E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon tregtia e lirë me Malin e Zi

01/04/2005  Dy vendet nuk “thithin” dot sasi të mëdha mallrash nga njëri-tjetri

SHKODËR - Tregtia e lirë me Malin e Zi, nuk po funksionon.

Hapja e tregtisë së lirë me Republikën e Malit të Zi, në mesin e vitit të kaluar, nuk ka sjellë akoma rezultate të ndjeshme pozitive në zhvillimin ekonomik të rajonit të Shkodrës. Këto rezultate jo shumë optimiste kanë bërë që, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Shkodër, në bashkëpunim dhe me pushtetin lokal të studiojnë arsyet e mosfunksionimit siç duhet të tregtisë së lirë, që u mendua fillimisht si një zgjidhje, që do të shpinte këtë rajon drejt zhvillimit ekonomik. Drejtuesit e kësaj Dhome shprehen se Republika fqinje e Malit të Zi, duke qenë një treg jo shumë i zhvilluar këto vitet e fundit dhe me një ekonomi me pronar dominues shtetin, nuk po paraqet ndonjë interes të veçantë në mallrat që aktualisht i prodhon vetë për anën tonë. Duke analizuar periudhën e bashkëpunimit, janë shënuar vetëm disa importe direkte, ku kryesisht është birra “Nikshiq”. Por edhe kjo birrë ka gjetur një konkurrencë të fuqishme në vendin tonë dhe si rrjedhojë tregu i saj ka ardhur duke u zvogëluar gradualisht. Në mallrat e tjera që ofrohen nga pala malazeze janë kryesisht misër, grurë, miell, patate, vaj e krunde, të cilat po tregtohen kryesisht nga subjekte tregtare nga Malësia e Madhe, por edhe këto po hasin vështirësi në trajtimin doganor. Nga ana tjetër, eksporti i prodhimeve me origjinë shqiptare është prezent vetëm nëpërmjet kompanisë “Armo”, e cila eksporton sasi të vogla të bitumit në shtetin fqinjë të Malit të Zi, për të cilin nga firmat malazeze ka kërkesa për një sasi prej 5 tonësh bitum lëng në total dhe që mund të lëvrohen nga 800 deri në 900 tonë në muaj. Për sa u takon artikujve të tjerë që kërkohen nga Mali i Zi, përmenden solari dhe hekuri, të cilat transportohen në sasi tepër të vogla. Edhe pse një pjesë e mallrave, kryesisht e disa produkteve ushqimore, transportohen nëpërmjet linjës hekurudhore, nga pika doganore e stacionit të Bajzës, aktualisht eksporti i mallrave me origjinë shqiptare drejt Malit të Zi, është pothuajse i pamundur edhe për arsyen se taksat doganore që aplikon ky vend për transportet e veta, nga vendet e tjera, janë shumë herë më të ulëta se ato që aplikohen nga vendi ynë për të njëjtat importe. Ndërkohë përdorimi i territorit të Malit të Zi për tranzitimet e mallrave, është i levërdisshëm nga pikëpamja e lehtësive të dokumentacioneve, që paraqet ky vend, por kjo pengohet nga zbatimi i disa taksave. Duke marrë parasysh këto pengesa dhe dukuri të hasura në tregtinë e lirë me Malin e Zi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Shkodër po punon për të kontribuar në gjallërimin e biznesit e tregtisë së lirë në mes të dy shteteve.

Taksat që pengojnë tranzitimin e mallrave

300 euro në muaj

siguracioni i veçantë

200 euro për kamion

taksa e shoqërimit

120 euro në muaj

taksa për çdo muaj kalimi të kamionit

70 euro

agjencitë e siguracionit (spedicioneret)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›