E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dështon shitja e hotel “Dajtit”

28/05/2005  Biznesmenët bojkotojnë ankandin, duan tender pas zgjedhjeve

Ka dështuar për herë të tretë tenderi për shitjen e hotel “Dajtit”, duke e zgjatur dhe më shumë historinë pesëvjeçare të privatizimit. Tenderi i zhvilluar dje nuk ka mundur të shqyrtojë asnjë ofertë, pasi të gjithë subjektet kishin tërhequr ofertat e tyre. Procesi i privatizimit te hotel "Dajti" ka dështuar dy herë të tjera në të shkuarën. Ndërkaq, kreu i Komisionit të AKP-së ka deklaruar se do të shtyhet për dhjetë ditë afati i prezantimit të ofertave, duke u dhënë kohë kompanive “të penduara” të riparaqesin ofertat e tyre. Por duket se të gjithë subjektet e ofruara për të blerë hotel “Dajtin”, kanë gjetur gjuhën dhe kanë vendosur të bojkotojnë tenderin. “Ne kërkojmë që ai të bëhet pas procesit zgjedhor dhe të mos jetë nën presion“, ka deklaruar kreu i një konsorciumi shqiptar, të përbërë nga 15 kompani, Koço Kokëdhima. Sipas përfaqësuesve të këtij konsorciumi, duket se dhe dy kompanitë e huaja të ofruara për të blerë hotel “Dajtin”, kanë rënë dakord me kompanitë shqiptare për t’u tërhequr nga gara. “Ne i kemi bërë një ofertë qeverisë shqiptare dhe një garanci financiare 6-mujore, e cila do të jetë e vlefshme edhe pas zgjedhjeve për qeverinë e re që do të formohet“, ka sqaruar Kokëdhima. Kështu, duket se të gjithë subjektet e interesuar kanë vendosur të mos marrin pjesë në asnjë nga ftesat e AKP-së, deri sa të mbarojnë zgjedhjet.

Agjencia Kombëtare e Privatizimeve ka bërë të ditur se vlera fillestare e hotel "Dajtit" në momentin e shitjes, do të jetë 1 miliard e 800 milionë lekë. Hotel "Dajti" i ndërtuar në vitin 1943, ka arkitekturë italiane të stilit roman. Edhe pse jo një ndërtesë e lartë, "Dajti" ka një shtrirje të gjerë në një truall me sipërfaqe 8 mijë e 760 metra katrorë. Ai ka një kapacitet prej 98 dhoma, nga të cilat 38 janë dhoma dyshe. Në mjediset e tij ka restorant me 100 vende, sallë konferencash, tavernë, parking, si dhe mjedise të nevojshme shërbimi. Përveç këtyre, hoteli ka edhe mjedise të tjera "underground" me një sipërfaqe totale prej 2 mijë e 345 metra katrorë.

1.87 miliardë lekë

oferta për hotelin

8760 metra2

hapësira e hotelit

1.6 miliardë lekë

vlera e truallit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›