E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hidhet në qarkullim patenta e re

28/05/2005  Kushton 5 mijë lekë dhe ka mbi 20 elementë sigurie

Ministri i Transporteve, Spartak Poçi, ka qenë qytetari i parë i pajisur me patentën e re, e cila tejkalon dhe kriteret e patentave në vendet e BE-së. Mbi 20 elementë sigurie, mes të cilave shenjat e gishtërinjve dhe shiriti manjetik, që nuk e kanë vendet e tjera, janë përfshirë në patentën e re, e cila do të hidhet në qarkullim javën që vjen.

“Patentat e reja do të hidhen në qarkullim në fillim të javës tjetër dhe kushdo mund të vijë ta tërheqë në këmbim të 5 mijë lekëve“, ka deklaruar Shpëtim Cami, drejtor në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor. Sipas Camit, patenta e re ka filluar prej kohësh prezantimin në të gjitha vendet e BE-së dhe ato të rajonit, dhe do të jetë e pranueshme prej tyre, pasi ka përmbushur të gjitha kriteret. “Patenta ka tejkaluar detyrimet e saj për sa i takon standardeve, pasi ka mbi 20 elementë sigurie, mes të cilave dhe shenjat e gishtave që nuk i kanë as patentat në BE“, ka sqaruar Cami. Në këtë pikë, duket se Cami është mbështetur dhe nga ministri i Transporteve, Poçi, i cili ka ftuar të gjithë shoferët të marrin patentën e re, me të cilën do t’u njihet e drejta e drejtimit të një automjeti në të gjithë Botën. “Patenta e re ka më shumë elementë sigurie se vetë pasaporta, madje përmban dhe grupin e gjakut“, ka bërë të ditur Spartak Poçi. Nga ana e vet, Drejtoria e Shërbimit Rrugor ka filluar prezantimin e patentës në të gjitha vendet e Evropës, duke shpërndarë specimenin nëpërmjet ambasadave tona. “Ne kemi njoftuar Ministrinë e Jashtme të fillojë shpërndarjen e specimenit kudo ku gjenden ambasadat tona“, sqaron Shpëtim Cami.

Patenta e re është shtypur nga një firmë hungareze, që fitoi tenderin para një viti dhe që ka bërë të mundur të hedhë në treg patentën në një kohë rekord. “Zakonisht kjo tip patente kërkon një kohë prej tre vjetësh për t’u përgatitur, por ne kemi bërë të mundur shkurtimin e kohës në një vit“, ka deklaruar Bull, një prej përfaqësuesve të firmës hungareze. Ndërkaq, sipas drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Rrugor, bëhet e ditur se deri më sot, ministria ka bërë të mundur prezantimin e patentës në Belgjikë, Vjenë, Itali dhe në të gjitha vendet e Rajonit Juglindor. Kjo do të thotë se të gjithë emigrantët që janë në këto vende, apo shtetasit shqiptarë që lëvizin me makinat e tyre, automatikisht kanë në funksion patentën e re.

Elementët e sigurisë

Shenjat e gishtërinjve

Shiriti manjetik

Grupi i gjakut

300 mijë automjete

450 mijë shqiptarë kanë patenta

2.25 miliardë lekë nga shitja e patentave

Si merret patenta e re

Patenta e re ka zëvendësuar jo vetëm patentën e vjetër, por dhe atë ndërkombëtare, duke përmbushur kështu automatikisht të dyja funksionet. Kushdo që kërkon të tërheqë patentën e re, mjafton të shkojë në Drejtorinë e Shërbimit Rrugor me patentën e vjetër me vete dhe një certifikatë me katër fotografi, vërtetimin e banimit si dhe një dokument të lëshuar nga policia, që kushton 6 mijë lekë të vjetra. Të gjitha këto dokumente do të dorëzohen në Drejtorinë e Shërbimit Rrugor dhe, pasi të paguajë 5 mijë lekë, mund të tërheqë patentën e re. Ndërkaq në drejtori bëhet e ditur se për të gjithë shtetasit që janë jashtë shtetit, do të bëhet e mundur tërheqja e patentës në të njëjtën mënyrë, pa qenë nevoja të paraqiten personalisht, por vetëm duke dërguar patentën e vjetër ndërkombëtare ose një kopje të noterizuar të saj me një nga familjarët. Duket se më shumë të interesuar për tërheqjen e patentës së re janë emigrantët, të cilët përfitojnë dhe më shumë nga standardi i lartë i patentës së re, që e bën patentën e tyre ekuivalente me patentat e vendeve ku janë. Ndërkaq bëhet e ditur se procedurat e vjetra të rinovimit të patentave, në rastet kur ka humbur apo i ka skaduar vlefshmëria janë eliminuar për të bërë më të lehtë rinovimin e tyre. Kjo do të thotë se nuk duhet të dorëzosh më një raport mjekësor me tri vula, në rast se të ka kaluar afati i mbajtjes 10 vjet të patentës apo ke kaluar moshën mbi 60 vjeç.

Patenta e re do të ketë të njëjtën vlerë si për shtetasit shqiptarë dhe për ata emigrantë. Kështu, sipas të dhënave në Drejtorinë e Transportit të Shërbimit Rrugor, rezulton se janë të regjistruar me patentën e shoferit rreth 350 mijë persona. Kjo do të thotë se një ndërtim total i patentave të vjetra do t’i sillte shtetit një fitim prej 2.25 miliardë lekësh të vjetra.

Dokumentet për të tërhequr patentën e re

Vërtetim banimi 50 lekë

Certifikatë 50 lekë

Fotografi 4 copë 250 lekë

Vërtetim nga policia 600 lekë

Patentën e vjetër

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›