Menaxhimi i mbetjeve, projekt 2 milionë euro
Shembuj nga Anglia e Skocia për të administruar mbetjet kimike e organike në Shqipëri. Ndërhyrjet për zbatimin e Direktivës Kuadër, ishin në fokus të seminarit të djeshëm në rang specialistësh. Janë rreth 2 milionë euro të financuara nga Bashkimi Evropian për të vënë në jetë projektin në fjalë. Planifikimi i menaxhimit të mbetjeve përfshin planin kombëtar për to, ndërkohë që një ndër pikat e rëndësishme është dhe pjesëmarrja e publikut dhe konsultimi me të. Në seminar u sollën shembuj të zbatimit të Direktivës Kuadër për mbetjet në Skoci dhe Danimarkë nga ekspertët e menaxhimit të mbetjeve, Scott Crossett dhe Bent Raben. Ndërsa, legjislacioni shqiptar aktual në sektorin e administrimit të mbetjeve u prezantua nga eksperti ligjor, Florian Xhafa. Projekti “Plani i Zbatimit të Direktivës Kuadër të Mbetjeve”, ka nisur në maj të vitit 2008 dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2010. Administrimi i mbetjeve në vendin tonë mbetet një sfidë e domosdoshme. Ndërsa në ligj janë bërë një sërë ndërhyrjesh premtuese, në praktikë mbetet ende shumë për të bërë.