E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon tenderi për operatorin celular

05/03/2009  Skualifikohet një prej dy kompanive ofertuese, PTK-ja e Kosovës dhe “Univers PG”

AKEP-ja do të analizojë shkaqet. Pesë ditë afat për ankimim

Ndërpriten procedurat e shqyrtimit të ofertave për operatorin e katërt. Sipas një njoftimi të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, është ndërprerë procedura për shqyrtimin e ofertave nga kompanitë që morën pjesë në tenderin e datës 20 shkurt të këtij viti. Ka qenë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i cili ka marrë vendimin, për shkak se në këtë proces ka mbetur vetëm një kompani. Sipas njoftimit të AKEP-së, oferta e paraqitur nga një prej dy kompanive të mbetura në garë është skualifikuar. “Në garë mbeten vetëm dy oferta, nga të cilat njëra u skualifikua nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për mosplotësim të kërkesave për kualifikim të përcaktuar në VKM nr. 1252 më datë 10.09.2008 dhe në dokumentin e tenderit”, - theksojnë burimet zyrtare. Në dokumentin e zhvillimit të tenderit përcaktohet edhe momenti i mungesës së konkurrencës. “Për të vazhduar procesin e përzgjedhjes së fituesit në vijim të procedurës së tenderit duhet që numri i ofertave të vlefshme të jetë jo më i vogël se 2, në të kundërt ndërpritet procedura dhe fillon një procedurë e re”, - thekson dokumenti. AKEP-ja, përpara fillimit të procedurës së re, analizon shkaqet që shkaktuan dështimin e procedurës së parë dhe i korrigjon ato me qëllim që të bëjë të mundur rritjen e konkurrencës. Sipas burimeve të AKEP-së, ditën e hapjes së ofertave rezulton se u paraqitën 3 zarfë, përkatësisht nga shoqëritë “Tele 2”, “Univers PG” dhe shoqëria “PTK & bashkimi i investitorëve”. “Dokumentacioni i paraqitur nga shoqëria “Tele 2” nuk ishte ofertë, por shprehje interesi. Për këtë arsye nuk u shqyrtua nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave”, - thanë burimet zyrtare. “Të ndodhur në kushtet e mungesës së konkurrencës të parashikuara, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi ndërprerjen e procedurës.

Hapat e mëtejshëm do të ndërmerren nga AKEP-ja, pas përfundimit të afatit të ankimimit”, - përfunduan burimet.

Stafi

Për vitin 2009 Autoriteti i Konkurrencës duke marrë në konsideratë efektet e një ekonomie të globalizuar ka vendosur dy drejtime kryesore, rritja e profesionalizmit dhe e ekspertizës së stafit teknik të autoritetit dhe rritja e ndërgjegjësimit të publikut mbi përfitimet që sjell konkurrenca në treg. Këto dy drejtime ndikojnë ndjeshëm në konsolidimin e mëtejshëm të autoritetit shqiptar të konkurrencës.

Mbikëqyrja

Autoriteti i Konkurrencës do të mbikëqyrë tregun për të monitoruar dhe hetuar sektorët e ekonomisë ku shfaqen shenja të kufizimit, shtrembërimit, apo deformimit të konkurrencës në tregjet. “Kjo punë do të vijojë në tregje ku një ose disa ndërmarrje kanë pozitë dominuese si në tregun e hidrokarbureve në sektorin e komunikimeve elektronike në sektorin financiar, në sektorin e energjisë elektrike”, - thanë ekspertët.

Sinjalet

Aktualisht ka sinjale nga sektorë të ndryshëm. “Në 2009-n Autoriteti i Konkurrencës ka parashikuar një sërë hetimesh ku ka sinjale për kufizime të mundshme të konkurrencës”, - thanë ekspertët. Në zbatim të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës ky institucion do të zhvillojë monitorime dhe hetime në tre kolona kryesore abuzimi me pozitën dominuese, marrëveshjet e ndaluara dhe kontrollin e përqendrimeve.

Anulimi i tenderit

Sipas dokumentit për zhvillimin e tenderit, AKEP-ja u komunikon të gjithë kandidatëve ose ofertuesve vendimin dhe arsyet për të mos e vazhduar tenderin brenda 5 ditëve pune nga marrja e vendimit. Gjithashtu, sipas dokumentit, AKEP-ja ka të drejtë në çdo kohë, të anulojë tenderin, për arsye të interesit publik, duke respektuar parimet e barazisë dhe transparencës. Ky institucion nuk mban asnjë përgjegjësi ndaj ofertuesve, që kanë paraqitur oferta, për vendimin e ndërprerjes së tenderit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›