E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhënia e tapive, afati i dorëzimit të dokumenteve deri në 1 tetor 2013

Komisioni i Ligjeve / Foto arkiv

Luis Tanushi

Qeveria ka përcaktuar tetorin e 2013-ës si datën e përfundimit të procesit të dhënies së tapive të gjithë fermerëve që kanë në përdorim tokën dhe që e punojnë atë. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve u miratua drafti i paraqitur nga Ministria e Bujqësisë që përcakton se të gjithë fermerët që kanë në zotërim tokë bujqësore, por që e kanë në përdorim dhe jo me certifikatë pronësie, kanë afat deri më 1 tetor të vitit të ardhshëm të plotësojnë dokumentacionin. Ky është afati i fundit i vendosur për kryerjen e procedurave për pajisjen me hipotekë të zotëruesve të tokës.

Ata që vulosin dhe legalizojnë dokumentet do të jenë kryetarët e komunave ose të bashkive. Pas kësaj date, ligji do të shfuqizohet dhe të gjithë ata persona që nuk kanë kryer procedurat e regjistrimit në pronësi të tyre të tokave bujqësore të ish-NB-ve, do të humbasin të drejtën ligjore mbi këto toka. Por, data e përcaktuar është vetëm tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve duke ngritur dyshime te opozita se mazhoranca kërkon të përfitojë politikisht për në zgjedhjet parlamentare të cilat do të zhvillohen në korrik. Ligji ka për qëllim rregullimin ligjor të kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, familjeve bujqësore ose individëve që e kanë atë në përdorim si dhe dhënien e saj drejtpërdrejt në pronësi.

Familjet bujqësore apo individët të cilët e kanë në përdorim dhe që në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë banorë të komunës apo bashkisë, pa ndryshuar vendbanim që nga viti 1992, do të përfitojnë certifikatën e pronësisë. Përfitues do të jenë dhe ato familje bujqësore, të cilat kanë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore me vendime të posaçme qeverie. Sipërfaqja e tokës bujqësore që do të jepet në pronësi do të jetë e barabartë me tokën që familjet bujqësore apo individët e përdorin për veprimtari bujqësore, por në asnjë rast më e madhe se sipërfaqja që do t’u takonte nga ligji 7501.
Ndalohet
Ligji ndalon dhënien e akteve të pronësisë për pronat e regjistruara në regjistrin e pasurive të paluajtshme si pronë private, për tokat bujqësore që janë përfshirë në procesin e legalizimeve apo për tokat që janë objekt i konflikteve gjyqësore.

Mazhoranca në vështirësi
Mungesa e votave e detyroi maxhorancën që të thërrasë të tre deputetët e saj zëvendësues për të votuar ligjin për tokat. Madje, Kryetari i Komisionit u detyrua që të ndërpresë mbledhjen për ta rifilluar në orën 14:00. Të pranishëm në mbledhjen e pasdites së djeshme, e cila u bojkotua nga deputetët e majtë, ishin dhe tre deputetët zëvendësues: Lajla Përnaska, Florian Mima dhe Fatbardh Kadilli. Vështirësia për votat ka detyruar të djathtën që të caktojë orare të ndryshme për mbledhjet e komisioneve dhe ti blindojë me dy apo tre deputetë të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›