vendimi, e kishin ankimuar atë në kolegjin e Gjykatës së Apelit, si në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.


Por, objekti i kërkesës së socialistëve, nuk kishte të bënte thjesht dhe vetëm me vendimin e KQZ-së për PDK-në, pasi ata me të njëjtin argument si në rastin e parë, atakonin këtë vendimmarrje edhe për Partinë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut.


"Kërkojmë ndryshimin e vendimit të KQZ-së, datë 21.05.2009, duke përfshirë PDK-në dhe PBDNJ-në në listën e partive politike të shumicës parlamentare që kanë të drejtë të marrin pjesë në shortin për anëtarin e tretë të GNV-ve", thuhet në aktpadinë e paraqitur prej PS-së, ku dhe pretendohej se një vendim i tillë prek haptazi Kodin Zgjedhor dhe parimin e përgjithshëm të barazisë për të gjitha forcat në zgjedhje. Ndërkohë që kërkesëpadia e socialdemokratëve kishte të bënte vetëm me PDK-në.


Shqyrtimi


Në bazë të këtyre dy kërkesave, trupa e Kolegjit Zgjedhor ka thirrur dje seancën, ku dhe ka dëgjuar pretendimet e të gjitha palëve që janë të interesuara, përfshi këtu dy forcat paditëse, PDK-në, PD-në, por dhe KQZ-në.


Kështu, socialistët, në argumentimin ligjor që i kanë bërë kërkesës së tyre, kanë evidentuar se vendimi i KQZ-së për të kaluar në forcat e pakicës parlamentare PDK-në dhe PBDNJ-në, bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, pasi një përcaktim i tillë nuk bëhet mbi bazën e rezultateve që vetë ky komision ka certifikuar në zgjedhjet e 2005-ës, por mbi tekat që Kryetarja e Kuvendit ka shprehur në letërkëmbimin që ka shkëmbyer me këtë komision për këtë çështje.


Ndërkohë, një argumentim të ndryshëm kanë patur përfaqësuesit e PD-së në kolegj, të cilët kanë theksuar se për hedhjen e shortit është marrë për bazë rreshtimi që këto forca kanë patur në momentin e marrjes së vendimit.


Por, ndryshe nga socialistët, demokratët kanë folur për shumicën qeverisëse dhe atë opozitare dhe jo për shumicën dhe pakicën parlamentare. Kundër demokratëve kanë qenë dhe vetë demokristianët, të cilët i kanë kërkuar trupit gjykues që t'i rendisë aty ku edhe e kanë vendin, pra në gjirin e forcave të djathta.


Ata e kanë konsideruar të turpshme përpjekjen e demokratëve për t'i renditur majtas, ndërkohë, midis tyre ekziston ende një marrëveshje bashkëpunimi e arritur më 2005-ën dhe që deri më sot nuk është abroguar. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, anëtarët e gjykatës janë tërhequr për të marrë vendimin.


Por, kompleksiteti i çështjes e ka bërë të vështirë vendimmarrjen e trupës së kolegjit, e cila ka diskutuar mes veti më shumë se një orë para se të shpallte vendimin për miratimin e pjesshëm të kërkesës së socialistëve, duke i dhënë të drejtë për PDK-në, por duke rrëzuar pretendimet për PBDNJ-në.


Si përfundim, PDK-ja është renditur në listën e forcave të shumicës parlamentare, ndërsa PBDNJ-ja në atë pakicës. Në këtë mënyrë është shmangur mundësia që GNV-të të kishin një përbërje 3 me 1 në favor të së djathtës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›