E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shoqëritë e sigurimit u bënë si dqyane perimesh

28/05/2005  Kreu i Shoqatës së Siguruesve flet për kaotizmin që ka përfshirë tregun e sigurimeve

Z.Ponari, cili është opinioni juaj për industrinë e sigurimeve në Shqipëri?

Kanë kaluar shpejt gjashtë vjet dhe duket se tregu i sigurimeve është kthyer atje ku ka qenë. Ka ndryshuar vetëm norma e rritjes së kompanive në treg me 11 kompani sigurimi, 8 kompani jo-jete dhe 3 kompani sigurimi jete. Pyetja më me vend mund të jetë, a ka vend tregu shqiptar i sigurimeve për 11 shoqëri sigurimi??? Dhe a zhvillohet tregu i sigurimeve të një vendi, duke shtuar numrin e shoqërive të sigurimit apo ka mekanizma të tjerë që të zhvillojnë këtë tregti??? Natyrisht për të dy rastet përgjigjja është negative.

Akoma nuk po kuptohet se industria e sigurimeve është njëra nga tri shtyllat e zhvillimit të ekonomisë së një vendi. Në vendet e zhvilluara, ky treg ka mbi 300 vjet që vepron me rregullat e tij strikte, që do të thotë se ka mbi 300 vjet që gjërat rrjedhin natyrshëm nga brezi në brez. Trashëgimitë transferohen nga brezi në brez. Nëse dikush vdes në perëndim, çfarëdo moshe qoftë, pas vetes lë një trashëgimi, një police sigurimi me një shumë të caktuar, që u shërben brezave pasardhës. Por çfarë ndodh tek ne. Kemi shtuar vetëm numrin e shoqërive dhe kemi bërë një treg të ashpër për shkaqe që dihen. Mungon oferta për ta rritur tregun. Çdo bëjnë 11 shoqëri me 35 milionë euro në vit. Ato para nuk mjaftojnë as për shpenzime administrative. Le të analizojmë pak shifrat. Aktualisht, në Shqipëri paguhet 10 euro për frymë sigurime në vit. Maqedonia fqinje ka 70 euro për frymë. Kroacia ka rreth 250 euro për frymë. Sllovenia ka mbi 1000 euro për frymë, pa folur për vendet e komunitetit evropian, që shpërndarja është nga 1500 deri në 4000 euro për frymë në vit.

Çfarë sugjeroni ju për zhvillimin e këtij tregu?

Natyrisht përvoja ime 12-vjeçare, edhe e kolegëve të mi në këtë fushë dhe me përvojën e vendeve të zhvilluara, mund të thuhet se e kemi të lehtë të ecim në të njëjtën rrugë pa qenë nevoja të krijojmë gjëra të reja, por duke i përshtatur gjërat me kushtet e vendit tonë. Unë, personalisht, do të shqetësohesha për mungesën e legjislacionit në këtë fushë dhe se sa i pambrojtur është qytetari shqiptar përballë zhvillimit të egër të ekonomisë së tregut. Sa herë kemi dëgjuar për helmime, dëmtime shëndetësore nga produktet që sot janë në treg, qytetari ka humbur punën, është paralizuar dhe ka humbur jetën. Ku duhet të kërkoj ai dëmshpërblim dhe nga kush, çfarë të drejtash i jep atij ligji dhe si e mbron atë. Sa herë keni dëgjuar për djegie të shtëpive, dyqaneve e magazinave dhe me atë rast të dëmeve shkaktuar të tjerëve. Kush duhet të paguaj, kush do ta detyrojë të më paguaj. Në disa vende nuk ka polici ndërtimore, por ka përgjegjësi të siguruar për çfarë po ndërton dhe si po e zbaton projektin. Që t’u japësh përgjigje këtyre pyetjeve, duhet ndërtuar urgjentisht strategjia e zhvillimit të tregut nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mbrojtja financiare e qytetarëve. Kush duhet ta bëjë këtë strategji. Natyrisht është përgjegjësi e atyre që kanë dhënë licensat dhe po e çojnë tregun në konflikt social.

Mendoni që duhen bërë edhe ndryshime në legjislacion?

Natyrisht që po. Jo vetëm duhen bërë ndryshime, por duhet zbatuar me rreptësi legjislacioni ekzistues. Prej 7 vitesh, AMS ka ndryshuar së paku kryetarët 5 herë, stafet kanë ikur e ardhur sipas kryetarëve. Mbikëqyrja ka filluar të punojë pa këqyrur asnjë ditë në sigurime. Ndërtimi i një mbikëqyrjeje me të njëjtin status, siç është Banka e Shqipërisë, është domosdoshmëri për ekzistencën e kësaj industrie. Me miratimin e ligjit të sigurimeve, nuk u mor parasysh asgjë e propozuar nga shoqata e Siguruesve të Shqipërisë. Prandaj dhe ligji ka të meta të mëdha. Le të sjell vetëm një fakt. Ligji për prokurimet publike është detyrues edhe për sigurimet, ku bazë është çmimi më i ulët. Në të vërtetë, sigurimet kanë elementë të tjerë, si kapitali, rezerva teknike, aftësia paguese, marrëveshja risiguruese etj. Çfarë mund të ndodhë sikur për sigurimin e një banke private apo të një objekti tjetër me vlera të mëdha, ta marrë përsipër për të siguruar një kampani e sapo dalë në treg dhe pas dhjetë ditësh të ketë një dëm 10 deri në 15 milionë euro. E shumë gjëra të tjera. Solla vetëm këtë fakt, pasi për shkak të konkurrencës dhe çmimit më të ulët, natyrisht që fiton ajo shoqëri që nuk garanton asgjë.

Çfarë ndikimi ka hyrja në treg e kompanive të reja. Çfarë ndryshimi pritet të sjellin?

Natyrisht që nuk është e lehtë për ato që janë të reja dhe as për ne, që, tashmë po bëjmë shtatë vjet në treg. Nuk sollën asgjë të re në treg, përveç uljes së tarifave të primit të sigurimeve, për të cilat ato do t’i vuajnë pasojat shumë më shpejt se pjesa tjetër e tregut. Natyrisht që nuk dua të flas për detyrimet që ka AMS-ja, por do them vetëm se, që tregu të funksionojë, duhet të funksionojnë gjithë rregullat e lojës. Ato duhet të marrin në sigurim aq sa ju lejon ligji, duhet të kenë programe të sigurta risigurimi, të respektojnë tarifat e sigurimit të detyrueshëm dhe të mos ulin tarifat në sigurimet vullnetare. Të luajnë brenda rregullave të lojës e të zbatojnë ligjin, mbi bazën e të cilit janë licensuar.

Ndryshimi i tarifave të sigurimit të TPL, çfarë të reje solli në treg?

Në të vërtetë nuk ka ndryshuar asgjë. Ndryshimi është bërë de jure tani, sepse me këtë tarifë punohej nga të gjitha shoqëritë. E pabesueshme, por e vërtetë, kjo ndodh në Shqipëri. Pasojat do ndjehen shpejt sipas meje, pasi ky prim nuk është primi i vërtetë, ai s’mund të ishte më i vogël se 300 euro në vit. Le të shohim vetëm dy taksa që aplikohen sot për automjetet. Kështu, 7000 lekë është taksa që paguhet si taksë rrugore, dhe klienti nuk përfiton asgjë nga ajo. Ndërkaq, 5000 lekë është gjoba që vendos Bashkia e Tiranës, në se ke parkuar gabim në Tiranë. Çfarë mund të thuash për një prim sigurimi 6000 lekë, për të cilin duhen paguar dëme. Të rejat duhen kërkuar jo te primi, por te numri i shoqërive të sigurimit në treg. Të shkatërrosh një treg, është fare e lehtë të bësh këtë që është bërë në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›