E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riviera, etje mbijetese mes çmimeve të larta e pluhurit të rrugëve

Nga Tirana në Palasë makina nuk ankohet. Rruga shkon vaj. Sepse edhe segmenti-gangrenë, Lushnjë-Fier i rrugës, pothuaj është përfunduar. 

Nga i dërguari ynë, Ferdinand Dervishi

Madje humori të ngrihet edhe më tepër pas pushimit për kafe apo një tas kos deleje mes hijes së pishave në Qafën e Llogarasë. Më tej, magjia e rrugës së asfaltuar në të dyja korsitë dhe me vepra arti të përfunduara vazhdon deri në Dhërmi. Jo në qendër, por aty ku udha kthen djathtas, për në plazh. Një metër më tej magjia zhduket, rrotat e para rrëzohen në asfaltin e kohës së diktaturës dhe makina nis të kuisë mes gropave. Deri në plazhin e Dhërmiut kushtet e udhëtimit, nëse motori i makinës së vjetër nuk të nxehet në LLogara, në ngjitje, janë brenda të gjitha standardeve. Kjo si dhe ideja e rrugës së keqe, që vazhdon më tej apo edhe largësia e plazheve të tjera, të bëjnë të mendosh se Dhërmiu, të paktën gjatë kësaj vere, do të jetë i përzgjedhur nga turistët. Por gabohemi. "Tani, 15-ditshin e dytë të korrikut, na kanë ardhur ca turistë. Të shpresojmë që në gusht do të shtohen, sepse dhoma bosh kemi ende sa të duash", thotë Harilla Theodhorjani, një i moshuar nga Palasa, që e takojmë pikërisht aty ku rruga e mirë përfundon për t'u kthyer djathtas për në plazh. I njëjti shpjegon se çmimet e dhomave janë paksa më të kripura se një vit më parë, por sipas tij ky fenomen nuk ka asnjë lidhje me konfortin e udhëtimit për në Dhërmi. "Poshtë në plazh tani çmimi i një garsoniere është pothuaj fiks 5 mijë lekë për 24 orë, ndërkohë që lart, në fshat, gjen me shumicë dhoma me 3 mijë lekë, kuptohet që nuk i kanë kushtet më të mira dhe mungon të paktën ajri i kondicionuar. Të njëjtin çmim kanë edhe dhomat e plazhit në Palasë", e mbyll shpjegimin plaku.
Një udhëtim i vështirë
Nga kthesa e plazhit të Dhërmiut e në vazhdim rruga e ngushtë e kohës së diktaturës nuk ka ndryshuar, edhe pse Qeveria aktuale ka vendosur që deri në vitin 2010 të mbyllë përgjithmonë hesapet me autostradën e bregdetit të jugut, duke lëvruar edhe fondet. E njëjta rrugë e vjetër, ku nuk është kryer asnjë lloj punimi i dukshëm, vazhdon nga Dhërmiu në Liaz (Manastir) e më tej në Vuno. Fshati i njohur pothuaj nuk përfshihet në guidat turistike, mbase për shkak të infrastrukturës së pazhvilluar, pasi banorët ende nuk kanë ndërtuar në masë dhoma plazhi. Por edhe plazhet janë larg. Më i afërti është në Gjipe, në të hyrë, dhe tjetri është në Jalë, pasi lë pas fshatin. Në fakt, rruga për në plazhin mahnitës të Gjipesë do të ndërtohet së shpejti. Të paktën kështu lexohet në një tabelë ndanë rrugës. Për të janë dhënë nga qeveria 29 milionë lekë dhe afati katër muaj, i shkruar në tabelë, thotë se përfundon brenda këtij viti. Duke u ankuar për rrugën e keqe, makina vazhdon të kuisë edhe pasi lë Vunonë. Por aty ku është degëzimi për në Jalë, panorama ndryshon. Në drejtim të Himarës rruga është bërë krejt e re, e sapoasfaltuar dhe me dy korsi. Janë rreth 6 kilometra nga kthesa e Jalës deri në varrezat e Himarës, ku firma "Gjikuria" si duket e ka marrë shumë seriozisht. Pas dy kilometrash udhëtimi komod, gomat bien në çakëll dhe pluhuri pas tyre mbulon qiellin. Për më keq në të tatëpjetën e fortë të Qafës së Vishnjës, ku këndi i pjerrësisë shënon 17 gradë, më i lartë edhe se në Qafën e LLogarasë, udhëtimi ndërpritet. Punëtorët janë duke bërë shpërthime me eksploziv për të zbutur një kthesë në afërsi të përroit. Sinani, një shofer që ka bllokuar kalimin me kamionin e vet, luan edhe rolin e qetësuesit të shoferëve, që tashmë kanë parkuar makinat duke formuar një mini-autokolonë. "Mos u mërzisni, ka edhe një shpërthim, fadroma do pastrojë rrugën dhe... udhë të mbarë", shqipton Sinani përmes mustaqeve me tonin e një përcjellësi të sprovuar. I njëjti sqaron me kompetencë se firma "Gjikuria" që e ka punësuar, do ta përfundojë pjesën e vet të rrugës brenda këtij viti dhe jo më 2009, kur i skadon afati. Dikur edhe shpërthimi i fundit shtyn me forcë në faqen e kundërt të malit copëra të mëdha shkëmbinjsh dhe pak minuta më pas rruga hapet. Pas varrezave të Himarës një tjetër firmë, "TRIS sh.p.k.", ka nisur të zgjerojë rrugën, por përmes zonës së banuar gjithsesi, nuk është bërë asnjë punim i dukshëm.
Himara dhe Borshi
Ajo që të bie në sy menjëherë sa zbret në qendër të Himarës është se plazhistët janë të pakët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Sërish jo për faj të rrugës, na thonë. "Ai që vjen të rrijë 15 ditë apo një javë, njëherë do ta bëjë rrugën. S'ka lidhje rruga e keqe me këtë. Unë mendoj se pushuesit nuk kanë ardhur ose për shkak të çmimeve të ofruara të dhomave këtë vit, që janë paksa më të larta. Ose sepse një vit më parë fatura u ka shkuar po aq sa sot ofrohet në paketat turistike për në Turqi", thotë Petrua, një emigrant në Greqi që jep me qira çdo vit 12 dhoma të një godine trikatëshe ndërtuar përmbi shtëpinë e tij të vjetër. Gjithsesi, himarjotët që kanë investuar për turizmin shpresojnë të kompensojnë sadopak shpenzimet gjatë muajit gusht, kur për vit fluksi ka qenë më i madh. Në të dalë të Himarës sërish punohet në rrugë. Madje, përmbi gjirin e pashoq të Lamanit ajo është e asfaltuar për mrekulli deri në të dalë të Porto Palermos, pranë rezervatit të peshkut.
Në të gjithë gjatësinë e Qeparoit rruga është në ndërtim, gomat e makinës rrahim mbi çakëll dhe pas saj ngrihet një re pluhuri. Kështu deri në Borsh. Ndërsa makinat me të cilat këmbehemi rrugës janë të pakta, sikur të plotësonin atë treguesin se turistët, ose nuk kanë ardhur ende, ose nuk kanë ndërmend fare të vijnë. Të njëjtin mendim kanë edhe banorët e Borshit që hasim rrugës. "Një vit më parë, në korrik, kemi pasur më shumë plazhistë. Sivjet shumë pak kanë ardhur. Mbase për shkak të çmimeve. I rritëm pak, se edhe orizin, edhe makaronat po i blejmë më shtrenjtë", sqaron Nervo Kllëçi, një plakë rreth të shtatëdhjetave. Banorët thonë se krahasuar me një vit më parë çmimet janë shtuar me pesëqind lekë në natë për një dhomë. Kështu nëse një vit më parë dhomat në bregdet ishin 3.5 mijë lekë për 24 orë, dhe lart në kodër 3 mijë, sivjet lëshohen përkatësisht për 4 dhe 3.5 mijë.
Tymnaja Borsh-Qafë Gjashtë
Pasi lë pas Borshin, rruga e zgjeruar po ende e pashtruar nuk të lë të ecësh më tepër se me 20 kilometra në orë. Ndërsa, shtëllunga e tymit pas makinës është edhe më e madhe. Tymnaja të ndjek nga pas për një kohë të gjatë deri në afërsi të Piqerasit. Më tej, nga Piqerasi në plazhin e Bunecit në rrugë nuk janë bërë punime dhe ajo e vjetra është ende në gjendje të mirë. Por pasi kalon Bunecin rruga deri në Lukovë është sërish e hapur dhe vende-vende çakulli i përdorur është kokërrmadh. Pa u larguar që këtej, një banor i Lukovës na thotë më të renë e këtij viti. Komuna ka hapur e shtruar rrugën për në plazhin super të bukur që quhet "Shpella e Palasës".
Në afërsi të Shën Vasilit, pa hyrë në fshat, ka një segment të asfaltuar. Përshtypje të bën se në të gjitha zonat me banesa, filluar që Borshi, nuk është bërë asnjë përpjekje për rrugën e re. Kështu edhe në qendër të Shën Vasilit. Më tej edhe segmenti Nivicë-Krekëz (vendi ku rruga kthen për në Kakome) është asfaltuar. Por nga aty deri në Qafë-Gjashtë, pranë Sarandës, reja e pluhurit që do të të shoqëroje duket që nga lartësia e Nivicës. Gjithsesi, këto ditë në këtë segment ecet shpejt e pa probleme, pasi firma "Salillari" që kryen punimet, e ka rrafshuar sipërfaqen me një granil të imët.
Vetëm kur gomat hasin asfaltin e rrugës që hyn në Sarandë, shpirti bie në qetësi dhe mendja nis të bëjë llogaritë. Rrugës së bregut na u desh, me pak ndalesa, pothuaj më shumë se një gjysmë dite të mbërrinim në Sarandë. Gjithsesi, për t'u përshëndetur është se më në fund qeveria ka lëvruar fondet që kjo rrugë të ndërtohet. Sivjet mbase pakkush nuk do të mburret se ka pushuar në Himarë, Borsh apo Lukovë. Por vitin tjetër, sigurisht që turistët do të jenë më të shumtë. Ideja e një rruge të mirë patjetër që do i tërheqë. Dhe tërheqja për ata njerëz që kanë shijuar të paktën njëherë mrekullinë e Rivierës shqiptare, është e sigurt dhe nuk ka për të ndodhur vetëm gjatë sezonit të verës.

Palasa
Palasa gjatë kësaj vere ofron vetëm dhoma, ndërsa plazhi duhet të bëhet në Dhërmi. Dhomat përgjithësisht janë në çmimin fiks 3 mijë lekë për 24 orë. Ndërsa në plazhin e virgjër të Palasës, rruga sivjet është e vështirë për shkak të shirave. Kështu, ata që kanë guxuar të futen me makina në rrugën që kthen djathtas sapo zbret nga Qafa e Llogarasë, kanë ngecur dhe janë detyruar të thërrasin karrotrecin.

Dhërmiu
Ofron kushtet më cilësore. Rruga deri në plazh është e shtruar e gjithë, qoftë edhe sikur udhëtimi të nisë nga Tirana. Gjatë korrikut vetën në Dhërmi pohohet të ketë pasur një fluks të mjaftueshëm turistësh. Çmimet e garsonierave pranë bregut të detit kapin shifrën 5 mijë lekë për 24 orë, ndërsa sipër në fshat shifra reduktohet në 3 deri në 3.5 mijë. Shumica e pushuesve që frekuentojnë Dhërmiun janë nga Tirana dhe Durrësi

Vunoi
Nuk ka një infrastrukturë të plotë për të pritur turistë. Ka pak ambiente dhe çmimet janë relativisht më të ulëta se në zonat e tjera. Plazhi bëhet duke udhëtuar pak kilometra me makinë për në Jalë ose për në Gjipe. Jali ofron një plazh që në asnjë kohë nuk ka dallgë për shkak se është i mbrojtur dhe jo shumë të populluar. Po kështu rruga sivjet është riparuar për të shkuar edhe në plazhin e virgjër të Gjipesë.

Himara
Himara ofron kushte pushimi të të gjitha kategorive. Aty mund të gjesh dhoma plazhi në shifrën 35 mijë lekë të rinj për 15 ditë, ashtu si edhe mund të rehatohesh në hotel me tre yje për 7-8 mijë lekë në ditë. Himara ofron edhe larmi ambientesh argëtimi, qoftë diskoteka apo pub-e si dhe xhiron e mbrëmjes në bulevard. Po kështu Himara ofron një larmi plazhesh, nisur që nga Livadhi e përfunduar në Porto Palermo

Borshi
Borshi ofron një ambient të izoluar fshati, me pak argëtime, por me më shumë kohë të kaluar në formën e pushimit. Dhomat në breg sivjet janë të fiksuara në shifrën 4 mijë lekë për 24 orë, por lart në fshat shifra reduktohet në 3.5 deri në 3 mijë lekë. Interesant është fakti se lart, në fshat, natën është shumë freskët dhe duhet të përdorësh në ndonjë rast edhe batanije për të fjetur gjumë

Piqeras-Nivicë
Kjo është një zonë me pak fluks turistësh edhe pse ofron plazhe të mrekullueshme. Kryesisht ata vijnë te njerëz të njohur të tyre. Ndërsa plazhet janë të papërsëritshëm. Plazhi i Bunecit ka edhe një rrjet të mirë restorantesh, ndërsa plazhi i Shpellës së Lukovës ndjell kuriozitet. Por ai i Kakomesë kap kreun. Aty mund të shkohet lehtësisht edhe nga Saranda, është vetëm 3 kilometra nga rruga nacionale, shkohet me autoveturë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›