E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon takimi PS-LSI, Meta: Dyshoj tek PD e PS

Socialistët nuk i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për zhvillimin e një takimit me LSI-në për çështjen e reformës zgjedhore dhe që kishte të bënte me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. 

Dje paradite ishte paralajmëruar një takim mes krerëve të grupeve parlamentare LSI-së, Pëllumb Xhufi dhe të PS-së, Valentina Leskajn. Në këtë takim pritej të ishin edhe bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për Kodin e Ri, socialisti Fatmir Xhafaj dhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Por mungesa e Xhafajt ka qenë argumentimi për mos zhvillimin e takimit të parë mes PS-së dhe LSI-së, i cili do të tentohej edhe shkrirja e akujve mes dy partive kryesore të opozitës në vend. Kjo gjë ka sjellë më pas edhe reagimin e kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili ka hedhur dyshime për një pakt mes pozitës dhe opozitës. Meta bëri të ditur se ka mandatuar kreun e LSI-së, Xhufi për të zhvilluar takim me kreun e grupit të PS-së, Leskaj. "Nuk kam ndonjë informacion më konkret për këtë takim. Por dua t'ju informoj se Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka angazhuar Kryetarin e Grupit parlamentar dhe zv.kryetarin e LSI-së, Xhufi që të zhvillojë takime me kryetaren e Grupit të PS, por edhe me përfaqësues të tjerë të forcave politike në Kuvend, lidhur me çështjet më të rëndësishme të Reformës Zgjedhore dhe Kodit të ri Elektoral për të bërë të qarta qëndrimet tona, lidhur me të gjitha çështjet që duhet të prekë Kodi Elektoral", deklaroi Meta. Komisioni për Kodin Elektoral për të mbarojë punë brenda këtij muaji, por përplasjet për çështje të ndryshme mund të sjellin e shtyrjen e votimit përfundimtar të draftit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›