E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza veriore e Fushë-Krujës, ndërtimi nis në korrik

 

Në korrik do të nisë puna për ndërtimin e unazës veriore në Fushë-Krujë. Ndërtimi i kësaj unaze do të bëhet i mundur falë një kredie të BKT-së. Dje Drejtori i BKT-së Pekhan Isipek dhe kreu i Bashkisë së Fushë-Krujës Ismet Mavriqi, firmosën dje marrëveshjen e parë tregtare me një njësi vendore. Kjo hua tregtare u bë e mundur me anë të asistencës së USAID-it. Me këtë hua do të financohet një nga tre segmentet e unazës veriore të qytetit, në qytetin e Fushë-Krujës. Shuma totale e huasë është 100 milionë lekë, me një normë interesi prej 6 muajsh bono thesari plus 3.08 për qind dhe periudha e maturimit është 8 vjeçare. “Huaja e parë tregtare për një njësi vendore përfaqëson gurë themeli për procesin e decentralizimit në Shqipëri. Aftësitë e pushtetit vendor për të marrë hua fondet e nevojshme në mënyrë që të zbatojnë projekte investimesh që do t’i mundësonte bashkive ofrimin e shërbimeve më të mira për komunitetin dhe për të promovuar në mënyrë efektive rritje ekonomike vendore. Ky instrument i ri financimi u jep njësive vendore një mekanizëm të shkëlqyer për të adresuar nevojat që ato kanë”, u shpreh dje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes drejtoresha e misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney. Unaza veriore e qytetit ka një gjatësi prej 2.8 km dhe mund të ndahet në dy segmente, së pari rruga ekzistuese kombëtare e cila ka një gjatësi prej 1.2 km, dhe pjesa e dytë është rruga ekzistuese rurale me një gjatësi prej 1.6 km, e cila lidh rrugët e brendshme të qytetit me rrugën kombëtare Fushë-Krujë-Milot. Pikërisht për ndërtimin e segmentit të dytë, bashkia ka marrë një hua tregtare prej 100 milionë lekësh. Sipas projektit segmenti i dytë i kësaj rruge dhe autostrada kombëtare do të lidhen me një mbikalim. Ministria e Transportit ka miratuar tashmë ndërtimin e këtij mbikalimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›