Paditet sërish MEICO për shkaktim dëmi
Laureta Rryçi
Tiranë - Ndërmarrjes “MEICO” i është shtuar dje një tjetër padi për shkaktim dëmi. Kërkesa civile e Dile Ndoj është depozituar dje në Gjykatën e Tiranës duke shënuar kështu padinë e radhës ndaj kësaj ndërmarrje në këto muajt e fundit. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se padia ka kaluar fazat e para të procedurave duke u hedhur në short elektronik për t’u gjykuar nga gjyqtari Altin Shkurti. Ndaj kësaj ndërmarrje në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar disa padi për shkaktim dëmi nga banorët e prekur nga tragjedia e Gërdecit. Banorët e dëmtuar kanë fajësuar jo vetëm Ministrinë e Mbrojtjes por edhe këtë ndërmarrje për pasojat që solli për ta tragjedia. Pjesa më e madhe e banorëve të Gërdecit fillimisht ia bashkëngjiten padinë e tyre dosjes për gjykim të prokurorisë. Mirëpo Gjykata e Lartë vendosi që këto padi të gjykoheshin më vete për shkak të objektit civil që kanë ato.
Padia
Ndërsa Yll Pinarit ndodhet në qeli të tjerëve u duhet të japin llogari për dëmet e shkaktuara nga “MEICO”. Për pasojat e kësaj ndërmarrjeje, kërkojnë dëmshpërblim jo pak qytetarë të cilët kanë zgjedhur rrugën ligjore qoftë individuale ashtu edhe në grup për të marrë drejtësinë që u takon. Një prej tyre është edhe Dile Ndoj, e cila ka zgjedhur të njëjtën rrugë ligjore, individuale për të marrë dëmshpërblim financiar për dëmin e shkaktuar. Të njëjtat burime shpjegojnë se paditësja ende nuk e ka përcaktuar shumën financiare që do të kërkojë për dëmshpërblim. Pritet që kjo shumë të përcaktohet gjatë seancave në vijim ose mund të lihet edhe në çmim të gjykatës.
Pasojat
Nëse gjykata do të pranojë kërkesat e të dëmtuarve nga “MEICO” atëherë kjo ndërmarrje bën mirë të zgjidhë qesen për të paguar dëmet e shkaktuara nga ish- eprori i saj, Ylli Pinari. Vetëm një grup banorësh kërkojnë si dëmshpërblim financiar më shumë se 40 milionë lekë të reja në total pa përfshirë këtu dhe shpenzime shëndetësore që ata pretendojnë se kanë harxhuar gjatë kësaj periudhe për të rimarrë veten si nga ana psikologjike ashtu dhe shëndetësore.
Të dhëna zyrtare pas tragjedisë që janë në dosjen për gjykim
26
viktima është bilanci i shpërthimit të fabrikës së demontimit
27
persona u plagosën rëndë nga tragjedia më e rëndë që ka ndodhur në Shqipëri
109
persona u plagosën lehtë nga kjo vepër e rëndë penale
67
persona pësuan dëmtime të të tjera të lehta nga shpërthimi
61
persona të tjerë u trajtuan në spitale, për të cilët nuk u mundësua përcaktimi i shkallës së dëmtimit
5829
personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë
13
ferma bujqësore dhe blegtorale pësuan shkatërrim total
102 500 000
lekë është dëmi material që i është shkaktuar Shtetit ku përfshihen shkatërrimi dhe dëmtimi i objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre
1 323 600 354
lekë është dëmi material shkaktuar Shtetit nga vepra penale e shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura
5 Qershor 2009