Dështon qeveria, shtyhet afati për njohjen e pronës
Fund dhjetori i vitit 2011 është afati i fundit i procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave
TIRANË- Qeveria pranon dështimin në zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe kërkon nga Kuvendi që të ndryshojë afatin për kryerjen e procesit të kthimit dhe kompensimit së saj. Në projektligjin e paraqitur në Kuvend ekzekutivi ndërsa njeh mos respektimin e afateve të përcaktuara në ligj për realizimin e këtij procesi brenda datës 30 qershor të këtij viti, propozon si zgjidhje që të shtyjë këtë afat edhe me dy vjet të tjera. Në nenin 6 të draftit të paraqitur propozohet zgjatja e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme, megjithëse ligji i vitit 2004 kishte parashikuar, që ai të përfundonte deri më 30,06.2009.
Madje në relacionin shoqërues të këtij projektligji hartuesit e tij nuk kanë nguruar të theksojnë se "Për shkak të kompleksitetit të çështjes, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka arritur të përfundojë shqyrtimin e kërkesave për njohje, kthim apo kompensim brenda këtij afati". Për këtë arsye, vijohet më tej në relacion, është bërë e nevojshme zgjatja e afatit deri në datën 31 dhjetor të vitit 2011, afat i cili mendohet i mjaftueshëm nga specialistët e AKKP-së për përfundimin e këtij procesi.
Por ndërsa ka parashikuar shtyrjen e afatit për përfundimin e të gjithë procesit, në projektligj nuk bëhet e qartë sesa do të zgjasë procesi i pranimit të kërkesave të reja nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kështu ndërsa në nenin 3 të këtij projektligji i cili ndryshon pikërisht nenin 17 të ligjit bazë parashikohet që "AKKP-ja shqyrton kërkesën për kompensim jo më vonë se 3 muaj nga data e regjistrimit të saj", në të nuk bëhet e qartë se deri në çfarë afati qytetarët kanë të drejtë të paraqesin kërkesat.