E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të njëjtët deputetë votuan Topin në 2007

Një vit më parë Kuvendi kishte ditën më historike dhe sfidën më të madhe të tijën, atë të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. 

Më 20 korrik të 2007-ës, Kuvendi duhej të realizonte votimin e katërt për presidentin e ri të vendit, por opozita nuk merrte pjesë në seancë dhe se mungonte numri i 84 votave për të zgjedhur kreun e shtetit. Pikërisht këta deputetë që aktualisht krijuan grupin e ri parlamentar, shpëtuan edhe mandatin e qeverisë dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme. Stërkaj, Hushi, Stafa dhe Durim Lamaj, pjesëtarë të grupit parlamentar të PS-së, të njohur si mbështetës të ish-kryetarit të socialistëve, Fatos Nano, dhanë kontributin e tyre, duke marrë pjesë në votimin për kreun e ri të shtetit. Bashkë me to ishin dhe dy deputetët e tjerë socialistë, Hamit Kosta dhe Taulant Dedja. Pas këtij votimi të gjashtë deputetët u përjashtuan nga grupi parlamentar i PS-së, duke e cilësuar vendimin e tyre si "tradhti" ndaj opozitës. Ndërsa votimin e tyre, të gjashtë deputetët e cilësuan si një mundësi për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme dhe për të krijuar stabilitet politik. Pas kësaj, deputetët kanë lëvizur duke u përfaqësuar në grupe parlamentare të ndryshme, që janë si pjesë të maxhorancës së republikanëve apo dhe të demokristianëve. Pas kësaj kjo është një lëvizje e re politike. Aktualisht i vetmi deputet i pavarur është Taulant Dedja, i cili nuk është angazhuar në ndonjë grup parlamentar. Më parë të pavarur kanë qenë deputetët si Durim Hushi, Bukurosh Stafa dhe Durim Lamaj, të cilët prej një viti nuk i ishin bashkangjitur ndonjë grupi parlamentar të së majtës, apo të së djathtës. Këta deputetë njihen edhe si mbështetës të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›